“Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po i targeton palestinezët, duke i akuzuar ata për ‘shkaktimin e problemeve’, sepse e refuzuam vendimin e tij mbi Kudsin”, tha Erekat
Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) “targeton” palestinezët, bëri të ditur sot, Saeb Erekat, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), raporton Anadolu Agency (AA).
“Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po i targeton palestinezët, duke i akuzuar ata për ‘shkaktimin e problemeve’, sepse e refuzuam vendimin e tij mbi Kudsin”, tha Erekat gjatë një fjalimi që e mbajti në Universitetin e Jordanisë, në Amman.
Vitin e kaluar, Trump shkaktoi jehonë botërore pasi njoftoi planet për të zhvendosur ambasadën e Uashingtonit në Kuds dhe ta njohë qytetin si kryeqytetin e Izraelit, ku të dyja ai i bëri herët këtë vit.
“Presidenti i SHBA-ve na tha se nuk do të merrte ndonjë vendim për Kudsin, por ajo që po ndodh vetëm konfirmon se punon kundër nesh”, tha Erekat.
Ai shtoi: “E gjithë bota e quan Kudsin ‘një vijë të kuqe’. Çfarë është administrata e Trumpit, bazuar në vendimet e saj?”
Që nga hapi kontravers i Trumpit mbi Kudsin, udhëheqja palestineze në Ramallah ka hedhur poshtë ndonjë rol ndërmjetësues nga SHBA-të në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Kudsi mbetet në qendër të konfliktit shumëvjeçar të Lindjes së Mesme, me palestinezët që shpresojnë që Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, përfundimisht të shërbejë si kryeqyteti i një shteti të pavarur palestinez.