Emisioni “Insider” ka zbardhur planin ish- Qeverisë serbe për blerjen e shtëpive dhe patundshmërive të shqiptarëve në pjesën veriore të Kosovës.
Ky emision që transmetohet në televizionin B92, ka nxjerrur faktet dhe dëshmitarët që ishin përfshirë në planin serb për të spastruar nga shqiptarët zonën e veriut të Kosovës, gjegjësisht Mitrovicës dhe zonave përreth.
Në këtë biznes ishte përfshirë edhe Nebojsha Çoviq, ish-kryetar i Komisionit bashkërendues qeveritar për Kosovën si dhe Idriz Shijaku, një shqiptar i pjesës veriore, i cili ishte caktuar pronar i kompanisë “Daki”, të themeluar nga Qeveria serbe.
Miliona euro u përdorën për të blerë shtëpitë e shqiptarëve, ndërsa një metër katror paguhej prej 400 deri në 900 euro për metër katror.
“Insider” lidhur me këtë plan nxjerrë keqpërdorimet shumëmilionëshe të bëra nga ish-zyrtarët e Qeverisë serbe, ndërsa shqiptari Shijaku përfitonte vetëm 3 për qind të shumës nga çdo shtëpi e shitur. Por, skandali ka shpërthyer nga Shijaku, i cili ka folur për mediat duke nxjerrë në sipërfaqe planin për spastrimin e zonave shqiptare.
“Myslimanët (boshnjakët) i kam bindur me lehtë për t’i shitur shtëpitë e tyre ndërsa me shqiptar kam pasur problem. Unë është dashur qe te shes edhe shtëpinë time ne mënyrë qe t’i bind shqiptarët tjerë si të veprojnë”, ka shpjeguar Shijaku.
Ai ka folur se nuk kishte marrë asnjë cent në disa raste ku ishin shtëpitë. Ai ka akuzuar se disa nga shitësit e shtëpive, kryesisht shqiptarë, asnjëherë dhe akoma nuk kanë marrë paratë, për shtëpitë e shitura.
Nebojsha Çoviq ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, duke nënvizuar se nuk ka pasur dijeni për këto raste. Tani autoritetet gjyqësore serbe kanë ngritur një proces gjyqësor vetëm kundër shqiptarit Idriz Shijakut në gjykatën e Kralevë. Mediat serbe raportojnë se pritet të ngriten akuza ndaj Çoviq dhe ish-zyrtarëve të tjerë serb. (R.Demiri/INA)/kohaislame