-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Prishtinalit shumë luftëtar,nuk ka as aplikacione për ta

Më të lexuarat

Në degën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë ka dy javë që mungojnë aplikacionet të cilat duhet plotësohen në mënyrë që luftëtarët të marrin statusin e veteranit të luftës. Përfaqësues të kësaj dege kanë thënë se numri i atyre që kanë aplikuar është më i madh se sa është parashikuar në fillim. Ata kanë bërë të ditur se janë ankuar në sekretariat, mirëpo ende nuk u kanë sjellë aplikacionet.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, dega në Prishtinë, Brahim Mehmetaj ka thënë për “Kosovapress” se shumë njerëz janë kthyer prapa pasi që ka mungesë të aplikacioneve.

Ai ka bërë të ditur se kanë bërë kërkesë në sekretariat për të sjellë aplikacione, mirëpo ende nuk u kanë kthyer përgjigje.

“Ka mungesë të aplikacioneve që disa ditë, ku janë shkaqet dhe arsyet nuk e di por muj me supozu që është ba një tërheqje e aplikacioneve nashta edhe jo e parashikume d.m.th. kanë dalë jashtë atij standardi që janë parapa, ka aq shumë aplikant që donë me marrë formularin sa që sigurisht ka dalë jashtë çdo parashikimi të mundshëm. Është një javë, 2 javë. Janë kthy njerëzit. Po e kemi na sekretariatin atje dhe kemi ba kërkesa për të marrë aplikacione, ka shku kërkesa por realisht gjithmonë sot nesër, sot nesër”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka shtuar se numri i atyre që janë duke aplikuar për të marrë librezën e veteranit është dyfish më i madh se numri i cili ka qenë i regjistruar në këtë degë.

“Realisht është si evidencë në zyrën tonë, në degën tonë kemi pas diku rreth 2 mijë e pak, 2 mijë e diçka 10 ose 20 nuk e di saktë njerëz që janë veteran me librezë, që kanë pas librezë këtu, ndërsa deri tash janë tërheq 3 mijë e ndoshta 100 aplikacione. Mbi 3000 njerëz kanë apliku, mbi 1750 i kanë kthy, i kanë mbush dhe i kanë dorëzu, e pjesa tjetër nuk i kanë dorëzua akoma por plus ka kërkesa në vazhdim”, ka bërë të ditur Mehmetaj.

Ndërsa, Faik Fazliu nga Komisioni për verifikimin e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, nuk ka dashur të prononcohet.

“Kosovapress” ka dy ditë që provon të merr një prononcim për këtë çështje, mirëpo kjo ka qenë e pamundur.

Procesi për tu pajisur me librezën e veteranit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 15 nëntor të vitit të kaluar dhe do të përfundojë më 28 shkurt të këtij viti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit