Pjesëtarët e xhandarmerisë së Serbisë sot herët në mëngjes e kanë larguar përmendoren e luftëtarëve të rënë të UÇPBM-së, para Kuvendit të Komunës në Preshevë.
Afro 150 pjesëtarë të xhandarmerisë, pak para orës 7 të mëngjesit, e kanë rrethuar sheshin në qendër të qytetit, ku gjendej përmendorja, e kanë mbuluar me një thes të bardhë të plastikës dhe e kanë ngarkuar në kamion, i cili i përcjellur nga 20 makina të policisë, është larguar nga Presheva.
Gjatë këtij operacioni ishte i pranishëm edhe komandanti i xhandarmerisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili nuk ka dashur të prononcohet për media.
Nga ana tjetër, në njoftimin e qeverisë së Serbisë, theksohet se “përmendorja e ngritur në mënyrë ilegale”, sot është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente.