2.3 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Prej dilemës në besim

Më të lexuarat

nga Enkelejda Avxhiu

Çdo mëngjes ngrihesha me mendimin se do të shkoja të këndoja, ku kanto ishte ëndrra e vetme që më bënte të ndihesha disi e qetë dhe e shpenguar.
Pa pasur përpara partiturën e muzikës klasike dhe pa qënë pjesë integrale e operave botërore më në zë, jeta ime ishte asokohe e pakuptimtë. Në krahun tim të majtë qëndronte gjithnja kolegia ime e dashur. Kaloja me të çdo moment të jetës mondane, dhe, të them të vërtetën ndihesha deri diku e vlerësuar dhe e kënaqur. Them deri diku, pasi me të përjetoja një pjesë të jetës akademike, që, ashtu si në çdo fushë të jetës, njihte dështim në karierë, dashuri, depresionin, drogat e lehta, madje deri edhe tentativat për vetvrasje. Në fund të fundit, edhe njerëz me famë botërore si Rosini, Belini, Niçe, Bethoven, Moxart, Frojdi apo shumë e shumë të tjerë, megjithëse individualitete të spikatura në zhanret e tyre, nga zhgënjimi dhe depresioni kanë ndërruar jetë. Ishin këto ditët e dimërimit të jetës sime akademike, por…një ditë e bukur pranvere do të trokiste shpejt tek unë. Në krahun tim të djathtë do vendohej shoqja ime e mirë, me të cilën kurrsesi nuk mund të ligështohesh.
U njoha me të pas një koncerti recital në shkallët e TOB-it, kur gëzimi im dhe i sallës kishte marrë flatra. Më bëri përshtypje se edhe pse qënia e saj ishte dashamirëse në fytyrën imcake dhe bardhoshe iu ravijëzua një buzëqeshje e lehtë, e sinqertë, e ngrohtë, por aspak entuziaste, e ashtu si papritur, buzëqeshja dhe ngazëllimi im m’u duk sikur ndalën hovin. Fillova të kërkoja te vetja pse-në e këtij ndryshimi të gjendjes shpirtërore, por nuk munda ta gjeja dot. Kështu, e hallakatur emocionalisht, u nisa për në shtëpi me dëshirën e shfrenuar që këtë eveniment t’ia përcillja edhe gjyshes sime, e cila për arsye moshe nuk ishte e pranishme në sallë.
Kur mbërrita në shtëpi, fqinjët më njoftuan se gjyshja nuk ndodhej atje, pasi kishte shkuar të darkonte tek xhaxhai im. Kësisoj, disi e mërzitur nga fakti i fundit dhe e sfilitur nga koncerti, u shtriva për të fjetur me mendimin se në ëndërr do shihja gjithshka të bukur nga koncerti. Por ndodhi e kundërta. Në ëndërr pashë vetëm një fytyrë, atë të vajzës imcake me fytyrë të bardhë e me buzëqeshje të sinqertë. Të nesërmen i kërkova të pinim një kafe tek “Artisti” dhe të më tregonte gjithçka që kishte ndjerë ato çaste. Më bëri përshtypje se nuk dëgjova asnjë lloj kritike, por vërejta se ishte e kursyer në lëvdata. Në ditët në vazhdim, takimet tona filluan të shpeshtoheshin dhe të them të drejtën, më ecte muhabeti edhe pse ajo më fliste më shumë për Krijuesin, faljen dhe agjërimin për hir të Tij. Takimet filluan të shpeshtoheshin, e kur ndahesha me të, meditoja momentet e dlira që më falte kjo shoqe e re, ndërkohë që ajo e vjetra më bënte të ndihesha gjithnjë e më shpesh në ankth e limonti. Falja (Namazi) filloi si një gjë shumë e mistershme. Lutesha me ballin në sexhde dhe ndjeja se pasi ngrihesha, isha e çliruar, e aftë për të jetuar pa iu përulur askujt, pa i bërë lavde askujt, por vetëm e vetëm Atij. Kur lutesha për vete ndihesha mirë, por kur fillova të lutesha edhe për të tjerët , atëherë u ndjeva akoma edhe më mirë. Lutesha që shoqet dhe mikeshat të ishin si unë, duke synuar të arrija besimin e vërtetë, atë që të dëshirosh për tjetrin atë që do për vete. Agjërimin e fillova me shumë dashuri e dhimbje për njerëzit e varfër. E teksa kthehesha një ditë barkbosh për në shtëpi, nuhata padashur erën e këndshme të bukës së thekur, e menjëherë ndjeva dhimbje të thellë për ata njerëz që në shumë raste ngrihen e ngrysen barkthatë.
Por jeta akademike vazhdonte. Ambicje, egoizëm, skena e prapaskena të pafundme. Kjo ishte panorama monotone që mbizotëronte atë kohë, por ndjeja se sa më shumë afrohesha me shoqen e re, aq më tepër largohesha nga e vjetra.
Një ditë prej ditësh e pyes shoqen time të re:
-Po ti a di të këndosh, apo kjo është haram?- i thashë jo pa ironi.
-Posi jo moj motër- më tha- edhe unë këndoj, por varet se çfarë dhe ku këndoj. Edhe ti këndo e mëso këngë të cilat nxisin në të mira, largojnë nga të këqijat, urrejnë dhunën, vrasjen, mjerimin dhe çojnë kah paqja, toleranca, dashuria për Krijuesin, atdheun, por jo si ato që bëjnë fjalë për pabesi, urrejtje e vetvrasje.
U ndjeva ngushtë, por njëkohësisht e vlerësova më shumë për atë që më tha në fund: “Këndo siç këndon Ket Stivensi sot dhe jo siç këndonte dje. Ju artistet jeni me të sotmen dhe të djeshmen e quani prapanike, apo jo?” Në vend që të vija vetullat nxora sytë. Logjika e ftohtë, toni i butë, por serioz, më bënë që t’i vija fort gishtin kokës.
Të nesërmen, duke shkuar nxitimthi për në Akademi, u ndesha me shoqen e krahut të majtë, që m’u drejtua me atë vulgaritetin adekuat dhe të pranueshëm të atij ambjenti:
-Duhet të jesh sfaçiato, mos u skuq, ndryshe s’ke për ta përballuar skenën, rolin dhe publikun, e s’mund të jesh prima, debile.
O Zot !Ç’tmerr! Si të bëja? Isha në dilemë. Kjo shoqe dalëngadalë kishte filluar të ndërronte jetë në zemrën time. Këtë gjë e ndjeva për ditë e muaj në radhë. Admirimi që ndjeja dikur, tashmë po shndërrohej në një makth të vërtetë. Por, do të vinte shumë shpejt një ditë që unë do ta abortoja e të shqitesha prej saj.
Po mbushej plot një vit që isha diplomuar. Kthehesha paksa e përlotur nga shtëpia e babait tim, aty pranë Spitalit Onkologjik. Papritmas dëgjova një zë që më thirri nga pas. Ktheva kokën por s’kish frymë njeriu. Në çast e dëgjova sërish atë zë, por kësaj radhe më zbehtë. Ktheva kokën, por përsëri s’kish këmbë njeriu, veç një vegim i zi që gulçonte. E njoha, ishte ajo. Kish ardhur të më kujtonte diçka…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit