1.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Prijësi i ditur, shpëtim për xhematin – Justinian Topulli

Më të lexuarat

 

Nga prijësi i besimtarëve, Umer ibn Hatab (radijAllahu anhu) përcillet se ka thënë:
“Përnjëmend nuk ka Islam pa xhemat, dhe nuk ka xhemat pa udhëheqësi, dhe nuk ka udhëheqësi pa bindje. Atë që populli i tij e vë në krye për dijen e tij, kjo do t’i japë atij dhe popullit jetë, dhe atë që populli i tij e vë në krye dhe ai nuk ka dije, kjo do të jetë shkatërrim për të dhe për popullin.” (Sunen i Darimiut, nr. 257; Xhamiu Bejan el-ilm ue fadlihi, nr. 326.)

Fjala dije e përdorur këtu, në arabisht është fikh, që është më specifike sesa dija, ajo nuk nënkupton thjesht njohjen e fesë, apo specifikisht atë të dispozitave të së drejtës islame, me të cilën emërtohet edhe kjo dije, por në radhë të parë, në kuptimin e saj gjuhësor, me të cilin e përdornin edhe më së shumti sahabët, do të thotë njohja e diçkaje dhe të kuptuarit e thellë të saj. Kështu që Umeri në këtë thënie të tij flet për një njeri të ditur dhe të zgjuar, të cilin populli e vendos si të parin e tij, pikërisht për këtë cilësi të tij. Si rezultat i këtij veprimi të tyre, ai dhe ata do të kenë një jetë të begatë dhe mbarësi, e do të mbijetojnë si popull në tallazet e jetës. Ndërsa e kundërta, pra kur në krye të tyre ata do të vendosin një njeri të paditur, apo mediokër, që nuk e zotëron cilësinë e mësipërme, kjo do të jetë me pasoja shkatërrimtare, si për vetë prijësin, ashtu edhe për ata që ai udhëheq.

E gjitha kjo, ka lidhje me faktin se njerëzit përgjithësisht dhe bashkësitë njerëzore nuk jetojnë dot pa prijës, pa dikë që t’i udhëheqë në jetën e kësaj bote, ndaj është e domosdoshme dhe e natyrshme që ata t’i binden këtij njeriu. Pra, se nevoja për prijës dhe udhëheqësi është jetike për njerëzit, dhe pa këtë institucion nuk mund të ketë bashkësi njerëzore dhe fetare, e as islame. Në thelb, kjo thënie e Umerit tregon se Islami nuk mund të mbijetojë pa një bashkësi njerëzish, dhe bashkësia islame e besimtarëve nuk mundet të mbijetojë pa pasur një udhëheqës, dhe udhëheqja nuk funksionon nëse njerëzit nuk i binden asaj. Por jo vetëm bindja ndaj të parit është kriteri i vetëm i mbijetesës së bashkësisë islame, por është e domosdoshme që edhe i pari që vihet në krye, të jetë njeri i ditur, i mençur dhe i zgjuar, i tillë që di mirë ta udhëheqë bashkësinë e tij, përndryshe, nëse nuk është i tillë, bindja ndaj tij do të jetë me pasoja shkatërrimtare për të gjithë bashkësinë dhe vetë kreun e saj.

 

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit