4.4 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Po me bukurinë turke ç’patën xhanëm?!

Më të lexuarat

Autorja: Nada Dosti
 
Në blogosferën shqiptare ka plasur një debat alla-femrash histerike dhe xheloze në lidhje me një puntatë të para disa ditësh në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku ndër brroçkolisjet e shumta në fushën e  “fashion-it”, nga njerëz me lidhje dhe pa lidhje, më tërhoqi vëmendjen komenti i botueses Arlinda Dudaj në lidhje me foton e këngëtarës Eli Fara.
 
Dudaj e përshkruajti pamjen e këngëtares korçare si një bukuri tipike turke, duke e shoqëruar komentin me nje gjestikulaturë që dukshëm shprehte pakënaqësi, deri në neveri. Një tjetër e ftuar tha se kjo nuk ishte “bukuri europiane”.
 
Pasi i hodha një sy gazetave online për të parë se si ishte komentuar ky rast, gjeta një reagim të vetë këngëtares, e cila nuk ishte e pranishme në studio. Reagimi ishte përcjellur nga media online si Balkanweb, Panorama, Telegraf etj, ku këngëtarja përgjigjej se: “Unë jam e krishterë. Tiparet e mia janë tipike të një zonje të jugut të Shqipërisë”.
 
Përpos natyrës gossip të çështjes në fjalë, ajo që më bëri pështypje në këtë debat ishte ngjyrimi fetar që u përcoll te audienca shqiptare. Çfarë e shtyu botuesen Dudaj ta bënte atë koment në atë formë? Dhe pse Zonja Fara u ndie aq e ofenduar dhe e indinjuar për krahasimin me femrat turke? Mos vallë të kesh “bukuri turke” është ofendim, ndërsa të jesh bukuroshe europiane krenari?
 
Debati ka vazhduar edhe në rrjetet sociale ku këngëtarja Eli Fara ka gjetur mbështetjen e mikes dhe kolegës së saj Aurela Gace, të cilat sëbashku nuk e kanë kursyer gjuhën e urrejtjes në komentet e ndërsjellta.
 
Cili është imazhi i femrës që na servir media shqiptare?
 
Imazhi i femrës, qoftë në lajme, emisione, filma, telenovela, talk-show-e, reality show,  apo çfarëdo lloj formati tjetër visual, shoqërohet me veshje ekstravagante, jo etike, e aq më pak artistike. Televizione si Top Channel, BBF apo AGON Channel mbajnë rekord për përmbajtjet e tyre plot me anti-vlera dhe për promovimin e degjenerimit. E njëjta ndodh edhe me telenovelat latino-amerikane.
 
Në një popullsi të papunë dhe të ngeshme si e jona, telenovelat dhe emisonet televizive janë mënyra më e mirë dhe më e lehtë për të formësuar shijet dhe përceptimet tona.
 
Pas vitit 2010, telenovelat meksikane, braziliane apo dhe ato italiane e greke, në pjesën më të madhe i kanë lënë vendin telenovelave turke. Imazhi i femave të zhveshura dhe ekstravagante latino-amerikane po zëvendësohet ngadalë me imazhin e femrave turke, dukshëm më të veshura e më modeste.  Ky imazh shpehherë paraqitet edhe me ngjyrime fetare muslimane; me ritualin e faljes, agjërimin apo shenja të tjera fetare.
 
Kjo është kthyer në shqetësim për ata që merren me inxhinieringun shoqëror në vendin tonë, kryesisht pronarët e mediave apo disa shtëpive botuese në shërbim të axhendave të organizatave të caktuara perëndimore, të cilat kanë si mision kryesor shkatërrimin e çdo vlere të shoqërisë shqiptare dhe zëvendësimin e tyre me anti-vlera, shthurje e degjenerim shoqëror.
 
Të gjendur përballë kësaj sfide, këta inxhinierë islamofob nuk humbin shansin sa herë që u jepet mundësia që të shprehin hapur mllefin dhe urrejtjen që kanë për çdo gjë që ngjan qoftë edhe nga larg, fetare, apo lindore; turke në rastin në fjalë.
 
Komenti dhe gjestikulatura e Dudajt më sjellin ndërmend një rast të ngjashëm me Mirela Bogdanin, e njohur mungesën e simpatisë ndaj muslimanëve, në vitin 2009 në emisionin Deja Vu të Mustafa Nanos (apo Muçç-it, siç i pëlqen ta thërrasin kohët e fundit).
 
 
Zonjës Bogdani (se nuk di si ta thërras tjetër ) iu kërkua që të komentonte një foto të një femre muslimane me shami ( në atë perjudhë kohe debatohej rasti i ndalimit të minareve në Zvicër). Ngjashëm me reagimin e zonjës Dudaj, edhe Bogdani (të dyja të paguara për të bërë deklarata dhe komente islamofobe) shprehu “neverinë” e saj duke thënë se femrat me shami  “më vrasin sytë”.
 
Reagime të tilla, më shumë se sa debate mbi bukurinë apo paraqitjen e jashtme, janë më shumë debate mbi identitetin, kulturën dhe fenë, të matura kryesisht me etalonin e orientalizmit, i cili ka zënë vend në nënvetëdijën kolektive të atyre që mbahen si elita e vendit.
 
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit