Presidenti i Venezuelas, Nicolas Maduro, ka thënë se i ka shpëtuar një tentimi për vrasje me anë të një droni që barte eksploziv.
Maduro ishte duke folur në një ngjarje ushtarake në Caracas kur u krye sulmi i pretenduar ndaj tij, shkruan BBC.
Pamjet kanë treguar se si gjatë fjalimit ai ka shikuar papritur lart – i trembur – dhe ushtarë që po iknin. Maduro ka fajësuar Kolumbinë për sulmin, diçka e mohuar nga Bogota duke quajtur akuzat si të pabaza.
Shtatë ushtarë kanë mbetur të lënduar dhe disa veta ishin arrestuar më vonë, kanë njoftuar autoritetet e Venezuelas. Dy dronë të ngarkuar me eksploziv u afruan aty ku presidenti po qëndronte, ka thënë ministri i Komunikimit, Jorge Rodriguez.
“Një objekt fluturues plasi afër meje, një eksplodim i fuqishëm. Disa sekonda më pas ndodhi edhe shpërthimi i dytë”, ka thënë Maduro.
Në videon e mëposhtme mund të shihni se si truprojat reaguan për të mbrojtur presidentin gjatë sulmit: