-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Policët e MUP-it në Policinë e Kosovës?

Më të lexuarat

Faktori ndërkombëtar po bën presion që Serbia të shuaj strukturat e saj të sigurisë dhe drejtësisë në veri të Kosovës.

Paralelisht, vende të fuqishme evropiane, po presin që Beogradi bashkë me Prishtinën të gjejnë modalitete për përfshirjen e atyre pjesëtarëve që bëjnë pjesë në strukturat paralele serbe të sigurisë në strukturat e Policisë së Kosovës, thotë euro-deputetja Ulrike Lunacek.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, thotë se zgjidhja pritet të gjendet në raundin e radhës së dialogut mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

“Së pari, qeveria në Beograd, duhet ta thotë qartë se veriu është pjesë e Kosovës, dhe se autoritetet e sigurisë dhe ato të drejtësisë, duhet të jenë disi, pjesë e Prishtinës ose të bashkëpunojnë me të”.

“Kjo do të nënkuptojë se serbët që nuk kanë shtetësi të Kosovës nuk mund të jenë pjesë e policisë në veri, dhe kjo po ashtu, nënkupton se MUP-i, policia serbe duhet të tërhiqet nga veriu. Aspekt tjetër është se serbët e Kosovës duhet të jenë pjesë, nëse nuk kanë dosje kriminale, e Policisë së Kosovës”, shpjegon ajo.

Dy shefat e qeverive të Kosovës dhe Serbisë, pritet të takohen javën e ardhshme në Bruksel, për të shtjelluar temën e strukturave ilegale serbe në veri të vendit.

Lunacek thekson se i njëjti parim i përjashtimit ose përfshirjes së serbëve verior nën ombrellën e Prishtinës, do të vlejë edhe për nëpunësit e gjyqësorit.

Ajo sqaron se gjatë bisedave me zyrtarë të lartë në Beograd, ka kuptuar se Serbia e ka marr seriozisht porosinë e zgjidhjes së strukturave paralele serbe në Kosovë.

“Por fillimisht, duhet një vullnet i qartë nga Beogradi për të thënë se do ta bëjnë këtë gjë. Ata po i afrohen kësaj qartësie, dhe e kanë thënë se do ta bëjnë. Shpresoj se në raundin e ardhshëm të dialogut [Prishtinë-Beograd], do të ketë vërtetë progres për këtë gjë”, tha Lunacek.

Prishtina zyrtare shpesh akuzon strukturat paralele të Serbisë në veri të Kosovës për incidentet që ngjajnë atje, me pretekstin se këto institucione po e mbajnë qëllimisht situatën e tensionuar, për të mos lejuar serbët e atjeshëm të integrohen në shoqëri.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën thotë se vende të fuqishme evropiane ia kanë bërë të qartë Beogradit, se pa zgjidhur këtë problem me Prishtinën nuk mund të pret fillimin e negociatave për statusin e kandidatit me Bashkimin Evropian.

“Disa vende evropiane janë shumë rigoroze në këtë aspekt. Ato i thonë Serbisë që nëse ajo nuk zhbënë strukturat paralele në veri, posaçërisht në fushën e sigurisë gjegjësisht policinë serbe dhe gjyqësorin”.

“Atëherë Serbia nuk do të mund t’i hap negociatat me BE-në…dhe kërkon një sinjal të qartë të kryeministrit Daçiq në Beograd, që ai e dëshiron këtë gjë, dhe se qeveria e Serbisë dëshiron që serbët e Kosovës t’i shërbejnë qeverisë në Prishtinë,” tha Lunacek.

Euro-deputetja sqaron se Gjermania është më e zëshmja në këtë kërkesë, dhe se e kupton Beogradin që nuk e ka të lehtë të heq dorë aq shpejt nga strukturat e saja në Kosovë.

Ndërkaq, edhe Prishtinën zyrtare porosit që të bëjë më shumë për serbët e veriut, dhe të mos mjaftohet me faktin se ka hapur një zyrë në veri.

Lunacek shpjegoi se në veri mund të ketë edhe serbë që duan të jetojnë nën autoritetin e qeverisë në Prishtinë, dhe se kjo popullatë duhet të ketë kujdes të shtuar nga institucionet kosovare.

Mirëpo, qeveria qendrore nuk ka arrit që të zgjat autoritetin e saj në tri komunat veriore asnjëherë prej pavarësimit. Telashe me ushtrimin e autoritetit në këtë pjesë, kanë edhe personeli i EULEX-it, të cilët pengohen që të lëvizin lirshëm atje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit