Një program spiun i avancuar është përhapur në telefonat celularë nëpërmjet programit WhatsApp.
Gazeta “Financial Times” ka shkruar se programi spiun i zhvilluar nga kompania izraelite e softuerëve NSO Grup, mund të vendoset prej së largu nga hakerët e kompjuterëve në telefonat celularë dhe pajisjet e tjera që përdorin WhatsApp.
Më tej në artikull thuhet se edhe zëdhënësi i WhatsApp-it ka thënë se programi spiun (malware) mund të depërtojë tek telefonat vetëm nëpërmjet funksionit të thirrjeve pa përgjigje të aplikacionit.
Nga WhatsApp thonë se nuk dihet numri i përdoruesve të prekur nga ky program dhe se kompania e ka zbuluar këtë situatë në fillim të këtij muaji.
WhatsApp dje kërkoi nga 1.5 miliardë përdoruesit e saj që të përditësonin aplikacionin si masë parandaluese.
Ndërkohë që kompania NSO Group nuk ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me çështjen.
Emri i një programi (software) spiun i zhvilluar nga kompania izraelite është përmendur edhe në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Institucioni Citizen Lab i lidhur me Universitetin e Torontos ka zbuluar se Arabia Saudite kishte ndjekur gazetarin Khashoggi me teknologjinë e një programi spiun quajtur “Pegasus” të cilin e ka marrë nga NSO Grup./AA