Besimtarët myslimanë me iftarin e sotëm kanë përcjell muajin e shenjtë të Ramazanit.
Pas 30 ditë agjërimi, besimtarët myslimanë nesër do të festojnë festën e Fitër Bajramit.
E krerët e institucioneve dhe figurat e ndryshme politike kanë uruar qytetarët me rastin e kësaj feste.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se festa e Fitër Bajramit, përhapë frymën e përmbushjes së qëllimit të sakrificës.
“Urime festa e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë. Në këtë festë, që përhapë frymën e përmbushjes së qëllimit të sakrificës, uroj të jemi të bashkuar në jetësimin e mesazheve për paqe dhe tolerancë, për ta ruajtur besimin në vlerat kulmore”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe presidenti Hashim Thaçi ka uruar qytetarët për Fitër Bajram.
“Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, një muaji me përplot përkushtim, adhurim, devotshmëri dhe fisnikërim shpirtëror, vjen edhe festa e Fitër Bajramit. Besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë, duke ju dëshiruar sa më shumë tolerancë, mirëkuptim dhe mirëqenie në familjet e tyre. Qytetarët tanë, pa dallime etnike dhe fetare, çdoherë e më shumë po i forcojnë dhe kultivojnë vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes”, ka shkruar Thaçi.
Qytetarët e besimit myslimanë i ka uruar edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
“Në prag të festës së Fitër Bajramit, në emër të Nismës Socialdemokrate dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve myslimanë urime Festa e Fitër Bajramit! Kjo festë vjen pas muajit të Shenjtë të Ramazanit, i cili është simbol i sakrificës, paqes, dashurisë, harmonisë dhe i përkushtimit ndaj Zotit. Në këtë festë ndajmë përgëzimet dhe urimet më të mira për njëri-tjetrin. Uroj në këtë ditë feste që në familjet tuaja të keni mirëqenie, dashuri, lumturi dhe begati!”, ka shkruar Limaj në Facebook.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar poashtu qytetarët për Bajram.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë ju uroj përzemërsisht përmbylljen me devotshmëri të muajit të shenjtë të Ramazanit. Paqja, mirëqenia e harmonia mbizotërofshin në të gjitha familjet dhe në shtetin e Kosovës. Urime Festa e madhe e Fitër Bajramit!”, ka shkruar Mustafa.
Urimin për qytetarët për festën e Fitër Bajramit e ka bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Në urimin e këtij subjekti mes tjerash thuhet: “Simbolika e kësaj dite mbart mësimin se rrugëtimi ynë jetësor merr kuptim vetëm nëse arrijmë të lartësojmë për të gjithë e bashkërisht, barazinë e drejtësinë, mirëqenien e përkujdesin”
“Me fat Fitër Bajrami!
Si përmbyllje e muajit të Ramazanit, muaj ku mbizotërojnë vlerat si vetëpërmbajtja e sakrifica përmes agjërimit, solidariteti e përkushtimi për njëri – tjetrin, e kujdesi për nevojtarët, besimtarët myslimanë nesër festojnë festën e Fitër Bajramit.
Fitër Bajrami shënon kulmin e kësaj devotshmërie njëmujore dhe na mëson se rruga e drejtë e njeriut është bashkëndienja me nevojtarin, dashuria për njëri-tjetrin, sakrifica për të përbashktën dhe shtrirja e dorës së ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë.
Simbolika e kësaj dite mbart mësimin se rrugëtimi ynë jetësor merr kuptim vetëm nëse arrijmë të lartësojmë për të gjithë e bashkërisht, barazinë e drejtësinë, mirëqenien e përkujdesin.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë! Le të jetë kjo një ditë përkujtimi mbi vlerat e përbashkëta dhe të përhershme për të gjithë! Ndërsa përkushtimi ndaj njëri-tjetrit dhe sakrifica le të lartësohen përherë e kudo, si element i domosdoshëm për vetëpërmbushje dhe shoqëri të mirëfilltë. Gëzuar!”, thuhet në urimin e VV-së.
Namazi i Fitër Bajramit do të falet nesër në orën 05:34.