-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Politizimi i fesë dhe “fetarizimi”i politikës

Më të lexuarat

Nga Dr. Arben RAMKAJ

Një ndër betejat e rëndesishme të shoqërisë shekujt e fundit është ndarja e fesë nga shteti, apo siç njihet shkurt laicizmi. Megjithatë fakt është se pas fazës së parë të një distancimi dhe ndarjeje të rreptë nga besimet fetare, gjithmonë religjioni anembanë globit ka qenë i përfshirë nëqendër të skenës politike, këtë herë e inkuadruar nën formën e ideologjive që bazoheshin në një “bashkëjetesë” të parimeve laike dhe atyre fetare në forca të caktuara politike.

Dhe në Evropë kjo u sintetizua në themelimin e të ashtuquajturave parti të majta dhe të djathta, që kanë në thelbin e tyre apo që frymëzohen pjesërisht nga parimet e besimit të Krishterë. Lëvizja politike e demokracisë së krishterë mbështet disa vlera të socializmit të krishterë, për shembull drejtësi ekonomike dhe mirëqenie sociale.

Ajo kundërshton një botëkuptim individualist dhe mbështet ndërhyrjen e shtetit në ekonomi në mbrojtje të “dinjitetit njerëzor”.

Në të majtë militojnë të ashtuquajtura parti kristian-sociale apo kristianët e majtë të shpërndarë në mbi 36 shtete e që kanë në fokus politikat sociale ndaj shtresave më në nevojë, të drejtat e njeriut, janë pro emigrantëve, pro lëvizjeve shoqërore emancipuese etj.

Ndërkohë partitë kristian-demokrate apo e thënë ndryshe kristianët e rinj të djathtëi përkasin qendrës së djathtë të spektrit politik. Për pasojë ato mbështesin politikat konservatore në ekonomi dhe kanë një vizion më konservator në lidhje me shoqërinë e tyre, duke qenëkryesisht kundër emigracionit masiv, më të prirur drejt garantimit të lirisë individuale, më pak ndaj mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe më shumë hapësirë të Zotit në shoqëri.

Megjithatë kjo ndarje konceptuale nuk përjashton bashkëpunimin midis tyre. Madje modeli më i sukseshëm vërehet në Gjermani, në koalicionin e vjetër midis Kristiandemokratëve gjermanë CDU të kancelares Angela Merkel dhe Partisë Kristian-Sociale me qendër në landin e Bavarisë.

Po sipas kësaj lloj ndarjeje janë orientuar edhe votuesit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Njerëzit më të lidhur me besimin fetar priren të mbështesin partitë e djathta, si në SHBA ku baza kryesore elektorale e Partisë Republikane janë ungjillorët, rryma kryesore e Krishtërimit protestant.

Ndërsa ata që janë më laikë, priren tëanojnë në të majtë. Dhe në shumicën e rasteve, e majta në Evropë dhe SHBA shihet si “rojtare” e laicizmit ndërsa e djathta ekstreme tenton shpeshherë që të atashohet më shumë sesa e lejon Kushtetuta me një besim të caktuar dhe këtë gjë e bën, jo rrallë, në kurriz të besimeve të tjera fetare.

Kjo ka ndodhur së fundmi në një mënyrë ekstreme në Indi, ku kryeministri i djathtë Naredra Modi po ndjek një qasje të ashpër nacionaliste, duke favorizuar shumicën etnike hindu dhe duke denigruar ndërkohë pakicën e konsiderueshme myslimane.

Por kjo dukuri është vënë re jo rrallë edhe në Perëndim, ku politikanë të së djathtës ekstreme kanë goditur besimin mysliman, duke e fajësuar atë në mënyrë të padrejtë për shumë probleme që ka sot Perëndimi.

Historikisht raportet e brishta midis shtetit dhe fesë janë lëkundur gjithmonë sa herë që një udhëheqës ndodhet në një moment tepër delikat të karrierës së tij.

I tillë duket edhe debati i fortë i ditëve të fundit në SHBA që ka në sfond një vrasje policore për motive të dyshuara racore. Presidenti republikan Donald Trump ndodhet në një situatë krejt të ndërlikuar.

