1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Presidentja kroate mohon deklaratat për ndikimin terrorist në Bosnje

Më të lexuarat

Presidentja e Krocisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, mohoi se ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina është shtet i paqëndrueshëm nën kontrollin e islamit militant.

Gazeta izraelite, Jerusalem Post, ka raportuar se Grabar Kitaroviq, e cila po viziton Izraelin ka thënë se Bosnja dhe Hercegovina “është shumë e paqëndrueshme dhe se në disa aspekte e kanë marrë përsipër njerëz të lidhur me Iranin dhe organizata terroriste”.

Po ashtu sipas Jerusalem Post, Grabar Kitaroviq ka deklaruar se Bosnja “është nën kontrollin e islamit militant, i cili është dominues në përcaktimin e qëndrimeve”.

E pyetur nga gazetarët nëse këto deklarata janë të vërteta, Grabar Kitaroviq u përgjigj: “Absolutisht jo”.

Ajo ka thënë t’iu ketë shprehur autoriteteve izraelite dëshirën e saj për ta parë Bosnjën dhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësuara në Bashkimin Evropian.

“Nuk kam dhënë intervista dhe nuk u kam dhënë deklarata gazetarëve përveç dy konferencave për shtyp”, tha presidentja kroate.

E pyetur të komentojë reagimet e ashpra të Bosnjës pas tekstit në Jerusalem Post, Grabar Kitaroviq tha: “Këto janë komente mbi komentet e një gazetareje. Po e përsëris, nuk e kam thënë atë”. Më herët anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Zhelko Komshiq, tha se Grabar Kitaroviq po vazhdon “aktivitetet propaganduese në dëm të Bosnjës, duke paraqitur gënjeshtra brutale”.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, kjo nuk është hera e parë që Grabar Kitaroviq ka bërë vlerësime të ngjashme gjatë paraqitjeve publike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit