PRISHTINË (AA) – Qindra protestues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe familjarët e të vrarëve dhe të arrestuarve në rastin “Lagjja e Trimave” në Kumanovë, janë mbledhur sot para Teatrit Kombëtar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, për t’u solidarizuar me familjarët e dëshmorëve dhe shokëve të tyre të dënuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në emër të Shoqatave të luftës, Muhamet Bilalli i cili iu drejtua turmës së tubuar tha se kanë dalë në këtë protestë për të treguar se janë përkrah luftëtarëve të lirisë dhe të dëshmojnë se këta luftëtarë janë vrarë në Kumanovë pa asnjë fakt dhe pa asnjë dëshmi.
“Jemi sot në këtë protestë jo vetëm të dëshmojmë se jemi përkrah bashkëluftëtarëve tanë në të gjitha luftërat çlirimtare që janë zhvilluar nga viti 1997 deri në vitin 2001 por jemi kundër politikës anti-kombëtare dhe anti-shqiptare që zhvillojnë fqinjët tanë. Përveq kësaj sot kemi dalë të dëshmojmë se rrugën e lirisë së popullit shqiptar nuk mund ta ndalin as vrasjet, as burgjet e përjetshme, as 700 e më shumë vjet burg për luftëtarët e lirisë”, tha Bilalli.
Ndërsa, Frashër Rracaj nga Lëvizja “Shqipëria e Bashkuar”, duke i bërë thirrje Qeverisë së Maqedonisë që t’i lirojë të dënuarit për Rastin e Kumanovës tha se përpjekja e drejt e grupit të Kumanovës ka vlerën e lirisë e jo të krimit.
“I bëjmë thirrje qeverisë së Prishtinës e Tiranës që të angazhohen për lirimin e grupit të rastit ‘Kumanova’ dhe të reagojnë kundër dënimeve kapitale. Ne shqiptarët duhet të reagojmë si komb ndaj çdo përballje që e sfidon dhe rezikon qenien tonë fizike, territorin, identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar”, tha Rracaj.
Kujtojmë se më 2 nëntor në Gjykatën Penale të Shkupit është shqiptuar aktvendimi për 37 të akuzuarit e grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”, me ç’rast 8 të akuzuar morën dënime të përjetshme, katër të tjerë janë shpallur të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër ka marrë dënime prej 12 deri në 40 vjet burg.
Në aktvendimin e Gjykatës Penale ata ngarkoheshin për veprën “Organizim terrorist” dhe “Terrorizëm”.