3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Prishtina bëhet edhe me një hartë turistike

Më të lexuarat

Gjeografi Ismail Gagica ka përmbledhur në një botim të dytë pikat kryesore turistike të Prishtinës. Me qëllim që vizitorëve të kryeqytetit t’u lehtësohet puna kur vijnë këtu, ai ka nxjerrë nga botimi hartën turistike dhe rrugore “Prishtina”.

Monumentet kulturore-historike, si dhe ato natyrore, zënë vend në këtë hartë, teksa shoqërohen me fotografi dhe me një përshkrim të shkurtër të monumentit. Gagica në njërën anë ka vendosur hartën rrugore me të gjithë emrat e rrugëve, e në anën tjetër vend i ka lënë guidës turistike të Prishtinës. Ballinën e zë objekti i Sahat Kullës.

“Ai është një nga monumentet e pakta që i kanë mbetur pjesës së Çarshisë së Vjetër të Prishtinës”, ka arsyetuar Gagica. Muzeu i Kosovës me eksponatet e saj, muzeu etnologjik, pjesa e vjetër e qytetit me Xhaminë e Mbretit, Xhaminë e Çarshisë e objekte të tjera janë ndër objektet që përfaqësohen në këtë guidë. Është prezantuar edhe muze-galeria e Agim Çavdarbashës, si dhe monumenti “Newborn”.

Pjesa e hartës gjeografike prezanton atraksionet e vlerat kulturore e natyrore të rrethinës së Prishtinës, duke filluar nga lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, Manastirit të Graçanicës, Tyrbes së Sulltan Muratit II, Gazimestani. Bukuritë natyrore përfaqësohen nga Parku i Gërmisë e Liqeni i Badovcit.

Gagica ka bindjen se indeksi me mbi 800 emra e bën këtë hartë me të plotësuar dhe më të shfrytëzueshme për orientim më të shpejtë dhe më të saktë.

“Harta paraqet edhe mbi 400 emërtime të rrugëve, shesheve, lagjeve, të gjitha ambasadat e zyrat e huaja të vendosura në Prishtinë, objektet me rëndësi, monumentet kulturore e historike, institucionet me rëndësi, ato administrative, edukative, duke filluar nga kopshtet, shkollat, kolegjet e deri tek fakultetet, hotelet, restorantet e objekte të tjera shërbyese”, ka thënë Gagica.

Sipas tij, përdoruesit më të mëdhenj të hartës janë bizneset që merren me udhëtime turistike, organizatat e huaja të vendosura në Kosovë dhe ambasadat e akredituara në vend.

“Harta është profesionale me shumë informata të nevojshme dhe shumë lehtë e përdorshme, në dy gjuhë; anglisht dhe shqipe”, ka thënë ai. “Edicioni i dytë i hartës fillimisht është i shkruar në gjuhën angleze, duke pasur parasysh se përdoruesit më të mëdhenj janë anglishtfolësit”. Përkthyes në gjuhën angleze i hartave që ka bërë Gagica deri tani është albanologu i shquar Robert Elsie. Ndërsa veç dy hartave për Prishtinën, ndërmarrja botuese “OrGIS”, që e udhëheq Gagica, ka botuar edhe hartën turistike të Prizrenit dhe hartën turistike të Kosovës. Shpërndarja e hartës për Prishtinën po bëhet në libraritë e qytetit dhe në pikat e shpërndarjes së librit, si dhe në Aeroportin e Prishtinës dhe në atë të Tiranës./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit