2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Plani Ahtisaari në histori

Më të lexuarat

Të hënën Kosova përmbyll mbikëqyrjen e pavarësisë të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008-mbikëqyrje e cila buron nga plani i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari.

Të premten, Kuvendi i Kosovës miratoi me 98 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim ndryshimet kushtetuese, të cilat ia hapin rrugën përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar i përbërë nga 23 shtete evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, që kishin monitoruar zbatimin e pakos së Ahtisaarit që kur Kosova shpalli vetën shtet, pritet të marrë të hënën vendimin formal për këtë çështje.

Po më 10 shtator nisin ceremonitë dhe organizimet e ndryshme të planifikuara për të shënuar përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Në këtë kuadër hyn dhe vizita të cilën ish-presidenti finlandez Ahtisaari do t’ia bëjë vendit.

Procesi që po të përmbyllet të hënën nisi më se pesë vite më parë më 2 shkurt të 2007-ës, kur Ahtisaari ia dorëzoi draftin e parë të propozimit të tij Prishtinës dhe Beogradit duke theksuar se propozimi i tij nuk është final dhe se vendimi për statusin e Kosovës do të merrej në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Pakoja të cilën u kam prezantuar të dyja palëve paraqet një propozim kompromisi”, pat thënë Ahtisaari.

Plani i tij gëzoi atëkohë mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa u kundërshtua nga qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prek sovranitetin e shtetit serb.

Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësimin e Kosovës”.

Bindja e tyre do të realizohej pjesërisht më se dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat e ndërmjetësuara Ahtisaari që kishin filluar në korrik të 2006-tës në Vjenë, u përmbyllën në po atë qytet më 10 mars me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.

Më 26 mars Ahtisaari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.

Presidenti, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri, Agim Çeku, të cilët atëkohë udhëhiqnin Kosovën e patën cilësuar 26 marsin ditë historike për Kosovën.

“Pavarësia e Kosovës, e cila fillimisht pas planit të Ahtisaarit do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes”, pat thënë Sejdiu.

Ndërsa, Çeku- kreu i ekzekutivit kosovar atëkohë pat theksuar:

“Letra propozon pavarësi për Kosovën të mbikëqyrur në fazën e parë që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”.

Diametralisht të kundërta ishin reagimet e Beogradit zyrtar dhe ato të serbëve lokalë në Kosovë. Refuzimi i tyre për ta pranuar planin Ahtisaari u përkrah nga aleati serb-Rusia.

Pikëpamjet e ndryshme të palëve ndaj planit Ahtisaari çuan në dërgimin e një misioni fakt-mbledhës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që kishte për detyrë shqyrtimin e rrethanave për zbatimin e planit Ahtisaari.

Delegacioni pat nisur vizitën e tij më 27 prill për ta përfunduar atë me vlerësimet e tij që do t’i paraqiteshin Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ky mekanizëm, pavarësisht insistimit të përkrahësve të planit Ahtisaari, nuk arriti të gjejë konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Rusia-kundërshtuesi kryesor i planit, përdori më vonë Veto-n ndaj një propozim-rezolute të anëtarëve evropianë të Këshillit, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara e cila parashihej të zëvendësonte rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, t’ia hapte rrugën hyrjes në fuqi të planit të Ahtisaarit dhe përfundimit brenda 120 ditëve të misionit të OKB-së në Kosovë.

Të pasuksesshme rezultuan dhe bisedimet Prishtinë – Beogradit të zhvilluara deri në dhjetor të 2007-ës nën ndërmjetësimin e “Treshes” ndërkombëtare e përbërë nga amerikani, Frenk Vizner, gjermani, Volfgang Ishinger dhe rusi, Aleksandër Botsan-Kharçenko.

Më 17 shkurt të 2008-ës Kosova do ta merrte në duart e veta fatin e saj duke e shpallur (në koordimin me Bashkësinë Ndërkombëtare) vetën shtet .

Pas më shumë se katër viteve të ekzistimit si subjekt i pavarur ndërkombëtar, mbi 90 njohjeve që shtete të ndryshme ia kanë bërë këtij realiteti, Kosova po përmbyll mbikëqyrjen ndërkombëtare duke e lënë jashtë kontrollit të tërësishëm shtetëror pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

Në dyert e Prishtinës dhe Beogradit ka kohë që troket kërkesa ndërkombëtare për gjetjen e zgjidhjes për këtë problem.

Dialogu i deritashëm “teknik” i zhvilluar ndërmjet palëve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian pritet që brenda muajve të ardhshëm të ngrihet në nivel politik me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet palëve dhe zgjidhjen e çështjes së veriut.

Qëndrimin e deritashëm të Prishtinës zyrtare ndaj problemit të veriut e theksoi së fundi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Shteti ynë, Republika e Kosovës, asnjëherë dhe me askënd, nuk do të bisedojë për asnjë pjesë të territorit tonë, pra për sovranitetin tonë. Do të ketë dialog të brendshëm me qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre legjitim, do të ketë dialog edhe me qytetarët serbë në të tria komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, siç ka edhe me qytetarët tjerë, në pjesët dhe komunat tjera, përfshirë edhe ato komuna që përbëhen nga shumica etnike serbe”, u shpreh ajo.

Duke hedhur poshtë mundësinë e ndarjes, kryeministri Hashim Thaçi, tha se zgjidhja e çështjes së veriut do të jetë në interesin e të gjitha palëve të përfshira.

“Sa më herët që të zgjidhet çështja në veri, është në interesin e gjithë spektrit politik, të gjitha qeverive, sepse secila qeveri në të ardhmen do ta ketë më lehtë për t’u përqendruar vetëm në ekonomi, rend dhe ligj, në reforma demokratike, në krijimin e vendeve të reja, në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve”, theksoi ai, ditë më parë, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet vendore ende insistojnë në krijimin e një ambienti të favorshëm në veri, i cili do tua mundësonte atyre mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e komunave të reja në zonat veriore të vendit.

Si shembull për këtë merret praktika e zbatuar në 10 komuna me shumicë serbe në pjesët qendrore të Kosovës, të cilat janë krijuar në kuadër të decentralizimit të pushtetit.

Mirëpo, një nga sfidat kryesore në këtë drejtim paraqesin strukturat e paligjshme paralele serbe që veprojnë përtej lumit Ibër në Mitrovicë.rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit