GAZA (AA) – Një palestinez ka rënë dëshmor pas hapjes së zjarrit nga ushtarët izraelitë ndaj demonstratave paqësore në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Eshref el-Kudra, përmes një deklarate me shkrim bëri të ditur se 25-vjeçari Ahmed Nebil Ebu Akl, i qëlluar në kokë nga ushtarët izraelitë, ka rënë dëshmor.
Ndryshe, 36 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe mbi 3.500 janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” me rastin e “Ditës së Tokës”, 42-vjetorit të pushtimit të një pjese të madhe të territoreve palestineze nga ana e Izraelit më 30 mars të vitit 1976.
Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë-javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.
Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.