1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Pozita e Sunetit në Islam

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve, ardhmëria u takon të devotshmëve, kurse armiqësia mizorëve. Salavatet, përshëndetjet qofshin mbi atë të cilin Allahu e dërgoi mëshirë për tërë botën, mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin alejhi selam, familjen dhe mbarë shokët e tij.
Prej dhuntive të Allahut xh.sh. mbi robin e Tij është që t’i mundësojë atij mësimin dhe praktikimin e fjalëve të Tij dhe të të Dërguarit të Tij alejhi selam. Jemi krenarë dhe shumë të lumtur që Allahu na mundësoi që t’i shkoqisim disa nga shkëndijat profetike të Muhamedit alejhi selam. Të jetosh nën hijen e Sunetit të Muhamedit alejhi selam është nder i veçantë, prandaj si të tillë e lusim Allahun xh.sh. që të na bëjë të sinqertë në fjalë dhe vepra si dhe të na japë sukses në rrugën e thirrjes nën hijen e Sunetit dhe të na ringjallë nën flamurin e Profetëve të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të gjithë ata!

Pozita e Sunetit në Islam, vlera dhe rëndësia e praktikimit të tij si dhe nxitja e mësimit të tij në saje të Kuranit dhe Sunetit

عن عرباض بن ساربة رضب الله عنه قال:وعظنا رسول الله صاي الله عليه و سلم موعظة وجلت منها القلوب, و ذرفت منها العيونو فقلنا : يا رسول الله كأنها موعظة مودع فاوصنا, قال: أوصيكم بقوى الله و السمع و الطاعة و إن تأمر عليكم عبد, فإنه من يعش منكم بعدي فسيرى اختلافا كثيرا, فعليكم بسنتي و سنة الخلفاء الراشدين المهديين, عضوا عليها بالنواجذ, و إياكم و محدثات الأمور فإن كل بدعة ضلالة.
رواه أبو داود و الترمذي و قال : حديث حسن صحيح.

Irbad Ibën Sarije, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Na ka këshilluar i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, me këshillë nga e cila zemrat janë frikësuar dhe sytë janë përlotur. Atëherë thamë: “O i Dërguar i Allahut, sikur të ishte këshillë lamtumirëse, prandaj na porosit.” Tha: “Ju porosis për frikërespekt ndaj Allahut, për dëgjueshmëri dhe nënshtrim ndaj udhëheqësit, edhe sikur ai të ishte rob. Vërtet gjatë jetës suaj do të përjetoni shumë divergjenca. Ju jeni të obliguar që të kapeni pas Sunetit tim dhe sunetit të sundimtarëve të drejtë e të udhëzuar. Kapeni atë me dhëmballët tuaja. Ruajuni prej risive, sepse çdo risi është lajthitje.” (Transmeton Ebu Davudi dhe Termidhiu dhe ka thënë se është hadith i mirë, i vërtetë)

Një: Argumente nga Kurani

Thotë Allahu në Kuran duke ilustruar vlerën dhe rëndësinë e dërgimit të Muhamedit alejhi selam:

و انزلنا إليك الذكر لتبين للناس ما نزل إليهم و لعلهم يتفكرون . النحل 44

“Ty ta zbritëm Kuranin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kuranin).” (En-Nahl, 44)
Gjithashtu na njofton Allahu xh.sh. se dërgimi i tij alejhi selam është dhunti për ne nga vetë Allahu xh.sh.:

لقد من الله علي المؤمنين إذ بعث فيهم رسولا من أنفسهم يتلوا عليهم ءاياته و يزكيهم و يعلمهم الكتاب و الحكمة وإن كانوا من قبل لفي ضلال مبين . آل عمران 164

“Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta dërgoi të Dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kuranin dhe Sunetin, edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Ali Imran, 164)
Thotë Allahu xh.sh. në Kuran duke i urdhëruar robërit e Tij që t’i nënshtrohen urdhrit profetik si dhe ta pasojnë rrugën e tij:

ياأيها الذين آمنوا إستجبوا لله و للرسول إذا دعاكم لما يحييكم واعلموا أن الله يحول بين المرء و قلبه وأنه إليه تحشرون. الأنفال 24

“O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) Allahut dhe të të Dërguarit kur ai (i Dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë (për fenë e drejtë) dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij dhe se ju do të tuboheni te Ai.” (Enfal, 24)
Për shkak të vlerës dhe pozitës profetike të Muhamedit alejhi selam tek Allahu i Lartësuar, e ka krahasuar Allahu xh.sh. nënshtrimin ndaj Tij me nënshtrimin ndaj Muhamedit alejhi selam. Thotë Allahu në Kuranin Fisnik:

و من يطع الرسول فقد أطاع الله .النساء 80

“Kush i nënshtrohet Pejgamberit, ai i është nënshtruar Allahut.”(En-Nisaë, 80). E ka bërë Allahu dashurinë ndaj Tij kusht të pasimit të rrugës profetike të Muhamedit alejhi selam. Lidhur me këtë na njofton Allahu në Kuran:

قل إنكنتم تحبون الله فاتبعوني يحببكم الله و يغفر لكم ذنوبكم والله غفور رحيم . آل عمران 31

“Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” (Ali Imran, 31)
Ka obliguar Allahu xh.sh. që të gjykohemi pranë ligjit profetik dhe ka sinjalizuar se kundërshtimi i tij është mosbesim, siç është thënë në Kuran:

فلا و ربك لا يؤمنون حتي يحكموك فيما شجر بينهم ثم لا يجدوا في أنفسهم حرجا مما قضيت و يسلموا تسليما . النساء 65

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos të të zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”(En-Nisaë, 65). Gjithashtu në kaptinën Ali Imran, citati 32, thotë:

قل اطيعوا الله و الرسول فإن تولو فإن الله لا يحب الكافرين .آل عمران 32

“Thuaj: “Binduni Allahut dhe të Dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë All-llahu nuk i do jobesimtarët.” Ndërsa besimtarëve në veçanti ua ndalon kundërshtimin e gjykimit pranë tij, siç thotë në Kuran:

و ما كان لمؤمن و لا مؤمنة إذا قضي الله و رسوله أمرا أن يكون لهم الخيرة من أمرهم و من يعص الله و رسوله فقد ضل ضلالا مبينا. الأحزاب 36

“Kur Allahu ka vendosur për një çështje ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër. E kush kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (El-Ahzab, 36)
Ndërsa atyre që kundërshtojnë urdhrin e tij ua tërheq vërejtjen duke u thënë:

فليحذر الذين يخالفون عن أمره ان تصيبهم فتنة أو يصيبهم عذاب أليم. النور 63

“Le të ruhen, të jenë të kujdesshëm, ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të Dërguarit), se ata do t’i zërë ndonjë telash, ose do t’i godasë dënimi i hidhët.” (En-Nur, 63)


Dy: Argumentet nga Suneti i Pejgamberit alejhi selam që flasin mbi vlerën e Sunetit dhe rëndësinë e të vepruarit me të

عن عمرو بن عوف عن أبيه عن جده أن رسول الله صلي الله عليه و سلم قال : تركت فيكم أمرين لن تضلوا ما تمسكتم بهما كتاب الله وسنتي . رواه الحاكم و البيهقي

“Transmeton Amr b Shuajbi, nga babai i tij, nga gjyshi i tij, se ka thënë Pejgamberi alejhi selam: “Ju kam lënë juve dy porosi, nëse u përmbaheni asnjëherë nuk do të devijoni: librin e Allahut dhe Sunetin (fjalët, veprat)tim.” (Hakimi dhe Bejhakiu)
Ky hadith është thënë në haxhin e lamtumirës së Pejgamberit alejhi selam, ku i drejtohet me këto fjalë umetit të tij, duke e inkurajuar për vepra të mira si dhe i porosit që të jenë të përkushtuar ndaj këtyre dy porosive, përmbajtjes ndaj Kuranit dhe Sunetit të Muhamedit alejhi selam.

عن أبي هريرة رضي الله عنه عن النبي صلي الله عليه و سلم فال: كل أمتي يدخلون الجنة إلا من أبي , قالوا يا رسول الله و من يابي ؟ قال : من أطاعني دخل الجنة و من عصاني فقد أبي”. أخرجه البخاري و الحاكم .

“Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Pejgamberi alejhi selam, i cili ka thënë: “I tërë umeti im do të hyjë në xhenet, përveç atij që nuk do.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, kush janë ata që nuk duan të hyjnë?” Tha: “Kush më respekton mua, ai do të hyjë në xhenet, ndërsa kush më kundërshton mua, ai nuk do.” (Buhariu dhe Hakimi)
Allahu xh.sh. ka kushtëzuar hyrjen në xhenet me përmbajtjen ndaj rrugës së Pejgamberit alejhi selam dhe aplikimit të saj, prandaj duhet ditur që s’mund të fitohet kënaqësia e Allahut e as xheneti i Tij duke mos iu përmbajtur urdhrave, këshillave dhe veprave të Muhamedit alejhi selam.

عن عرباض بن سارية رضي اله عنه قال: صلى بنا رسول الله صلى الله عليه و سلم صلاة الصبح فوعظنا موعظة بليغة وجلت منها القلوب و ذرفت منها العيون,فقلنا: يا رسول الله كأنها موعظة
مودع فأوصنا. قال:أوصيكم بتقوى الله و السمع و الطاعة و إن تأمر عليكم عبد( حبشي) , و إنه
من يعش منكم فسيرى إختلافا كثيرا .فعليكم بسنتي و سنة الخلفاء الراشدين المهديين , عضوا عليها بالنواجذ , و إياكم و محدثات الأمور فإن كل بدعة ضلالة.أخرجه ابو داود و الترمذي , و قال :حديث حسن صحيح.

