1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Politikat e Google e Facebook mbi smart working mund të boshatisin qytetet e mëdha

Më të lexuarat

“Nëse doni një pagë nga Nju Jorku, duhet të punoni në Nju Jork”. Kështu u pati thënë disa muaj më parë, CEO i Morgan Stanley, James Gorman, punonjësve me seli në Nju Jork. Me atë deklaratë, Gorman ishte disi një pionier i debatit që po zhvillohet në këtë periudhë pandemie.

Diskutimi u rindez me lajmin e Google, i cili ka krijuar një instrument i cili do të reduktojë pagën e punonjësve në rast se do të vendosnin të vijojnë të punojnë nga shtëpia.

Sistemi funksionon në bazë të kostos së jetës. Për shembull, ata që jetojnë në Nju Jork dhe punojnë nga shtëpia, nuk do të kenë reduktim të pagës. Megjithatë, Reuters zbuloi se një punonjës që jeton në Stamford, në Connecticut, do të paguhej 15% më pak nëse do të punonte nga shtëpia. Madje, një tjetër, i cili u transferua nga San Francisko në Lake Tahoe, në Kaliforni, do të pësonte një shkurtim të pagës me 25%.

 

Linja e Twitter dhe Facebook mbi smart working

Rasti i parë i zbatimit mund të shkaktojë efekt domino. Si në tregun e punës, edhe në atë të pasurive të patundshme. CEO i Twitter, Jack Dorsey, i ka lënë punonjësit të lirë të punojnë “aty ku ndihen më krijues”. Ai ka thënë pak a shumë të njëjtën gjë me Marc Zuckerberg, CEO i Facebook, i cili ka njoftuar se “kompania e tij do të jetë në të ardhmen më e orientuar drejt punës në distancë”.

Gjithsesi kishte një truk – punonjësit duhet t’i njoftojnë drejtuesit në rast se vendosin të transferohen. Sipas Zuckerberg, ata që zhvendosen në qytete me kosto më të ulëta jetese “mund të përballen me paga të reja në bazë të vendndodhjeve të tyre të reja”. Ai shtoi në mënyrë kërcënuese: “Do të ketë pasoja të rënda për ata që nuk janë të ndershëm në këtë aspekt”. Tashmë Zuckerberg mund të kërkojë talente në gjithë botën, aty ku jeta kushton më lirë”.

Me pak fjalë, punësimi i atyre me aftësitë e duhura dhe jetesa në zona me një kosto të ulët jetese mund të bëhet më e përshtatshme për kompanitë. Ky aspekt mund të çojë në ndryshime thelbësore në tregun e pasurive të paluajtshme, me qytetet e mëdha dhe të shtrenjta që humbasin tërheqjen e talenteve pas revolucionit të punës në distancë. Në anën tjetër, zonat aktualisht më pak tërheqëse mund të përfitojnë nga orientimi i ri i kompanive shumëkombëshe.

 

Sa po kursen Google

Për kompanitë e mëdha, ky zhvillim mund të shtojë kursime të tjera të grumbulluara pas pandemisë. Sipas shifrave të publikuara nga Bloomberg, në tremujorin e parë 2021, Google ka kursyer 268 milionë dollarë nga zbatimi i punës në distancë. Shifra mund të shkojnë në 1 miliard nëse merret në konsideratë e gjithë periudha e pandemisë.
Sidoqoftë, jo të gjitha kompanitë e teknologjisë po e bëjnë këtë. Reddit dhe Zillow, për shembull, kanë “modele pagese të pavarura nga vendndodhja” dhe nuk do të ndryshojnë pagën e një personi bazuar në vendin ku ata jetojnë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit