0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Po, jam myslimane dhe feministe

Më të lexuarat

Jetojmë në një botë ku mund të dërgojmë anijet kozmike nëpër planete të tjera, ku makinat mund të vetëdrejtohen e megjithatë ku të drejtat e grave janë ende temë debate. Sa herë që e mendoj, më habit fakti që jetojmë në shekullin e 21-të dhe prapë duhet të diskutojmë për gjëra kaq të thjeshta siç janë të drejtat e njeriut.
 
Si feminist, besoj në të drejta dhe mundësi të barabarta si për meshkujt dhe për femrat. Kjo për mua është mëse e natyrshme, por kur u them njerëzve që jam feministe marr reagime nga më të ndryshmet. Veçanërisht pasi e dinë që jam myslimane. Ndaj vendosa të shkruaj këtë artikull për të hequr qafe stereotipat një herë e përgjithmonë. Kështu që përpara se të mbyllni faqen e të largoheni tentoni të jeni pak më mendje hapur dhe lexoni se çfarë është feminizmi në të vërtet.
 
Personalisht mendoj që feminizmi ka të bëjë me mundësinë që njerëzit të jenë të aftë të bëjnë zgjedhjet e tyre pa u gjykuar për to. Do të vendosësh perçen? Shumë mirë. Do të veshësh xhinse të shkurtra? Edhe ajo shumë mirë është. Nuk më takon mua që tu them njerëzve se çfarë është e gabuar dhe çfarë jo. Personi i vetëm që duhet të kontrolloj është vetja ime. Natyrisht që feminizmi shkon përtej zgjedhjes se çfarë veshim.
 
Por, ajo që është më e rëndësishme është se të drejtat e njeriut janë të barabarta si për meshkujt dhe për femrat. Dhe këto nuk janë ide të çmendura apo jo? E megjithatë ka ende njerëz që i gjykojnë të tjerët sepse janë feministë. Disa meshkuj myslimanë mendojnë se unë jam veçse një vajzë e vogël që qahem sepse nuk dua të bëj punët e shtëpisë. Por, ka disa jomyslimanë që kanë disa stereotipa që vërtet më bezdisin. Ide të tipit që duhet të më çlirojnë mua nga besimi im, sepse jam e shtypur.
 
Po jua them vetëm këtë, jemi shumë larg të qenit të shtypur. Islami ishte feja e parë, por edhe sistemi i parë që i dha grave të drejtën për tu arsimuar, të drejtën e votës etj. Por, ka disa që thonë: “Po në Kuran thuhet që…”. Më falni, por e keni lexuar vërtet Kuranin? E keni vendosur çdo gjë në kontekstin e duhur apo po përpiqeni thjesht t’ju dalë e juaja?
 
Të jesh feminist dhe myslimane është mëse e mundur dhe ja ku jam për t’jua vërtetuar. Unë nuk ndjehem e lidhur as me Ayaan Hirsi Ali (aktivistja dhe politikania amerikane me origjinë somaleze që mbron të drejtat e grave dhe është kundër Islamit) dhe as me lëvizjen Femen që duket sikur duan t’i çlirojnë femrat vetëm duke i zhveshur ato. Unë ndjehem e lidhur me femrat që i dalin zot njëra-tjetrës, që e mbështesin njëra tjetrën pavarësisht se cili është besimi apo mjedisi prej nga vijnë. Ja kjo është ajo çka unë besoj.
 
Mijëra njerëz nëpër vende të ndryshme të botës me eksperiencën e tyre e kanë treguar se të jesh myslimane dhe feministe është mëse e mundur. Qëllimi im është që përmes këtij shkrimi të vras disa stereotipe mbi feminizmin. Dhe nuk ka të aspak me superioritetin apo të godas Islamin. Dhe as kemi nevojë të na çlirojnë nga besimi ynë. Feministët janë njerëz që besojnë në idenë se femrat dhe meshkujt janë të barabartë dhe që njerëzit duhet të jenë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Kështu që mendoj që në vend që të talleni me idetë feministe, përpiquni të edukoni veten.

Latifa Saber

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit