0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Poloni: Kryeministrja Beata Szydlo – “një grua fare normale”

Më të lexuarat

Kryeministrja e ardhshme e Polonisë, Beata Szydlo ka qëndruar për një kohë të gjatë në hije. E bija e një minatori e sheh veten si zëri i “njerëzve të thjeshtë”. Tani ajo po risjell në pushtet nacionalkonservatorët.

Me përvojë politike, e sigurtë në vetvete, e vendosur? Disa nga deklaratat e 52-vjeçares Beata Szydlo flasin për këto veti. “Ne do t’ia dalim”, ishte sllogani i saj gjatë fushatës. Ose: “Emri im është Szydlo, Beata Szydlo”, bëri të ditur ajo në qershor, pasi u emërua kandidatja kryesore e partisë kombëtare konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS). Pak Angela Merkel (“Ne mund ta arrijmë”) dhe pak James Bond?
Deputetja me karficë zbukurimi
Truket e fushatës ajo i ka mësuar si shefe e shtabit zgjedhor të presidentit aktual të Polonisë, Andrzej Duda. Të dy ishin krejtësisht të panjohur në arenën politike, të dy qëndronin dhe qëndrojnë ende në hijen e kryetarit të fuqishëm të PiS, Jaroslaw Kaczynski. Të dy janë besnikë të tij. Për ironi të fatit të dy në fillim të karrierës së tyre politike do të kishin përfunduar gati tek konkurrenca, tek Platforma liberale Qytetare (PO). “Për fat të mirë Zoti i ka shpëtuar”, thotë katolikja e devotshme Beata Szydlo sot.
Tani ajo e ka mundur rivalen Eva Kopacz nga Platforma liberale Qytetare (PO). Ajo thotë se dëshiron të shpëtojë njerëzit e thjeshtë “nga mjerimi i tetë viteve nën udhëheqjen e PO”.
Asnjë fjalë për politikën e jashtme, asnjë fjalë për tema të tjera. Szydlo premton në rradhë të parë mirëqenie sociale, veçanërisht: më shumë ndihma për fëmijët, pension nga mosha 65 vjeç, përkujdesje më të mirë shëndetësore. Se nga do t’i marrë të hollat, nuk është ende e qartë.
Gjithsesi ajo ka përvojë në politikën financiare. Pas vdekjes së një mikeje dhe kolegeje të partisë në aksidentin ajror pranë Smolensk ajo mori vendin e saj dhe në muajin maj të vitit 2010 u bë zëvendëskryetare e Komisionit të Financave në Parlamentin polak – dhe vetëm një muaj më vonë nënkryetare e PiS.
Shumë e thjeshtë konsiderohet edhe shtëpia e Beata Szydlo. “Një shtëpi bojë qielli në rrëzë të pyllit, rrethuar nga një kopsht i bukur, larg nga fqinjët. Në një fshat të vogël në komunën Brzeszcze çlodhet nga turbullirat politike gruaja, që mund të jetë në të ardhmen e afërt kryeministre”, shkruante tabloidi polak “Fakt” në qershor.
Beata Szydlo u lind në vitin 1963 në Osviecim. Babai ishte minator, nëna punonjëse sociale. E bija donte të punonte në fushën e kërkimeve: në Universitetin Jagiellonen (UJ) në Krakov ajo studioi etnografi. Pas studimeve e doktoraturës në Fakultetin filozofik-historik, ajo përfundoi një kurs pasuniversitar për menaxhim kulturor në Varshavë dhe Krakov. Nga 1987 deri 1995 punoi si asistente në Muzeun Historik të Krakovit, ku organizoi ndër të tjera konkursin e grazhdit të lindjes së Krishtit.
Më pas hyri në politikë: Fillimisht si kryetare bashkie e qytetit Brzeszcze (1998 – 2005), që nga viti 2004 edhe si zëvendëskryetare e zjarrfikësve vullnetarë të komunës.
Pas kohës si politikane lokale në krahinën e saj të lindjes në vitin 2005 ajo guxoi të bëjë hapin në botën e politikës kombëtare dhe u bë anëtare e PiS. Në listën e nacionalkonservatorëve ajo u zgjodh në parlamentin polak. Për disa vite ajo përfaqësoi një elektorat në jug të Polonisë, pesë vjet më vonë ajo u bë dora e djathtë e Kaczynskit dhe pesë vjet më vonë ajo është kryeministre e Polonisë. Ajo i mbetet besnike provincës. “Gjithmonë e theksoj, se nga vij. Termi provincë nuk ka për mua konotacion negativ”, thotë ajo.
Pikërisht kjo gjë bind edhe shumë votues. Votuesit kryesore të nacionalkonservatorëve vijnë kryesisht nga zonat rurale të Polonisë dhe ndjehen të lënë pas dore dhe të harruar. Larg nga Varshava, orët bien pak më ndryshe: Këtë e ka kuptuar PiS. Dhe Beata Szydlo gjithashtu.
Në kopshtin e shtëpisë blu në buzë të pyllit gjithçka pret me sa duket dimrin. Kopshti është gjithmonë i mbajtur mirë, bënte lëvdata një fqinj në shtypin polak. “Beata është një grua fare normale, ajo vesh çizmet e gomës dhe mbjell lule – në shoqërinë e një maceje”, u tha ai gazetarëve. Dashurinë për macet ajo e ka të përbashkët me udhëheqësin e saj të partisë Jaroslaw Kaczynski.
Derisa “gruaja normale” të vëshë përsëri çizmet e gomës, ka për të zgjatur ca. Beata Szydlo, që është e martuar prej 28 vjetësh dhe është nënë e dy djemve, ka shumë punë në drejtimin e vendit. Kur u cilësua nga kundërshtarët e saj si “Kaczyński me fund”, ajo nuk e mori atë si fyerje. Përkundrazi: “Unë jam shumë krenare”, u përgjigj ajo.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit