SEUL (AA) – Me rastin e vizitës së kryeministrit të Turqisë, Binali Yıldırım, kryeministri i Koresë së Jugut Lee Nak-yon tha se “Populli korean nuk do ta harrojë sakrificën e të rinjve turq në luftën e Koresë dhe do ta mbajë atë gjithmonë në zemër, me ndjenjën e mirënjohjes dhe të falënderimit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Lee në drekën e shtruar për nder të kryeministrit të Turqisë, Yıldırım, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Korenë e Jugut, foli për produktivitetin e takimeve bilaterale dhe mes delegacioneve gjatë ditës së sotme.
“Jam i bindur se marrëdhëniet tona me vëllain e gjakut (Turqinë) do t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen, në nivele më të avancuara”, tha Lee duke shtuar se Turqia, nën kryesimin e fuqishëm të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ka realizuar një zhvillim shumë të madh në aspektin e stabilitetit politik dhe ekonomik.
“Presidenti ynë ka ftuar presidentin Erdoğan për vizitë në Korenë e Jugut, gjatë vitit të ardhshëm. Jam i bindur se me kontaktet e tilla të nivelit të lartë marrëdhëniet mes dy shteteve do të avancohen edhe më tej”, tha Lee.
Populi korean, nuk do ta harrojë sakrificën e të rinjve turq”
“Falë të rinjve turq, Koreja arriti të mbrojë pavarësinë, lirinë dhe ne arritëm deri në këto ditë”, tha kryeministri Lee.
Duke e rikujtuar fjalën e urtë “Çdo gjë të re, por mikun e vjetër”, Lee tha se “Turqia është miku i lashtë i Koresë së Jugut”.
Lee rikujtoi se gjatë Kampionatit Botëror në vitin 2002, në ndeshjen për vendin e tretë të luajtur mes Turqisë dhe Koresë së Jugut, edhe pse kombëtarja e shtetit të tij pësoi humbje populli korean tregoi mbështetje për Turqinë. “Kjo është një ngjarje e cila tregon se populli korean nuk i ka harruar kurrë turqit”, tha ai.