Policia e Kosovës ka arrestuar sot pesë shtetas të Kosovës nga komuniteti serb në Komunën e Gjilanit, nën dyshimin e bazuar se ata janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit të Kosovës.
Përmes një njoftimi për medie, Policia ka bërë të ditur se operacioni nuk është zhvilluar kundër ish-pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, siç kanë raportuar sot mediet.
“Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona (m/s/k), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, ka thënë se “demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë.”
Në komunikatë thuhet se Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë.