Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Prishtinë, ka thënë se sot rreth orës 04:00, policia ka marrë informatën se në fshatin Llapushnik, komuna e Drenasit, respektivisht në lagjen “Sopi” një objekt është përfshirë nga zjarri.
Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore për të menaxhuar me situatën, zjarrfikësit, zyrtarë për hetimin e shkaqeve të zjarrit nga departamenti i emergjencave, si dhe zyrtari për hetimin e faktorëve dhe shkaqeve të rrymës.
“Në ndërkohë që zjarri është lokalizuar nga ana e zjarrfikësve me pasojë vetëm dëmet materiale, hetuesit policor kanë proceduar më tej me këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ekzaminimin e të gjeturave edhe evidencave”, thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore si dhe ekzaminimeve të nevojshme me qëllim ndriçimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe pas veprimeve të zyrtarëve për hetimin e shkaqeve të zjarrit nga ana e ekspertëve kompetent është konstatuar përfundimisht se: zjarri është shkaktuar nga faktori rrymë respektivisht nga një kabllo e rrymës së objektit të djegur, dhe nuk bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.
“Andaj duke marrë parasysh faktin se po kalojmë një periudhë kur ka ngritje të larta të temperaturave dhe kur mund të kemi ngritje të lehtë të numrit të rasteve të zjarrit si dhe disa rasteve të tjera specifike, kërkojmë nga të gjithë mekanizmat informues që cilësimet e rasteve të mos bëhen nga hamendjet por të bëhen nga raportet e konfirmuara zyrtare ashtu që raportimet të jenë korrekte dhe në mënyrë të drejtë dhe të mos krijohet opinion mbi opinionet por informacionet të jenë të bazuara të mbështetura mbi faktet dhe të provuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.