Ajri i kondicionuar është një lehtësim që na mirëpret kudo në verë: në zyrë, në supermarket, në autobus, në makinë dhe në shtëpi. Megjithatë, duhet pasur kujdes dhe gjithashtu duhen marrë parasysh pasojat negative.
Përveç dhimbjes klasike të fytit dhe qafës së ngurtë, përdorimi i tepërt i ajrit të kondicionuar është një kërcënim për mirëqenien tonë. Para së gjithash, duhet patur parasysh se është e dëmshme kur prodhon thatësi të tepruar në mjedis. Përdorimi i saj me kujdes është mënyra më e mirë për të përfituar nga një prej aleatëve tanë më të mirë kundër të nxehtit.
Le të shohim se cilat janë efektet në shëndetin tonë:
Çrregullime të frymëmarrjes
Ndikimi i parë i ajrit të kondicionuar ndodh në sistemin e frymëmarrjes, shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimit të papritur të temperaturave. Stresi që prodhon kalimi nga nxehtësia shtypëse në të ftohtët e një supermarketi ose një zyre mund të shkaktojë më shumë se një shqetësim. Për më tepër, qarkullimi i kufizuar i ajrit e ekspozon trupin tonë ndaj infeksioneve respiratore dhe mund të shkaktojë probleme të fytit.
Ata që shpenzojnë shumë orë në një mjedis me ajër të kondicionuar kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje që prekin hundën dhe problemet më serioze të saj, siç është rhinitis.
Infeksionet virale
Një tjetër pasojë e zakonshme e ajrit të kondicionuar është rritja e infeksioneve virale, shpesh të favorizuara nga një sistem imunitar disi i dobësuar. Në një dhomë me ajër të kondicionuar dritaret duhen mbajtur të mbyllura; ajri qarkullon, por nuk ka ajër të pastër.
Ajri i ftohtë mund të transmetojë virusin e ftohjes, gripit dhe bakterieve të tjera. Shkurtimisht, nga kjo pikëpamje, një shtëpi pa ajër të kondicionuar është shumë më e shëndetshme.
Dehidratim
Dehidrimi është një tjetër pengesë për ata që kalojnë shumë orë në një dhomë me ajër të kondicionuar. Ndjenja e mirëqenies që ndiejmë është përcaktuar kryesisht nga fakti që kondicioneri filtron dhe heq lagështinë. Për më tepër, temperatura e ulët redukton nevojën për të pirë; rreziku, pra, është që në fund të ditës të jeni të dehidratuar.
Dhimbje koke
Dhimbjet e kokës janë një nga efektet anësore më të zakonshme që sjell përdorimi i ajrit të kondicionuar për orë të tëra, veçanërisht kur dallimi mes temperaturave jashtë dhe brenda është i dukshëm.
Thatësi syri
Thatësia e syrit, shpesh e shoqëruar me kruajtje, skuqje dhe acarim syri është një tjetër efekt negativ, sidomos tek njerëzit të cilët tashmë kanë tendencë të vuajnë nga ky problem.
Në fakt, thatësia e syrit bëhet më e keqe kur kaloni shumë orë në një ambient me ajër të kondicionuar. Nëse ky është problemi juaj, atëherë ne ju rekomandojmë që ta përdorni ajrin e kondicionuar me moderim.
Redukton aftësinë për të përballuar të nxehtin
Nëse kaloni një kohë të gjatë të ekspozuar ndaj ajrit të kondicionuar, ju mund të bëheni më intolerantë ndaj temperaturave të nxehta.
Mbani mend se trupi stresohet kur kalon nga një mjedis i freskët artificial në nxehtësinë e zjarrtë. Ndryshimet e papritura të temperaturës shpesh kanë një ndikim negativ në shëndet.
Ajri i kondicionuar, në momentet më kritike të verës, është një lehtësim, veçanërisht për të moshuarit dhe më të dobëtit. Megjithatë, ana tjetër e monedhës janë efektet negative. Prandaj, zgjidhja është një përdorim i përgjegjshëm dhe i moderuar i sistemeve të kondicionimit të ajrit./atsh