Tomislav Nikoliq, do të inaugurohet sot si presidenti i ri i Serbisë.
Mirëpo, ceremoninë e inagurimit të tij e kanë bojkotuar shumë nga presidentët e vendeve fqinje të Serbisë dhe ata të rajonit.
Ndërkohë, në këtë ceremoni është konfirmuar vetëm prania e presidentit malazez, Filip Vujanoviq dhe atij të Republika Serbe e Bosnjes, Milorad Dodiq.
Në ceremoni pritet edhe pjesëmarrja e eurokomisionerit për zgjerim në BE, Stefan Fyle, i cili paraprakisht do të ketë një takim me presidentin e ri serb.
Në ceremoni nuk do të jetë edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, kabineti i të cilit nuk ka qartësuar mungesën në Beograd. Por, Ivanov gjatë kësaj jave pritet të qëndrojë në Beograd në një konferencë ndërkombëtare, ku është parashikuar edhe takimi me Nikoliqin.
Ky i fundit konsiderohet si një politikan ultranacionalist, i cili me deklarimet e para publike duke komentuar masakrën e Srebrenicës, ka irrituar dhe shfaqur reagime nga Sarajeva dhe Zagrebi.
Nikoliq ka theksuar se në Srebrenicë nuk ka pasur genocid, por vetëm krime kundër civilëve të bëra nga disa kriminelë serb./Indeksonline/kohaislame