PRIZREN (AA) – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot në shkollën speciale Qendra Burimore për mësim dhe këshillim “Lef Nosi” në Prizren realizoi inagurimin e projektit “Instalimi i Dhomës Sensorike”, e cila është dhoma e dytë sensorike në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në inagurimin e këtij projekti morën pjesë Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, Konsullja e Përgjithshme e Republikes së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya dhe koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran.
Në kuadër të këtij programi inagurues pjesëmarrësit vizituan klasat e kësaj shkolle si dhe dhomën sensorike ku të gjitha pajisjet e saj janë dhuruar dhe instaluar nga TIKA.
Ambasadorja Kılıç në një deklaratë për media tha se ndjehet e lumtur që me projekte të tilla po arrijnë sado pak të ndihmojnë zhvillimin e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe punën e mësimdhënësve të kësaj shkolle, duke e vlerësuar këtë “si një punë shumë të vështirë por edhe shumë të shenjtë”.
Ajo vuri në dukje se do të vazhdojnë realizimin e projekteve të tilla. “Çdo gjë është për fëmijët dhe të rinjtë e këtij shteti, të cilët do të krijojnë të ardhmen e ndritshme të shtetit të Kosovës, vend mik dhe vëllazëror i yni”, tha Kılıç.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Haskuka u shpreh se humanizmi dhe zhvillimi i një shoqërie varet prej asaj se si i trajton njerëzit që kanë nevojë më së shumti. “Falënderoj Republikën e Turqisë, TIKA-n dhe ambasadoren që na mundësoi të punojmë me këta fëmijë në mënyrë shumë më humane, me teknologji të reja të mësimnxënies dhe besoj që kjo do të ndihmojë në procesin mësimor në këtë shkollë”, tha ai.
Drejtoresha e kësaj qendre burimore, Herolinda Halimaj tha se kjo dhomë do t’u shërbejë mësimdhënësve dhe në veçanti nxënësve për t’i arritur objektivat e tyre mësimore, për një mësimdhënie dhe mësimnxënie shumë më cilësore.
Halimaj rikujtoi se TIKA më parë kishte rinovuar edhe kuzhinën dhe një aneks të kësaj qendre. “U jemi shumë mirënjohës TIKA-s, e cila është hera e dytë që përkrah shkollën tonë me donacione. Prandaj ne shpresojmë që edhe në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim të tillë, shpresojmë që do të na mbështesin përsëri edhe në disa projekte tjera që janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për një zhvillim sa më të mirë të shkollës sonë”, tha ajo.
Qendra Burimore “Lef Nosi” është një institucion shtetëror i cili ka 62 nxënës me nevoja të veçanta nga klasa e parë deri në klasën e 12-të, ku marrin mësim dhe këshillim në gjuhën shqipe.
Dhoma sensorike në qendrën burimore “Lef Nosi” është dhoma e dytë e këtij lloji, ku edhe e para ishte instaluar nga TIKA, në shkollën speciale “Qendra Burimore – Përparimi” në Prishtinë.