1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Prekja e veshëve gjatë tekbirit fillestar?

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum! Desha të pyes në lidhje me një hadith që e transmeton Abdullah Ibën Mesudi, në të cilin tregon se e ka parë të Dërguarin, salallahu alejhi ve selem, duke i ngritur duart te veshët në fillim të namazit dhe se këtë nuk e ka përsëritur më. A është ky hadith i saktë dhe a citohet në hadith se i ka prekur veshët apo vetëm i ka çuar deri te veshët?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Së pari:

Hadithi për të cilin juve pyesni është një hadith i njohur dhe shënohet nga disa dijetarë të hadithit në koleksionet e tyre.

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “A dëshironi t’ua fal namazin e Resulullahit (salallahu alejhi ue selem). Ai ua fali atyre dhe nuk i ngriti duart vetëm se herën e parë (në tekbirin filestar)”.

Hadithin e shënon: Ebu Davudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu në “Sunenet” e tyre. Pastaj Imam Ahmedi në “Musned”, Tahaviu në “Sherh Meanil Athar”, Ibën Abdul Berri në “Temhid” dhe të tjerë.

Ndërsa, për sa i përket gjykimit të dijetarëve të hadithit, themi se atë e kanë cilësuar të saktë ose hasen këta dijetarë:

– Imam Tahaviu e cilëson të saktë[1].

– Tirmidhiu e ka bërë hasen (të mirë) në “Sunenin” e tij.

– Ibën Hazmi thotë se është i vërtetë.

– Zejleiu në “Nasbur Raje” e përzgjedh se është i saktë.[2]

– Nga dijetarët bashkëkohorë Ahmed Shakir e bënë hadithin të saktë[3].

– Gjithashtu edhe Muhamed Nasirudin Albani e cilëson hadithin të saktë gjatë vlerësimeve të tij në librat: “Sunen Ebi Davud”, “Sunen Tirmidhi”, “Sunen Nesai” dhe “Mishkatul Mesabih”.

Të gjithë muhadithinët e tjerë, përveç këtyre që i përmendëm e konsiderojnë këtë hadith të dobët dhe nuk preferojnë të punuarit me të. Ata janë të shumtë, megjithëate ne po i përmendim disa:

Transmeton Bejhikiu se Abdullah ibën Mubareku ka thënë: “Hadithi i Ibën Mesudit tek unë nuk është i vërtetuar.”
Buhariu e bënë të dobët hadithin dhe tregon në librin e tij “Reful jedejni fi salat” se atë e kanë cilësuar si të dobtë Ahmed ibën Hanbeli, Jahja ibën Ademi.
Gjihashtu atë e bëjnë të dobët Darekutni, Ibën Hibani, Bejhakiu, Ebu Daudi, Ibën Abdulberri, Ibën Ebi Hatim, Ibën Kajimi dhe të tjerë.

Pa u zgjeruar më shumë në këtë pikë themi se është diskutabile vërtetësia e këtij hadithi, megjithatë një numër mjaft i madh i juristëve islam e kanë pranuar si të vërtetuar këtë hadith dhe kanë punuar me të, sikurse dijetarët e medhhebit Hanefi dhe disa nga dijetarët Maliki. Sidoqoftë për mendimet e fukahave në lidhje me këtë mesele, kemi folur më gjerësisht në temën. “A duhen të ngrihen duart gjatë tekbireve në namaz”. Kliko: http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=483

Së dyti:

Në këtë hadith nuk përmendet çështja e ngritjes së duarve deri te veshët, mirëpo kjo përmendet në disa hadithe tjera, ndër to është hadithi që e shënon Ebu Davudi në të cilin sahabiu Vail Ibën Huxhur tregon se e ka parë të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, duke i ngritur dy gishtat e mëdhenj deri te llapat e veshëve në namaz.[4]

Ekzistojnë edhe hadithe tjera të cilat e vërtetojnë këtë, mirëpo atë që duhet ta theksojmë në këtë problematikë është fakti se nuk ka ndonjë hadith në të cilin ceket se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, i ka prekur veshët gjatë tekbirit fillestarë.

Ndërsa qëndrimi i hanefive se rekomandohet prekja e veshëve nuk ka mbështetje në thëniet e Imam Ebu Hanifes apo nxënësve të tij, mirëpo këtë e kanë thënë disa dijetarë hanefi të mëvonshëm. Vërtetohet se i pari që ka thënë këtë është dijetari i njohur hanefi Kadi Han Hasen Mensur Buhari (vdiq 592 h).

Shejh Ahmed Ismail et Tahtavi el Hanefi (vdiq 1231 h), në librin “Hashije Ala Merakil Felah, Sherh Nuril Idah”, vëll. I, f. 186, ka thënë: “Prekja e llapave të veshit, nuk përmendet në përdorimet (elaborimet) e fukahave, përveç nga Kadi Hani dhe në librin: “Edh Dhehirijeh”[5], ashtu si përmendet nga Kuhustani[6].”.

Ndërsa dijetari hanefit Seharenfuri ka thënë: “Për sa i përket asaj që kanë thënë Hanefitë për ti prekur llapat e veshëve, kjo nuk gjendet në librat që përcjellin transmetimet- dhahiru rivaje, (thëniet të Imam Ebu Hanifes dhe nxënësve të tij), por hanefitë e mëvonshëm e përmendin këtë në librat e tyre”[7]

Shumica e dijetarëve Hanefi të cilët kanë ardhur më vonë, e kanë përmbajtur këtë qëndrim, derisa ky është bërë mendimi më i njohur në medhhebin Hanefi. Ibën Nuxhejmi dhe të tjerët theksojnë se arsyeja pse ata dijetarë hanefi kanë thënë se rekomandohet prekja e veshëve është që të sigurohemi se duart janë ngritur deri te veshët. Me një fjalë ata komentuan fjalën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, “…deri te veshët…”, se është për qëllim prekja.

Sidoqoftë është temë diskutimi kjo çështje te fukahatë në përgjithësi, por gjithashtu debati është prezent edhe në mesin e dijetarëve hanefi; disa nga ata nuk pranojnë se duhet të preken veshët[8] dhe disa të tjerë e thonë se kjo është më e rekomandueshme.[9] Pa përmendur zbërthimet e tyre themi se më e drejta është të kufizohemi në atë që vërtetohet se ka qenë praktikë e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të dhe dijetarëve të hershëm të cilët kanë ardhur pas tyre, megjithëse nuk duhet të vihet në dyshim qëllimi i mirë i atyre që kanë thënë se ato duhet të preken.[10] Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

[1] “Sherh Meanil Athar”, vëll.I, f. 269.

[2] Vëll. I, f. 394.

[3] “Sherh Sunen Tirmidhi”, vëll. II, f. 40.

[4] Shënon Ebu Davudi e të tjerët dhe hadithi është i saktë.

[5] “Fetava edh Dhehirije”, është libër i fetave të hanefive i shkruar nga Dhehirudin Buhari Hanefi, vdiq me 619 h.

[6] Gjithashtu nga dijetarët hanefi vdiq 962 h.

[7] “Bedhlul Mexhhud”, vëll. IV, f. 398.

[8] Nga ata dijetarë Hanefi janë:

– El Leknevi el Hanefi, në librin: “Es Siaje Fi Keshfi ma fi Sherhil Vikaje”, vëll. II, f. 152;

– Tahtaviu në librin: “Hashije Ala Merakil Felah, Sherh Nuril Idah”, vëll. I, f. 186;

– Imam Ibrahim Muhamed Halebi Hanefi në librin: “Mexhmeul Enhur fi Sherh Multekel Ebhur”, f. 96; etj.

[9] Shumica e dijetarëve të mëvonshëm.

[10] Për më gjerësisht shih librin: “Hukmu Mesi Shahmetej el Udhunejn Inde Refil Jedejn mea Tekbiretil Ihram- Dirasetun Fikhije Hadithije”, Abdurrahman bin Fehd Vedan.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit