1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Porosia e Profetit që ia dha Muadh ibën Xhebelit para shkuarjes në Jemen

Më të lexuarat

Transmeton Abdullah ibën Abasi se Resulullahi i ka thënë Muadh ibën Xhebelit kur e dërgoi në Jemen (për t’ua mësuar Islamin):

Vërtet, ti do të shkosh te një popull që janë ithtarë të librit ( të krishterë), kur të arrish atje, më së pari thirri të dëshmojnë se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguar i tij. Nëse ata të pasojnë në këtë, atëherë tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse të pasojnë në këtë, atëherë tregoju se Allahu ua ka bërë obligim të japin zekatin, që u merret të pasurve nga ata dhe u shprëndahet të varfërve prej tyre. Nëse të pasojnë në këtë, atëherë ki kujdes në pasurinë e tyre që e konsiderojnë më me vlerë dhe e duan më shumë (gjatë marrjes së zekatit). Ruaju lutjes së atij që i bëhet zullum (padrejtë), për shkak se ndërmjet tij dhe Allahut nuk ka pengesë.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Koment i hadithit

Profeti (salallahu alejhi ue selem) e dërgoi Muadhin në Jemen për t’i thirrur ata në fenë islame pasi që ata ishin të krishterë.

Pasi ia përkujtoi atij se ata janë të krishterë e porositi për gjënë e parë me të cilën duhet të fillojë e ajo është dëshmia islame (shehadeti). Nëse ata pranojnë këtë, atëherë ata kanë pranuar islamin, prandaj e porositi t’i urdhërojë ata me dispozitën kryesore të Islamit që është namazi.

Pastaj e porositi atë t’i urdhërojë të pasurit e tyre me  obligimin e zekatit, që u merret nga pasuria e tyre dhe u shpërndahet të varfërve.

I Dërguar ia tërhek vërejtjen që gjatë marrjes së zekatit mo t’ua marrë gjërat më të dashura tek ata (nga bagëtia etj.), për shkak se shumica e njerëzve janë të lidhur me ta, por t’ua marrë për zekat atë që është e mesme.

Gjithashtu, e përkujton atij që të largohet zullumit për arsye se ajo është e ndaluar në Islam dhe atij që i bëhet padrejtësi, ai do të bëjë lutje tek Allahu dhe Allahu ia pranon lutjen atij.

Mbetet të përmendim këtu edhe atë se në hadith nuk janë përmendur çështje dhe dispoziat islame të tjera, e kjo është për shkak se dispozitat që përmenden në këtë hadith janë ato esenciale dhe kryesore, kurse të tjerat vijnë pas. Gjithashtu, kur njeriu i pranon këto të parat, atëherë për të është lehtë t’i pranojë të tjerat.

Dobitë nga hadithi

  1. Dëshmia është obligim kryesor dhe parësor për njeriun dhe ajo është gjëja e parë në të cilën duhet të ftojmë njerëzit.
  2. Namazi është adhurimi kryesor pas dëshmisë.
  3. Nga hadithi, gjithashtu, kuptojmë obligueshmërinë e zekatit.
  4. Zekat është ajo pjesë e pasurisë që u merret të pasurve dhe u shpërndahet të nevojshmëve.
  5. Zekati nuk lejohet t’u shpërndahet jobesimtarëve të varfër, këtë e kuptojmë nga pjesa e hadithit: “…që u mirret të pasurve nga ata dhe u shpërndahet të varfërve prej tyre…”pra nga thënia “ nga ata” dhe  “prej tyre”.
  6. Zekati, në esencë, duhet t’u shpërndahet të varfërve nga i njejti vend ku merret, mirëpo, siç sqarohet kjo nga dijetarët në librat ku flasin për këtë çështje, lejohet dërgimi në një vend tjetër, nëse ajo është e nevojshme.
  7. Nuk lejohet të nxirret zekati nga ajo pasuri që është më e mira (bagëti apo grurë etj), përveç nëse pajtohet me këtë pronari i tij.
  8. Ndalimi i zullumit (padrejtësisë) dhe lutja e atij që i bëhet zullum është e pranuar tek Allahu.

 

Përgatiti: Alaudin Abazi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit