Banorët e fshatit Milevc të Bardhoshit, komuna e Prishtinës, që nga viti 1999 nuk janë duke u furnizuar me ujë të pijshëm nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”. Sipas banorëve, përderisa kjo kompani nuk i furnizon me ujë, faturat për pagesë të ujit, ua dërgon rregullisht.
Pas dështimit të kërkesave dhe ankesave të banorëve të fshatit Milevc të Bardhoshit, drejtuar kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, e cila, sipas banorëve, që nga viti 1999 nuk po i furnizon këta banorë me ujë të pijshëm, fshatarët si shpresë të fundit për t’ia qarë hallin e kanë parë KMDLNJ-në.
“Banorët e Milevcit deklarojnë se ekziston mundësia për furnizim me ujë duke bërë një linjë në relacionin Bardhosh-Milevc në gjatësi 200-300 metra dhe se një gjë e tillë është e mundur. Ndonëse KUR ‘Prishtina’ nuk e furnizon Milevcin me ujë, është shumë i rregullt në dërgimin e faturave për shlyerjen e borxheve për ujin e pashfrytëzuar. Si dëshmi kanë lënë në KMDLNj dhjetëra fatura të Kompanisë të Ujësjellësit Rajonal ‘Prishtina’. Kërkesa e banorëve të fshatit Milevc dorëzuar në KMDLNj është nënshkruar nga 92 banorë të këtij fshati”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj-ja gjendjen e banorëve të fshatit e ka cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut, duke ua rrezikuar kështu shëndetin e këtyre banorëve.
“KMDLNj reagon me shqetësim të thellë për këtë shkelje të drejtave të njeriut që u bëhet banorëve të fshatit Milevc duke mos i furnizuar me ujë të pijes nga KUR ‘Prishtina’ duke ua rrezikuar seriozisht shëndetin. KMDLNj fton autoritetet nga komuna e Prishtinës që si përgjegjës për punën e ndërmarrjeve publike të ndërmarr veprime të domosdoshme që të përmirësohet furnizimi me ujë të pijes për banorët e Milevcit”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
Arsyetimin e KUR “Prishtina” se për shkak të kyçjeve ilegale dhe keqpërdorimit të ujit e pësojnë banorët e Milevcit, KMDLNj e sheh si të paqëndrueshëm, për shkak se ky problem ekziston prej vitit 1999.
Sipas tyre, KUR “Prishtina” duhet t’i identifikojë shpërdoruesit e ujit dhe ata që kyçen ilegalisht dhe t’i paraqes në polici si dhe të bëjë ç’ kyçjën e tyre me ndihmën e Policisë së Kosovës.
Furnizimi me ujë me cisterna të Njësisë së Zjarrfikësve, sipas KMDLNj-së, nuk është zgjidhje, sepse kjo është jo e rregullt në ndërkohë që banorët e Milevcit ankohen në cilësinë e ujit.
Siç shkruan më tej në komunikatë, për gjendjen e krijuar Komuna e Prishtinës e bën përgjegjëse KUR “Prishtina”, e cila është në përgjegjëse për furnizim me ujë të pijes dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues.
“Nga Drejtoria e Infrastrukturës Lokale të komunës së Prishtinë më 10.07.2012 me pikën referente 06352-17063 në kërkesën e banorëve të fshatit Milevc për zgjerimin e rrjetit të tubave të ujësjellësit kanë marrë përgjigje se në bazë të Rregullores nr.2004/49 mbi Veprimtaritë e Ofertuesve të Shërbimeve të Ujësjellësve të datës 26.11.04 Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’ është përgjegjëse për furnizim me ujë të pijes dhe zgjerim të rrjetit ekzistues dhe se nëse KUR ‘Prishtina’ e bënë zgjedhjen me furnizim me ujë të pijes në Milevc, Drejtoria e Infrastrukturës Lokale obligohet që të siguron Aktvendimin mbi shtrirjen e tubave në përputhje me Ligjin për Ndërtimin nr.2004/15 të Kuvendit të Kosovës dhe nenit 19 të Statutit të Komunës së Prishtinës”, shkruan ndër të tjera në komunikatën e KMDLNj-së.
Përkundër ankesave që kanë banorët, KMDLNj fton banorët e Milevcit që t’i shlyejnë borxhet ndaj KUR “Prishtina” për kohën sa janë furnizuar me ujë.kohaislame