Ekonomia e vendit, ecuria e mirë e të cilës ishte “Kali” kryesor i fushatës së tij elektorale për zgjedhjet e nëntorit, është dëmtuar ndjeshëm nga kufizimet që solli pandemia e Covid-19.

Në këtë kontekst presidenti Trump bëri më 2 qershor një gjest politik të nxehtë, dhe njëherazi shumë të debatueshëm. Ai vizitoi Kishën Episkopale të Shën Gjonit në Uashington, e njohur edhe si “Kisha e Presidentëve”.

Pasi doli prej saj, ai u fotografua duke ngritur lart Biblën, me synimin e dukshëm prekjen e ndjenjave të mbështetësve të tij evangjelistë. Por ky akt zemëroi shumë udhëheqës fetarë amerikanë..

“Duke mbajtur lart një Bibël të hapur, Trump supozoi të fitonte mbështetjen e të krishterëve, dhe të nënkuptonte atë të Kishës Episkopale”, thanë peshkopët e Nju Inglënd në deklaratën e tyre.

“Unë e gjykoj shqetësues, që një institucion fetar t’i lejojë vetes të keqpërdoret dhe manipulohet në një mënyrë të tillë që shkel parimet tona fetare”, u shpreh nga ana e tij Arqipeshkvi i Uashingtonit, Wilton Gregory.

Edhe shumë analistë apo teologë i kujtuan Presidenti amerikan se Bibla ka një histori të gjatë si një simbol i protestës, për shkak të kauzave të drejta që ka mbrojtur. Prandaj ai nuk duhet ta përdorë atë si një simbol të shtypjes së qytetarëve që po protestojnë për një kauzë delikate, siç është ajo e barazisë racore.

Rastet e politizimit të fesë janë shtuar edhe në Europë. Në Bashkimin Europian, politizimi i fesë i ka shërbyer udhëheqësve me tipare të qarta autokratike si kryeministri hungarez Viktor Orban, që ta shpallë vendin e tij si “tërësisht të Krishterë”, duke refuzuar të pranojë asnjënga refugjatët që kanë zbarkuar në kontinent nga Lindja e Mesme e më gjerë. Në jo pak deklarata, Orban ka evokuar Kryqëzatat e Mesjetës, apo i ka rënë zileve imagjinare të alarmit mbi rrezikun e “islamizimit të Evropës së Krishterë”. Mjerisht, një kurs i tillë i rrezikshëm, që bie haptazi ndesh me parimin e solidaritetit dhe parimet e tjera, të cilat qëndrojnë në themelimin e Bashkimit Evropian, janë toleruar dhe vijojnë që të tolerohen, për shkak të disa konjukturave dhe ruajtjes së balancave brenda BE-së.

Debati i politizimit të fesë është në qendër të debatit publik në Turqi dhe në Lindjen e Mesme. Ish-sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt në librin e saj “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, shprehet shumë kritike ndaj politizimit të fesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra nderhyrja e klerit në çështjet politikeështë e pashmangshme. Por ndërhyrja e tyre duhet të kufizohet në mbrojtje të së mirës së përbashkët, në kufijtë e përgjegjësisë dhe mungesës së qëllimeve të fshehta politike.

Papa Francesku thotë:“Ungjilli është shprehje politike”, por për rregulltarin më të mirë për të kuptuar rolin e fesë në botë nuk do të thotë militim partiak.

Sikurse ka ndodhur dhe ndodh shpesh edhe në vendin tonëedhe nëBallkanin Perëndimor sa herë që ka kriza të rënda dhe momente të vështira, kleri fetar merr një rol të rëndësishëm dhe përkufizohet zakonisht në debatin publik si “fetarizim i politikës”.

Dhe unë gjykoj që politika ka nevojë për një “fetarizim” të tillë, në kuptimin e mbjelljes brenda mjediseve politike të vlerave të përbashketa, vlerave universale që duhet të mbrojnë dinjitetin e njeriut dhe drejtësinë sociale.

Zhvillime të tilla dhe jehona e tyre në vende të ndryshme të botës duhet të lexohen dhe interpretohen me kthjelltësi nga shtetarët tanë, të cilët duhet të ndalojnë me çdo çmim politizimin e fesë dhe të mbështesin zërin e arsyeshëm atë që ne quajtem “fetarizim të politikës”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit