4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Potenciali i industrisë së rëndë

Më të lexuarat

Krijimi i një mjedisi ku industria e rëndë mund të rimëkëmbet, do të rrisë konkurrencën e industrisë në rajon, do të rrisë punësimin dhe do t’i jape shtytje ekonomisë së përgjithshme, vlerësojnë përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

“Ferronikeli”, “Trepça”, “Sharrcemi”, “Llamkosi”, “Fabrika e Tubave”, industria e gomës “Ballkani”, janë vetëm disa kompani, të cilat hyjnë në kategorinë e industrisë së rëndë.

Sipas hulumtimeve të bëra, shfrytëzimi i potencialit të tyre mbetet larg asaj që ato kanë.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku, thotë se Kosova duhet të krijojë politika që bëjnë tërheqje të investimeve të mëdha për industrinë e rëndë.

“Kosova gjatë viteve ‘90 ka kaluar nëpër një proces të de-industrializimit dhe de-investimeve dhe nëse një industri ka pësuar nga ky proces, është industria e rëndë. Tani duhet një politikë që të bëhen investime masive, pasi që nga natyra ato kërkojnë më tepër investime dhe më tepër para, e që fatkeqësisht ne nuk i kemi ato politika”, vlerëson Abdixhiku.
Për të ndihmuar sektorin e industrisë së rëndë, ditë më parë Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë krijuar Komitetin e përbashkët të industrive të rënda.
Qëllimi kryesor i komitetit është që ky sektor të bëhet më konkurrues dhe më produktiv, në zhvillimin ekonomik të vendit, raporton Radio Evropa e lirë.
Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se potenciali i këtyre industrive të rënda duhet të shfrytëzohet.
“Disa prej problemeve, me të cilat përballen kompanitë e industrisë së rëndë janë ato që lidhen me Ligjin për miniera dhe minerale. Ekzistojnë disa kufizime brenda ligjit, i cili nuk lejon zhvillimin e mirëfilltë ose implementimin e projekteve nga fusha e minierave, ekzistojnë edhe disa kufizime”.
“Ekziston një sistem burokratik i sigurimit të lejeve dhe licencave që parashihet të jepen nga agjenci të ndryshme, të cilat shumë shpesh nuk janë të koordinuara me njëra-tjetrën”, thekson Zeka.
Zeka thotë se Ligji për miniera dhe minerale duhet të lejojë sipërfaqe dhe periudhë më të madhe për eksplorim dhe eksploatim.
Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve, sipas Zekës, duhet të shërbejë si “one-stop-shop”, në dhënien e licencave dhe lejeve, si dhe në shpronësime në raste kur një zonë është shpallur si zonë me interes nacional.
Një praktikë e tillë, thekson Zeka, do të ishte në harmoni të plotë me politikat qeveritare për të reduktuar dhe minimizuar burokracinë.
Industria e rëndë në Kosovë, sipas Zekës, krahasuar me atë të rajonit nuk është aspak konkurrente, pasi që, siç thotë ai, vendet e rajonit kanë bërë lehtësira të shumta për këtë sektor.
“Çështje e rëndësishme është se ndërmarrjet e rajonit janë më konkurruese se kompanitë e industrisë së rëndë në Kosovë. Vende e rajonit zbatojnë lehtësira fiskale, mallrat e caktuara të lëndës së parë, të cilat përdoren për industrinë e rëndë, janë të liruara nëpër vendet e rajonit nga detyrimet doganore, derisa kjo ende nuk po ndodh te ne, pavarësisht potencialit që kanë këto industri që duhet të shfrytëzohen”, konsideron Zeka.
Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, thekson se funksionalizimi i industrisë së rëndë nuk do të mund ta zgjidhte problemin thelbësor të qytetarëve të Kosovës, që është papunësia.
“Kosova ka potencial në këtë drejtim, sidomos në fushën e mineraleve, megjithatë në termat e punësimit për Kosovën është shumë e rëndësishmezhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, meqenëse sado që e funksionalizojmë industrinë e rëndë, problemet e papunësisë me fluksin e tanishëm të fuqisë punëtorëve, nuk do të zgjidhen”, thekson Abdixhiku.

Ndryshe, në një hulumtim të bërë nga Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, thuhet se në të kaluarën në strukturën e përgjithshme ekonomike, metalurgjia merrte pjesë me 25.1 për qind, në kuadër të saj, metalurgjia e zezë 13.3 për qind dhe përpunimi i metaleve -17.6 për qind.
“Sado që kjo ishte një strukturë e rëndë, megjithatë, ato kishin ndikim të madh në bilancin tregtar të Kosovës, pasi që në shkëmbim me jashtë metalurgjia e zezë merrte pjesë 8 deri 30 për qind, makinat dhe aparatet elektrike 31 – 28 për qind, përpunimi i kauçukut – goma 4.1 për qind – 6.0 për qind etj”.
“Për më shumë, kjo industri kishte shtrirje në tërë vendin, çka do të thotë se ka pasur ndikim edhe në zhvillimin harmonik të tij”, thuhet në hulumtimin e kësaj organizate.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit