Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ndau me publikun një nga fotot e para me ngjyra të realizuara nga teleskopi hapësinor “James Webb”, i cili është në pronësi të Agjencisë Amerikane të Hapësirës (NASA).
Në një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët e NASA-s informuan Biden-in për fotografinë e parë të bërë nga teleskopi duke vëzhguar në thellësi të hapësirës.
Biden theksoi se shkëmbimi i fotografive dhe të dhënave të NASA-s do të jenë të natyrës historike.
“Këto foto do t’i tregojnë gjithë botës se Amerika mund të bëjë gjëra të mëdha dhe veçanërisht do t’u kujtojë fëmijëve amerikanë se asgjë nuk është përtej aftësive tona”, tha Biden, duke shtuar se ky është një tregues i fuqisë së SHBA-së.
Pas fjalimit të presidentit Biden, publikut iu prezantuan fotografi të galaktikave që nuk ishin parë asnjëherë më parë nga syri i njeriut. Fotografia në fjalë është fotografia më e thellë dhe më e qartë e galaktikave në univers të realizuar ndonjëherë.
Pas prezantimit të kësaj fotografie, iu drejtua të pranishmëve edhe drejtori i NASA-s, Bill Nelson.
“E dini, 100 vjet më parë kemi besuar se ekzistonte vetëm një galaktikë, dhe tani e dimë se ka miliarda galaktika dhe diell”, tha Nelson.
Duke u shprehur se teleskopi në fjalë po përpiqet të arrijë sekretet 13 miliardë vjeçare të universit, Nelson tha se teleskopi “James Webb”, me ndihmën e studimeve kimike që do të kryejë në këto planetë, do të përpiqet të përcaktojë nëse ka jetë në to.
Gjatë ditës, NASA do të ndajë më shumë foto dhe të dhëna nga teleskopi hapësinor James Webb./aa/