“Transmeton Irbad b Sarijete, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: “Na fali neve namazin e sabahut Pejgamberi alejhi selam e më pas na mbajti një këshillë të qartë. Na u rrëqethën zemrat dhe rrodhën lotët: I thamë: “O i Dërguar i Allahut, sikur kjo është këshilla jote e fundit, prandaj na porosit.” Tha: “Ju porosis me frikërespekt ndaj Allahut, të jeni të dëgjueshëm dhe të nënshtruar edhe po që se ju udhëheq ndonjë skllav (etiopas). Kush do jetojë nga ju, do të shohë ndarje të shumta, prandaj ju porosis që t’i përmbaheni Sunetit tim, Sunetit të sundimtarëve të drejtë e të udhëzuar, kapeni atë (Sunetin) fort me dhëmballë. Kujdes nga besëtytnitë, se çdo risi është lajthitje.” (Ebu Davudi, Termidhiu dhe thotë se hadithi është i mirë, i vërtetë)
Nga shkëndijat e këtij hadithi, që mund t’i shkëpusim, është edhe kjo, se jemi paralajmëruar se do të ketë ndarje të shumta e të ndryshme në umetin e Muhamedit alejhi selam. Që të gjithë mundohen të argumentojnë se e vërteta është me ta, mirëpo ekziston vetëm një e vërtetë. Ata të cilët i përmbahen rrugës profetike me përpikëri janë afër së vërtetës.
Në anën tjetër, nuk ka shpëtim nga sfidat dhe sprovat e kësaj bote pa e ndjekur me përpikëri rrugën e Muhamedit alejhi selam. Këtë e vërteton edhe pjesa vijuese e këtij hadithi, ku Pejgamberi alejhi selam na porosit që fjalët dhe veprat e tij t’i kapim fuqishëm. Dijetarët islamë lidhur me këtë pohojnë se një terminologji e tillë aludon se përkushtimi ynë ndaj Sunetit duhet të jetë më i madh se për çdo gjë tjetër.
Gjithashtu kapja jonë pas Sunetit na ruan nga pasimi i risive. Ata që ruhen nga risitë veç janë të ruajtur nga lajthitjet dhe ai që është i ruajtur nga lajthitjet i është ruajtur zjarrit të xhehenemit (Allahu na mbrojttë ne dhe ju nga ai!). Pikërisht për këtë dhe shokët e Pejgamberit alejhi selam ishin shumë inkurajues që ta përcillnin dhe ruanin Sunetin e Pejgamberit alejhi selam me besnikëri, ngase këtë e kishin amanet nga ai, siç është transmetuar në hadithin të cilin e ka nxjerrë Ibën Hibani, Ebu Davudi,Termidhiu, Nesaiu, Bejhakiu, ku Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

رحم الله إمرأ سمع مقالتي فأداها كما سمعها.

“Allahu e mëshiron një njeri i cili e dëgjon thënien time dhe e përcjell ashtu siç e dëgjon.”
Në përfundim të kësaj hyrjeje desha t’ju përkujtoj edhe një hadith të
Pejgamberit alejhi selam:

عن جابر رضى الله يقول, جائت ملئكة إلي النبى صلى الله عليه و سلم و هو نائم , فقال بعضهم إنه نائم , و قال بعضهم إن العين نائمة و القلب يقظان و قالوا : إن لصاحبكم هذا مثلا فضربوا له مثلا و قالوا : مثله كمثل رجل بنى دارا و جعل فيها مأدبة و بعث داعيا فمن أجاب الداعى دخل الدار و أكل من المأدبة و من لم يجب الداعى لم يدخل الدار و لم يأكل من المأدبة . فقالوا اولوها له يفقهها قالوا : أما الدار الجنة و الداعي محمد صلى الله عليه و سلم فمن اطاعى محمدا فقد أطاع الله و من عصى محمدا فقد عصى الله . أخرجه البخاري

“Transmeton Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: “Kanë ardhur tek i Dërguari alejhi selam disa melekë derisa ai po flinte. Disa prej tyre thanë se ai është në gjumë, disa të tjerë thanë: “Sytë e tij pushojnë, por zemra e tij është e zgjuar.” Dhe thanë: “Për këtë shokun tuaj kemi një rrëfim. Silleni atë rrëfim: “Shembulli i tij është sikurse shembulli i një njeriu i cili ka ndërtuar një shtëpi dhe në të ka përgatitur ushqim, pastaj ka dërguar një thirrës që t’i grumbullojë njerëzit. Kush i përgjigjet thirrësit, hyn në shtëpi dhe ha nga ai ushqim e kush nuk i përgjigjet atij, nuk mund të hyjë në shtëpi e as të hajë nga ai ushqim.” Pastaj melekët thanë: “Komentojeni rrëfimin që ta kuptojë.” Thanë: “Shtëpia ka për qëllim xhenetin, kurse thirrësi është Muhamedi alejhi selam, kush e respekton Muhamedin, ka respektuar Allahun dhe kush kundërshton Muhamedin, ka kundërshtuar Allahun.” (Buhariu)

Lusim Allahun që të na mundësojë mësimin dhe praktikimin e Sunetit të Muhamedit alejhi selam, të vdesim duke iu përmbajtur atij si dhe të na ringjallë nën flamurin e tij alejhi selam! Amin!
Sadat Rrustemi
8.2.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit