-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Problemi i sulmeve seksuale në ushtrinë amerikane

Më të lexuarat

Katër veteranë të ushtrisë amerikane, viktima të sulmeve sektuale, dëshmuan dje para Komisionit për Çështjet e Veteranëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Ata nënvizuan nevojën për përmirësimin e masave që duhet të marrë Administrata Amerikane për Veteranët për trajtimin e traumës që shkaktojnë sulmet.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes nxori në muajin maj një studim sipas të cilit përllogaritet se deri në 26 mijë anëtarë të forcave të armatosura ka qenë viktima të sulmeve seksuale në ushtri gjatë vitit të kaluar, raporton Zëri i Amerikës.
Kreu republikan i Nënkomisionit për Shëndetin, Dan Benishek, i bëri një analizë kësaj shifre:
“Gjatë vitit të kaluar fiskal ka pasur mesatarisht 71 incidente seksuale çdo ditë në radhët e forcave të armatosura”.
Katër veteranë që kanë përjetuar sulme seksuale, erdhën në Uashington për të rrëfyer përvojën e tyre para ligjvënësve dhe për të kërkuar ndryshime për mënyrat si trajtohen viktimat e këtyre sulmeve. Victoria Sanders është veterane e forcave të armatosura. Ajo tregon se është përdhunuar nga një ushtar tjetër kur ishte 20 vjeç:
“Kur denoncon një përdhunim, shndërrohesh në armikun më të urryer; askush nuk flet më me ty dhe nëse të flasin është për të të thënë se të ndodhi ajo që meritoje”.
Veterania Sanders thotë se komandantët e saj nuk i kushtuan rëndësi incidentit dhe problemeve traumatike që ajo pësoi si rezultat i sulmit seksual. Ajo thotë se duhet të ndryshojë mendësia në ushtri.
Lisa Wilken ka qenë pjesëtare e Forcave Ajrore Amerikane. Edhe ajo shpreh përshtypjen se ushtria i trajton në mënyrë të padrejtë viktimat e sulmeve seksuale:
“Mënyra si na trajtuan kur raportuam sulme seksuale është sikur të ishim ne autorët e aktit penal, pasi ne përfunduam të gjykuara”.
Veterania Wilken shprehet se praktika e punës në institucionet shëndetësore të Departamentit të Çështjeve të Veteranëve pasqyron praktikën që ka ndjekur ushtria për t’i fshehur nën rrogoz sulmet seksuale. Të katër veteranët që dëshmuan dje thanë se viktimat e sulmeve seksuale duhet të kenë mundësi të mjekohen jashtë sistemit shëndetësor të Departamentit të Çështjeve të Veteranëve, nëse e kërkojnë një gjë të tillë. Brian Lewis ka qenë pjesëtar i Marinës Ushtarake Amerikane, ku ka përjetuar dhunë seksuale:
“Departamenti i Çështjeve të Veteranëve është praktikisht i paaftë të ofrojë kujdesin e nevojshëm për viktimat e sulmeve seksuale në mjedisin aktual”.
Veterani Lewis ngriti gjithashtu problemin se Departamenti i Veteranëve e sheh problemin e dhunës seksuale në ushtri si një problem që prek vetëm gratë dhe nuk përfill fatin e meshkujve që viktimizohen nga sulme seksuale.
Pasi dëgjoi dëshmitë, një zyrtar i Departamentit të Çështjeve të Veteranëve, Rajiv Jain tha se e ka të qartë se situata kërkon vëmendje urgjente dhe u zotua për ndryshime:
“Do të bëjmë një analizë me sy kritik të shërbimeve që ofrojmë për të mbyllur hendeqet. Veteranët që dëshmuan kanë bërë sugjerime shumë me vlerë dhe do t’i shqyrtojmë me vëmendje”.
Si anëtarët demokratë, ashtu edhe ata republikanë të komisionit u zotuan të vazhdojnë punën për një trajtim më të mirë të veteranëve që përjetojnë sulme seksuale. Edhe në Senat po bëhen përpjekje dypartiake për të kaluar ndjekjen penale të autorëve të këtyre akteve jashtë strukturës së ushtrisë, por Pentagoni e kundërshton me forcë këtë ide. /VOA/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit