-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Poposki:Integrimi në BE është përcaktimi ynë kryesor strategjik

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki në një intervistë për Anadolu Agency (AA) është shprehur se integrimi evropian është prioriteti kryesor i jashtëm.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki në një intervistë për Anadolu Agency (AA) është shprehur se integrimi evropian është prioriteti kryesor i jashtëm për shkak ngritjes së kushteve të standardit të jetesës në Republikën e Maqedonisë, sinjalit të stabilitetit, mundësisë për tërheqjen e investimeve të huaja.

Ai më pas ka deklaruar se procesi i integrimit evropian është faktori më i fuqishëm koheziv në Republikën e Maqedonisë i cili i bashkon të gjitha strukturat politike dhe me kthimin në kredibilitetin në një proces të tillë në masë të madhe do t’i relaksonte edhe proceset e brendshme politike të cilat janë kusht për zhvillimin e mëtejshëm dhe sigurimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

Duke folur për krizën politike në vend dhe marrëveshjen për tejkalimin e saj, e cila vitin e kaluar u nënshkrua mes partive më të mëdha në vend, Poposki thekson se verën e kaluar me këtë marrëveshje në fakt u dakordua për daljen nga kjo krizë.

“Nëse shikojmë se çfarë përmbante ai plan, shumica e pikave, do të thoja pothuajse të gjitha janë përmbushur, por megjithatë një pikë kryesore nuk është përmbushur, e ajo është zgjedhjet, të cilat duhej të mbaheshin në prill më pas në qershor. Zgjedhjet ishin pjesë e kërkesës së partisë më të madhe opozitare dhe për të cilën ekzistonte pajtueshmëri mes koalicionit qeveritar dhe partive opozitare, që të zbatohen”, thekson Poposki, i cili konsideron se dalja nga kriza sërish duhet të orientohet në zbatimin e zgjedhjeve.

Ai konsideron se mënyra e vetme që vendi ta tejkalojë krizën do të jetë përmes resurseve vendore, gjegjësisht përmes dialogut të partive politike.

“Nuk besoj se askush prej jashtë, prej kudo që vijnë, do të mund t’i zgjidh problemet në Republikën e Maqedonisë në nivelin politik nëse ne vet nuk e bëjmë. Mirë është që po tregohet interesim i caktuar nga partnerët evropian dhe nga Amerika, sepse megjithatë një pjesë e madhe e problemeve me siguri nuk do të ndodhnin, apo nuk do të ndodhnin në mënyrë të tillë nëse ne kishim rrugë kredibile për integrimin me Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, konsideron Poposki.

Ai thekson se nuk mendon se kjo është arsyeja për shkak të konfrontimeve të caktuara, meqë siç thekson, konfrontimet politike ekzistojnë në shumë vende që janë pjesë e BE-së, por tejkalohen në mënyrë më elegante nëse jeni pjesë e bashkësisë.

“Shumë probleme më të mëdha sjellin nëse përballeni me konfrontime të tilla politike për shkak të shumë bllokadave të cilat i kanë ndodhur Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s. Nuk keni rrugë kredibile në të cilën mund të gjithë qytetarët të besojnë rreth kësaj”, thotë shefi i diplomacisë së Maqedonisë.

Rezultatet e arrituara nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike të vitit të kaluar, dy herë anulimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për herë të parë më 24 prill, si dhe më 5 qershor, Poposki konsideron se është si rezultat i mospasjes së sensit nga ana e opozitës se është më e dobishme që të mbahen zgjedhjet.

“Atë që e pamë është se dy herë u anuluan zgjedhjet për shkak të mospasjes së sensit të partisë opozitare se është më e dobishme që tani të kemi zgjedhje, këtë nuk mund ta sanojmë në mënyrë tjetër përveç se vendimin e tyre për atë se kur do të kemi zgjedhje. Në secilën prej këtyre kombinatorikave duhet të fokusohemi në organizimin e zgjedhjeve, krijimin e kushteve të cilat do të kenë besim tek të gjitha subjektet politike dhe përfundimisht t’i lëmë qytetarët të vendosin se si duhet të sillemi, cila duhet të jetë shumica politike e cila duhet t’i marrë vendimet dhe përgjegjësinë”, vlerëson Poposki.

– Nuk duhet ambasadorët e huaj të vendosin për zgjedhjet në Maqedoni –

Duke u përqendruar në vërejtjet e diplomatëve të huaj në vend, veçmas në ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së, të cilët disa herë dolën me qëndrim se ende nuk ekzistojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile, Poposki deklaroi se nuk duhet diplomatët e huaj të vendosin nëse ka apo jo kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në vend.

“Nuk mendoj se cilët do ambasadorë duhet të vendosin nëse ka apo jo kushte për zgjedhje në Maqedoni. Pajtohem me faktin se nuk duhet të kemi zgjedhje në të cilat partia më e madhe opozitare nuk merr pjesë, sepse kjo do të jepte një konotacion negativ për vet procesin zgjedhor. Në fakt edhe ideja për zgjedhje është diçka që e kërkonte partia më e madhe opozitare. Koalicioni qeveritar ishte me qëndrim se zgjedhjet të ndodhin në terminin e rregullt, e ai është në vitin 2018. Pa marrë parasysh kësaj u theksuan tre faktorë, lista zgjedhore, klima në mediat dhe sigurimi i mekanizmave për ndarjen e veprimtarisë partiake, veprimtarisë shtetërore dhe komoditet të qytetarëve që të ndihen se mund të zgjedhin vet”, thekson Poposki.

– Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë për refugjatët është marrëveshja më e mirë e mundur në këtë moment –

“Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë ndoshta nuk është ideale, në shumë aspekte si nga njëra anë ashtu edhe nga ana tjetër ka sfida me të cilat duhet të përballen palët. Marrëveshja është marrëveshja më e mirë që ka mundur të arrihej në këtë moment. Mendoj se marrëveshja nuk mund në mënyrë të lirë të hidhet, por nga të gjitha palët duhet të bëhen përpjekje maksimale për zbatimin e saj. Sado që ajo të duket e vështirë në këtë moment ajo duhet të zbatohet, duke marrë parasysh faktin se disa nga aspektet e zbatimit seriozisht janë vonuar”, tha Poposki, duke komentuar Marrëveshjen mes BE-së dhe Turqisë për zbatimin e krizës së refugjatëve.

“Për shembull, vetëm disa qindra refugjatë apo migrantë janë objekt i kësaj marrëveshjeje për riatdhesim e cila deri tani është zbatuar. Shumë pak veta janë rialokuar nga vendet e pranimit para së gjithash Greqia në vendet tjera anëtare në BE, dhe ka varg problemesh tjera, por unë besoj se është marrëveshja më e mirë edhe për Turqinë edhe për BE-në dhe për të gjitha vendet tjera nëpër të cilat transitojnë refugjatët, përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë”, shton Poposki.

“Asnjë vend nuk mund ta zgjidh vet këtë, përfshirë Turqinë, Greqinë, Gjermaninë, madje as vendet të cilat janë destinacioni përfundimtar, andaj na nevojitet kjo marrëveshje. Maqedonia është më mirë e përgatitur sesa që ishte në vitin 2015 për përballjen me valën e madhe të migrantëve. Nuk mendoj se Maqedonia është në pozitë ta zgjidh këtë sfidë vetvetiu por mendoj se niveli i komunikimit është përmirësuar mes Turqisë dhe Greqisë, edhe mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe me siguri të gjitha vendet tjera që janë në veri të kësaj rruge”, theksoi Poposki duke shtuar se tani është vendosur komunikim ditor me autoritetet greke për evitimin e skenarëve si ato të verës së kaluar, kur mijëra migrantë dëshironin të kalonin nga njëra anë në tjetrën anë të kufirit.

– Me vendet fqinje dhe të rajonit ndërtojmë klimë të besimit –

“Shumë është me rëndësi që në rajonin tonë punojmë në krijimin e besimit gjithnjë e më të madh edhe në kuadër të marrëdhënieve bilaterale edhe në kuadër të nismave rajonale për integrimin e Ballkanit”, theksoi Poposki.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë Poposki këto marrëdhënie i ndan në tre nivele, ashtu që sipas tij, marrëdhëniet më të mira janë mes vendeve që nuk kanë kufi të përbashkët.

“Unë do t’i ndaja marrëdhëniet në tre nivele. Njëra, më të mira janë marrëdhëniet mes atyre vendeve që nuk kanë kufi të përbashkët, në Evropën Juglindore kjo është si rregull, ashtu që shumë më leht nga aspekti maqedonas menaxhohen marrëdhëniet me Slloveninë, Kroacinë dhe BeH-në sesa me ato vende me të cilat kemi kufi real. Kategoria e dytë e vendeve me të cilat kemi kufi të përbashkët, e që nuk janë pjesë e BE-së, Shqipëria, Kosova, Serbia do të ishin vendet me të cilat në mënyrë më të thjeshtë përballemi në kuafër të marrëdhënieve bilaterale”, thotë Poposki, ku sipas tij, marrëdhëniet më komplekse janë mes vendeve me të cilat kemi kufij të përbashkët, ku njëri vend është brenda BE-së ndërsa tjetri jashtë.

“Në rastin tonë më së shumti përpjekje dhe energji duhet të kushtojnë me Greqinë dhe Bullgarinë si anëtare të BE-së, mbështetja e të cilave na është e domosdoshme për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje dhe të cilat çdo herë së paku në Ballkan, këto marrëdhënie janë objekt i përmbushjes së njëfarë pritjeve nga pala tjetër. Ne e dimë se me çka përballemi, në aspektin e kontestit me emrin që është pengesa kryesore për integrimin evropian, por besojmë se përmirësimi i përgjithshëm i marrëdhënieve të ndërsjella në rajon dhe përpjekjet tona për relaksimin e marrëdhënieve dhe ulja e tensioneve lidhur me çështjet e tilla problematike, siç është kontesti me emrin për të cilin ndiejmë nivel të lartë të kontestimit të padrejtë. Me kalimin e kohës doemos të hyjmë në pasqyrën e marrëdhënieve më të relaksuara. Bashkësia afariste, turizmi, marrëdhëniet mes njerëzve janë ato që do të duhet t’i mbisundojnë këto druajtje politike në rajonin tonë”

– Turiqia, një nga partnerët kyç për Republikën e Maqedonisë –

Turqia është një nga partnerët kyç për Republikën e Maqedonisë edhe në aspektin rajonal edhe në atë global, thekson Poposki duke folur për marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë.

“Po ashtu, faktor shumë i rëndësishëm është se Turqia si anëtare e NATO-s është një nga mbështetësit më të fuqishëm të kësaj Aleance në hapësirën ballkanike dhe anëtarësimin e Maqedonisë në të. Këtu nuk është me rëndësi aspekti i sigurisë, i cili ndoshta është më pak relevant duke marrë parasysh atë se nuk besoj se ka kërcënime të mëdha sigurie në kontekstin ballkanik, por është simbol i madh për stabilitet, për relaksimin e tensioneve të caktuara të cilat kanë ekzistuar në të kaluarën. Këtu mendoj se Turqia luan rol të mbështetësit të madh edhe të Maqedonisë dhe vendeve tjera për anëtarësim në NATO. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera në pjesën e turizmit, ekonomisë dhe investimeve. E gjithë kjo është e pasqyruar edhe në nivelin e lartë të komunikimit dhe takimeve që i kemi në nivelin e lartë. Kjo do të thoja se është pjesë e standardit që është vendosur në marrëdhëniet turko-maqedonase gjatë dekadave të kaluara, dhe këtë mund ta mbindërtojmë në të ardhmen”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit