Listat përfundimtare të këtyre aplikacioneve që i ka siguruar “Epoka e re” tregojnë se vetëm në këto dy komuna rreth 10 mijë qytetarë kanë kërkuar statusin e veteranit të UÇK-së. Ndërsa nga Zyra Politike e UÇK-së në Prishtinë, të cilën e ka drejtuar veprimtari i shquar Adem Demaçi, kanë aplikuar për këtë status 63 presona
Komuna e Deçanit dhe ajo e Besianës (Podujevës) prijnë sa i përket aplikimit për njohje të statusit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Listat përfundimtare mbi pranimin e aplikacioneve, sipas degëve për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së që i ka siguruar “Epoka e re”, tregojnë se 4 mijë e 800 persona kanë kërkuar statusin e veteranit vetëm në komunën e Deçanit, ndërsa në atë të Besianës 4 mijë e 517. Pastaj vijnë Peja me 3 mijë e 767 aplikantë, Skenderaj me 3 mijë e 713, Prishtina me 3 mijë e 502, Drenasi me 3 mijë e 491, Gjakova me 3 mijë e 40 dhe Novobërda (Artana) 44.
Një gjë tjetër që bie në sy në këto lista është se nga Zyra Politike e UÇK-së në Prishtinë, të cilën e ka drejtuar veprimtari i shquar Adem Demaçi, kanë aplikuar 63 presona, ndërsa nga Fondi “Vendlindja Thërret” 91 persona.
Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së ka pranuar edhe një numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë ardhur nga diaspora. Numri i aplikacioneve të pranuara nga misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës është 1 mijë e 648, prej tyre 1 mijë e 568 kanë aplikuar për veteranë, 68 për invalidë dhe 12 për statusin e familjes së dëshmorëve. Në përgjithësi në këtë proces 57 mijë e 556 persona kanë aplikuar për veteranë, 5 mijë 721 për invalidë dhe 3 mijë e 62 persona kanë aplikuar për njohje të statusit të familjeve të dëshmorëve. Kurse deri para fillimit të këtij procesi në shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë qenë të evidentuara 2 mijë e 300 familje të dëshmoreve, 3 mijë e 500 invalidë të UÇK-së dhe rreth 30 mijë veteranë.
Udhëheqësi i sekretariatit të këtij komisioni shtetëror për verifikimin e këtyre kategorive, Faik Fazliu, ka thënë për gazetën se tani do të fillojë faza kryesore e këtij procesi, ajo e verifikimit. Sipas tij, ende nuk dihet se cili do të jetë numri përfundimtar i këtyre kategorive. “Tashmë është përmbyllur faza e aplikimit, ku kanë pasur të drejtë të gjithë qytetarët të aplikojnë, kurse tash fillon faza kryesore e këtij procesi, ajo e verifikimit të këtyre listave. Në asnjë mënyrë ky numër i aplikuesve nuk do të jetë përfundimtar, sepse do të pasojë faza e verifikimit dhe lirisht mund të thuhet se të gjithë ata që po aludojnë, se numri i këtyre kategorive është fryrë, nuk kanë të drejtë, sepse faza e verifikimit nuk ka filluar ende”, ka thënë Fazliu. Madje, ai ka bërë thirrje të mos paragjykohet numri përfundimtar i këtyre kategorive. “Disa media ende pa përfunduar procesi i verifikimit po deklarojnë se është fryrë numri, por kjo absolutisht është e pabazë. Nuk mund të thuhet se është fryrë numri, kur ende nuk ka filluar procesi i verifikimit. Dje e pashë një kronikë në ‘RTK’, ku ‘x’ dega akuzonte komisionin se ka krijuar hapësirë për manipulime. Kjo nuk është e vërtetë”, është shprehur ai, duke shtuar se verifikimi dhe kategorizimi i veteranëve do ta zvogëlojë dhe do ta afrojë numrin e veteranëve me atë që kanë qenë të regjistruar në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së.
Në vazhdim ai ka deklaruar se sekretariati i komisionit ka mbledhur të gjitha aplikacionet nga të gjitha komunat dhe tani është në fazën e ndarjes së aplikacioneve në bazë të brigadave dhe njësive ashtu siç i kanë plotësuar aplikantët. Në këtë kontekst, Fazliu ka shtuar se për të verifikuar këto aplikacione do të ftohet ish-komandanti i secilës prej ish-Zonave Operative të UÇK-së dhe drejtuesit e tjerë, të cilët bashkë me anëtarët e komisionit do ta shqyrtojnë secilin aplikacion veç e veç. Duke folur për mbarëvajtjen e procesit, ai ka thënë se nuk ka pasur ndonjë problem që ka mundur të ndikojë në rrjedhën e këtij procesi. “Komisioni e ka krijuar mundësinë që të mos ketë asnjë manipulim. Tani është në dorën e eprorëve të njësive që të mos lejojnë manipulime në këtë proces dhe të mos lejojnë fryrje të numrit sepse, siç e dimë të gjithë, për çdo dëshmi të rrejshme do të ketë ndjekje penale edhe për eprorët, por edhe të vet aplikantët”, ka thënë ai.
Sa i përket përfundimit të këtij proces, Fazliu nuk ka mundur të përmendë ndonjë periudhë kohore, por është shprehur i bindur se ky proces do të rrumbullakohet brenda vitit 2013. “Ashtu siç ka thënë edhe kryetari i komisionit, z. Çeku, qëndrimi ynë është që të mos punohet nën presion të kohës, por të bëhet një punë e cila do të përfundojë njëherë e mirë listat përfundimtare të atyre që kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe luftës së saj. Mendoj se ky proces do të kryhet gjatë viti 2013”, ka thënë Fazliu, duke shtuar se brenda kësaj periudhe do të kryhet edhe amendamentimi i ligjit për vlerat e luftës.
Katër kategoritë e veteranëve
Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, në mbledhjen e fundit i ka rekomanduar Qeverisë propozimet për kategorizim e veteranëve të luftës. Fazliu ka treguar se veteranët do të kategorizohen në katër kategori: Veteran Luftëtar i UÇK-së; i Internuar i UÇK-së; Pjesëtar i UÇK-së dhe kategoria e katërt do të jetë kategori e veçantë. Sipas Fazliut, veteran luftëtar i UÇK-së do të jetë si qytetar i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga komandantët (shtabet e zonave operative të UÇK-së), përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, e i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës. Në kategorinë e dytë (i internuari i UÇK-së) do të jetë secili person i cili, për shkak të veprimtarisë së tij, si pjesëtar i UÇK-së është arrestuar dhe mbajtur në burg nga forcat serbe gjatë periudhës 1997-1999. “Pjesëtar i UÇK-së do të jetë çdo person i cili me vendim apo akt tjetër është caktuar të kryejë detyra konkrete në mbështetje politike, logjistike, financiare dhe detyra të tjera të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999”, ka thënë Fazliu.
Ndërsa në kategorinë e fundit (kategori e veçantë) do të jetë ushtari i cili është radhitur në radhët e UÇK-së, i cili ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive për të kontribuar në luftë, por për arsye të ndryshme i ka lëshuar radhët e UÇK-së para përfundimit të luftës. Sipas këtij kategorizimi, dëshmor i kombit do të jetë luftëtari i UÇK-së që: “Ka rënë në luftë për lirinë e vendit, është plagosur në luftë për lirinë e vendit dhe ka vdekur nga plagët e marra brenda tri (3) viteve pas përfundimit të luftës”. Kurse invalid i luftës së UÇK-së do të jetë luftëtari, pjesëtari dhe i internuari (burgosuri) i UÇK-së, i cili ka pësuar plagë, lëndime (dëmtime) fizike dhe psikike apo sëmundje të rënda gjatë luftës ose në burgjet dhe kampet e armikut gjatë periudhës së luftës, me shkallë të invaliditetit së paku 10 për qind.
Ndër të tjera, Fazliu ka thënë se primare për Qeverinë e Kosovës është të dihet numri i saktë dhe të bëhet kategorizimi i tyre në mënyrë që në bazë të kësaj të amendamentohet edhe ligji për kategoritë e dala nga lufta, sipas të cilit, këto kategori do t`i marrin edhe benificionet që u takojnë. “Pasi të bëhet ky kategorizim, mendoj se të gjitha gjërat do të vijnë në vend, duke iu njohur secilit kontributi që ka dhënë në luftën çlirimtare dhe duke mos i hyrë në hak askujt”, është shprehur Fazliu. /Indeksonline/