Nëse miratohet projektligji për pagat e funksionarëve publikë, atëherë anëtarët e ekzekutivit do të kenë paga shumëfish më të mëdha sesa deputetët.
Qeveria e ka paraparë që edhe drejtuesit e agjencive të ndryshme të kenë paga më të mëdha.
Me ligjin e ri për pagat e funksionarëve publikë që është miratuar nga Qeveria, deputetëve Kosovarë paga nuk do t’iu rritet për asnjë cent, ndërkaq gjashtëmbëdhjetë kategori të tjera do të kenë paga më të larta sesa përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.
Nëse ky projektligj, i cili nuk e ka përcaktuar vlerën e asnjë page, por vetëm atë të koeficientit dhe i cili tashmë ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, do ta marrë “bekimin” e deputetëve, atëherë, siç shkruan “Zëri” më së shumti do të përfitojë presidentja e vendit që do ta ketë pagën më të madhe në vend, përkatësisht koeficientin 15.
Presidenti do të pasohet nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, të cilët do ta kenë koeficientin 12.5, nënkryetarët e kuvendit dhe zëvendësministrat do të kenë pagë të barabartë, me koeficientin 10.7, ndërsa pak më ‘dobët’, do të jenë ministrat, për të cilët është paraparë paga me koeficientin 9.5.kohaislame