Vëllezërit Yll, Mehmet dhe Agron Bytyçi, shtetas amerikanë me prejardhje shqiptare nga Kosova dhe anëtarë të Brigadës Atlantiku të UÇK-së u arrestuan më 26 qershor të vitit 1999 në kufirin Kosovë-Serbi, dhe më pas u gjetën të vdekur në një varr masiv pasi kishin marrë nga një plumb në kokë
Prokurori i krimeve të luftës të Serbisë, Vladimir Vukçeviq tha Prokuroria serbe pjesërisht ka arritur të depërtojë në të ashtuquajturin ‘komplotin Ballkanik të heshtjes’, përkatësisht në mesin e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në lidhje me vrasjen e tre shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyçi. Por, kjo, sipas tij, nuk është e mjaftueshme për të ngritur një aktakuzë kundër kriminelëve dhe urdhëruesve të tyre.
“Urdhrin për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë dhe anëtarë të UÇK-së, e ka dhënë i ndjeri Ministri i Brendshëm serb, Vllajko Stoiljkoviq”, tha Vukçeviq për mediat serbe.
Sipas Vukçeviqit, edhe pse kjo nuk është e zakonshme, si prokuror ka vendosur të publikojë zyrtarisht disa të dhëna të reja, pasi sipas tij, vëllai i të vrarëve, Fatos Bytyçi, ka pohuar disa të dhëna të pavërteta dhe ka rrezikuar rastin, transmeton Telegrafi.
“Ne kemi studiuar motivin e vrasjes. Ka pasur indikacione të ndryshme, por asnjëra nga këto gjëra nuk është konfirmuar”, tha prokurori, duke shtuar se rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi ende është në fazën e para-hetimit.
Gjatë një interviste për televizionin shtetërir serb RTS, prokurori shpjegoi se ka dëshmi se urdhrin për vrasjen e shqiptaro-amerikanëve e kanë dhënë Vllajko Stojiljkoviq, përmes komandantit të përgjithshëm të policisë, Vlastimir Gjorgjeviq dhe Goran Radosavljeviqin, të njohur më mirë si Guri.
Vukçeviq pohoi se të gjitha vlerësimet në lidhje me vrasjen e vëllezërve Bytyçi e ka bërë Byroja Federale e Investigimeve amerikane (FBI).
Vëllezërit Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare nga Kosova, u vranë gjatë masakrave të ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1999. Pas arrestimit dhe dënimit për kalim të paligjshëm të kufirit, ata u dërguan nga burgu i Prokupljes në qendrën e trajnimit të Ministrisë së Brendshme në Petrovo Selo, ku edhe u vranë. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, së bashku edhe 67 trupa të meshkujve dhe 7 grave nga Kosova!
Stoiljkoviq, i cili tashmë dyshohet për dhënien e urdhrit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi, vrau veten në shkallët e Parlamentit të ish-RFJ-së në vitin 2002, menjëherë pas miratimit të Ligjit për Bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, i cili mundësoi ekstradimin e shtetasve serbë. kohaislame