3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Pozicioni i gjumit që rrit rrezikun e vdekjes foshnjore: Këto janë rekomandimet e Akademisë Amerikane të Pediatrisë për çdo prind

Më të lexuarat

Kur doni që ta vini foshnjën në gjumë, madje edhe kur dremit, shtrijeni gjithmonë në shpinë. Ky është pozicioni më i sigurt i gjumit, për të ulur rrezikun e sindromës së vdekjes së papritur të foshnjës (SVPF)

Ndonjëherë e quajtur edhe vdekja në gjumë, SVPF-ja është vdekja e papritur dhe e pashpjegueshme e një foshnje nën moshën një vjeç.

Studimet kanë treguar se foshnjat, të cilat vendosen të flenë barkas, kanë më shumë gjasa të ndërrojnë jetë nga SVPF-ja, krahasuar me ato që flenë në shpinë. Por edhe rreziku i foshnjave që flenë anash, është po aq i madh, ndoshta ngaqë nga ky pozicion, mund të kthehen shumë lehtë barkas.

Që prej vitit 1992, kur Akademia Amerikane e Pediatrisë nisi të rekomandonte të fjeturin në shpinë, përqindja e SVPF-ve në Shtetet e Bashkuara ka rënë ndjeshëm.

Nga ky pozicion gjumi bëjnë përjashtim ato foshnja, problemet shëndetësore të së cilave i detyrojnë që të flenë barkas.

Në rast se foshnja juaj ka lindur me një defekt, vjell shpesh pasi ha, ka probleme me frymëmarrjen, mushkëritë ose zemrën, këshillohuni me mjekun pediatër për të mësuar se cili është pozicioni më i mirë i gjumit për të.

Sigurohuni që kushdo që kujdeset për foshnjën, ta dijë që duhet ta shtrijë me shpinë. Këtu mund të përfshihen gjyshërit, infermieret, kujdestaret, miqtë dhe persona të tjerë.

Disa foshnjave nuk para ju pëlqen të flenë me shpinë, por do të mësohen shpejt me këtë pozicion.
Shumë prindër kanë frikë se foshnja e tyre do të mbytet nëse vjell, kur është duke fjetur në shpinë, por mjekët nuk kanë konstatuar se ky pozicion ka lidhje me këtë gjë.

Disa foshnjave që flenë në shpinë, mund t’u shtypet pjesa e pasme e kokës. Në shumicën e rasteve, kjo gjë zhduket pasi fëmija mëson të drejtojë trupin.

Ju mund ta ndihmoni foshnjën të ketë një formë normale të kokës, duke ia ndryshuar shpesh pozicionin në krevat. Në këtë mënyrë, foshnja nuk do të flejë gjithmonë vetëm në një pozicion.

Disa këshilla të tjera që mund të zvogëlojnë rrezikun e SVPF-së:

⦁ Ushqejeni foshnjën me qumësht gjiri. Ndonëse arsyet nuk janë krejtësisht të qarta, ushqyerja me gji mund t’i mbrojë ndaj SVPF-së.

⦁ Visheni foshnjën me një kimono ose vendoseni në thesin e gjumit. Duke vepruar kështu, nuk është e nevojshme ta mbështillni me batanije dhe të shqetësoheni nëse ajo e pengon të marrë frymë.

⦁ Zgjidhini me kujdes shtrojat. Përdorni një dyshek të fortë. Mos përdorni jastëk të fryrë, pasi ai mund ta pengojë foshnjën të marrë frymë, nëse e ngjesh fytyrën pas tij. Për të njëjtën arsye, mos lini në krevatin e foshnjës jastëkë apo lodra prej pelushi.

⦁ Mos pini duhan ose mos e ekspozoni foshnjën ndaj tymit. Foshnjat, nënat e të cilave kanë pirë duhan gjatë shtatzënisë dhe vazhdojnë edhe pas saj, janë trefish më të rrezikuara nga SVPF-ja krahasuar me foshnjat, nënat e të cilave nuk pinë duhan.

⦁ Mbajeni temperaturën në nivel të përshtatshëm. Në rast se foshnja është djersitur në qafë apo fytyrë, do të thotë se ka vapë. /tg

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit