Zëdhënësi i Policisë së Sllovenisë për rajonin e Kranjit, Bojan Kos ka thënë se shteti i tij e ka respektuar një kërkesë të Interpol Serbia kur e ka arrestuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
“Mund të konfirmoj se kemi arrestuar një shtetas të Kosovës, me një kërkesë të Interpol Serbia. Pas ndalimit ai është dërguar në Gjykatë, dhe tash e tutje nuk është më në përgjegjësinë tonë”, ka thënë Kos për KTV.
Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Karl Erjavec ka thënë që pret nga organet sllovene të gjinden arsyet e ndalimit të ish-Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, dhe ky rast të zgjidhet sa më shpejtë, shkruan “Blic”, transmeton lajmi.net
“Pres që sa më shpejtë të zgjidhet kjo situatë, dhe nuk ka nevojë të neglizhohet, veçanërisht kur po shohim se çfarë janë reagimet, por, edhe dimë reagimet në të tilla situata në të kaluarën”, ka thënë Erjavec lidhur me rastin e ndalimit të Haradinajt.