0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Po fle shumë, edhe pse jam student

Më të lexuarat

Pyetja:

Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Kam një hall. Edhe këtë herë ka të bëjë me gjumin. Subhanallah, shumë fle, edhe duke pasur parasysh se jam student fakulteti dhe kam dy barra; njëra është fakulteti, që t’ia jap hakun si musliman që të mësoj sa më mirë, e tjetra feja e Allahut, së cilës mundohem t’i përkushtohem dhe të lexoj. Pra, mundohem të bëj balancë mes këtyre dy gjërave, duke i dhënë përparësi fesë së Allahut. Mirëpo fle shumë, 8 deri 8 orë e gjysmë, ndërsa dëshiroj të fle jo më shumë se 5 ose 6 orë. Mundohem të ha më pak e gjëra të tjera, mirëpo nuk po e gjej recetën. Si do të më kishit ndihmuar në këtë rast si dhe duke pasur parasysh selefin, se sa pak kanë fjetur ata.
Gjithashtu shfrytëzoj rastin që t’ju falënderoj dhe përgëzoj për punën që bëni në këtë faqe. Mendoj që këtë që po bëni duhet t’jua themi ose si lavdërim ose si kritikë, nëse ka nevoje.
Vërtet po më kënaq faqja juaj: revistat, desktop poster (të mrekullueshme), temat, Pyetjet dhe përgjigjet, Power point etj., të gjitha këto janë shumë të mira.
Vërtet menjëherë si vij nga namazi i xhumasë mezi pres së pari të hap faqen tuaj dhe të shoh të rejat. Allahu ju shpërbleftë për gëzimin që po fusni në zemrat tona. Allahu ju gëzoftë atë ditë kur do të kemi më së shumti nevojë për gëzim dhe përgëzim dhe ju bëftë banorë të xhenetul Firdeusit bashkë me shehidët, të devotshmit, besnikët dhe Pejgamberët! E, sa shokë të mirë janë ata!
Ues-selamu alejkum ue rahmetullahi teala ue berekatuhu!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht jemi të gëzuar për opinionin që keni për faqen tonë. Lusim Allahun e Lartësuar që të jemi edhe më të mirë dhe të kontribuojmë edhe më shumë!

Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj, mendojmë se nuk është ndonjë problem që duhet t’ju preokupojë shumë. Sipas mjekësisë, të flesh tetë orë gjatë njëzet e katër orëve është normale, posaçërisht për njerëzit e moshës së re. Kurse te më të moshuarit sasia e orëve të gjumit mund të jetë më e vogël.
Në Islam nuk ka ndonjë përkufizim të sasisë së gjumit, por ajo që vërtetohet është se besimtari i sinqertë, i cili dëshiron ta arrijë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, rekomandohet që një sasi të natës ta kalojë në adhurim dhe në faljen e namazit të natës. Kështu vepronte i Dërguari salallahu alejhi ue selem, shokët e tij, pasuesit e tyre dhe kështu rekomandohet të veprojmë edhe ne. Gjithashtu praktikë e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, gjatë ditës ishte që në mesditë pushonte dhe bënte pak gjumë.

Sido që të jetë, ndoshta atë që ju synoni mund ta arrini pasi t`i plotësoni edhe ca vite dhe të arrini moshë më të pjekur. Atëherë mendojmë se me një planifikim dhe orar që do t`i përcaktoni vetes, do të arrini ta reduktoni gjumin tuaj. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit