Policia serbe të hënën ka arrestuar në pikën kufitare në Muçibabë, Ahmet Eminin (1937) nga Zhegra e Gjilanit.
Sipas djalit të tij Veli Eminit, policia serbe Ahmet Eminin e ka dërguar në burgun e Vranjës ndërsa familja nuk i din as motivet e as arsyet e arrestimit. Ahmet Emini vuan nga astma dhe ka disa operacione, për çka familja janë tepër të shqetësuar.
Policia serbe të hënën në pikën kufitare të Muçibabës në pjesën serbe ka arrestuar pa ndonjë pretekst Ahmet Eminin (1937) nga Zhegra e Gjilanit raporton rajonipress.
Familjarët e Ahmet Eminit kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak se kryefamiljari i tyre vuan nga astma dhe ka disa operacione.
Veli Emini (foto) djali i madh i Ahmet Eminit për rajonipress tha se prindi i tij është arrestuar më 9 mars në Muçibabë. “Nuk i dimë arsyet e arrestimit. Ajo çka ne dimë është fakti se babai ka qenë veprimtarë i madh i çështjes kombëtare dhe nuk ka protestë apo demonstratë që nuk ka marrë pjesë në tubimet e shqiptarëve në Zvicër. Ne po dyshojmë që në pikën serbe në Muçibabë të ketë qëlluar ndonjë polic serb nga Kosova i cili e ka njohur prindin dhe e ka njohur të kaluarën e tij. Pavarësisht kësaj ne ndjehemi shumë të shqetësuar për shkak se prindi ka punuar mbi 37 vite në Gjermani dhe është pensionist”.
Emini tha se prindi i tyre ishte nisur për vizitë tek vajza në Kumanovë.”Kërkojmë nga policia e Kosovës, ambasada e Kosovës në Beograd që urgjentisht ta kontaktojnë prindin sepse për shkak të sëmundjeve që ka nuk mund të qëndroj në burgjet e Vranjës. Serbët e Zhegrës që ishin pjesëmarrës në krimet e Kosovës mund të bëjnë lloj – lloj dosjesh për shqiptarët e Zhegrës” tha Emini./Koha