Një grua 51-vjeçare, banore e Poliçanit, është gjetur e mbytur në lumin Osum. Mësohet se gruaja, nënë e tre fëmijëve, ishte larguar para disa ditësh nga shtëpia për të shkuar tek të afërmit e saj në fshatin Valë, të rrethit të Skraparit.
Dy ditë më parë ajo ishte nisur për t’u kthyer në shtëpinë e saj në Poliçan, por dyshohet se gjatë kthimit, për shkak të motit të keq, ajo është rrëzuar aksidentalisht nga një urë dhe ka rënë në ujërat e rrëmbyeshme të Osumit.
Trupi i pajetë i gruas, i tërhequr nga rrjedha e lumit, është gjetur sot nga banorët e fshatit Mbrakullë, pak kilometra larg Poliçanit. Ata kanë njoftuar policinë, e cila më pas ka bërë të mundur identifikimin e gruas. Paraprakisht ngjarja është klasifikuar si aksidentale, megjithatë policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të saj.