0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Plaga e pavarësisë

Më të lexuarat

Edhe pesë vjet pas pavarësimit të vendit dhe gati 14 vjet pas luftës, ende mbetet i pazbuluar fati i rreth 1800 personave të rrëmbyer dhe më pas të zhdukur nga forcat serbe në luftën e viteve 1998-1999.

Koha është ndalur në familjet krushjane, sikurse edhe në shumë familje të tjera anembanë Kosovës. Të mësuar gati për çdo ditë me përvjetorë vdekjesh, për krushjanët duket se përvjetorët pavarësisë nuk e kanë përmasën e gëzimit.

Çështja e zbardhjes së fatit të të zhdukurve në luftë është kërkuar të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel, por përfaqësuesit e asociacioneve të familjarëve, thonë se, sido që të vejë puna – është kohë e fundit që të këputet ky litar i gjatë i ankthit.

“E enjte mbrëma. Bashkë me djalin e vogël, Luanin, morëm nga një shihe me ujë dhe u larguam nga shtëpia. Shkuam të strehoheshim në shtëpinë e Sahit Batushës, sepse ishte ftohtë shumë i madh. Aty kishte fëmijë të vegjël,gra që sapo kishin lindur.

Nuk kishte vend edhe për ne dhe u detyruam të flinim në mal. Dridheshim nga të ftohtit. Dikur filloi të binte edhe shi”.

Kështu e fillon rrëfimin e saj nëna Kimete Limani nga Krusha e Vogël e Prizrenit, të cilës forcat paramilitare serbe ia rrëmbyen dhe më pas ia zhdukën pa gjurmë burrin Nebiun, djalin Luanin, kunatin Limanin me të birin e tij, Avdylin, transmeton RTK.

Masakra në Krushë të Vogël konsiderohet të jetë një nga vrasjet më masive, pas Srebrenicës në Bosnje, që ka ndodhur në luftërat e ish-Jugosllavisë. Për vetëm dy ditë, më 25 dhe 26 mars të atij viti, u vranë, u masakruan dhe u zhdukën pa gjurmë 113 banorë nga ky fshat.

Përderisa Kosova po shënon pesëvjetorin e Pavarësisë së saj, rreth 1800 qytetarëve të saj ende nuk u dihen shenjat, qëkur u rrëmbyen nga forcat serbe në vitin 1999.

Ku janë? Janë të gjallë apo të vdekur? Askush nuk përgjigjet! Të gjallët sot vetëm mund ta rrëfejnë tmerrin, por dhembjes s’mund t’i japin fund.
Nënës Kimete i është ndalur koha që në ditën kur ia rrëmbyen të birin, dhe për të koha duket se nuk ecën. Për të Luani i ka 22 vjet.

“Na rrethuan tërë serbët e Krushës së Vogël e Hoçës së Madhe. Unë e pashë kur Luani erdhi, dhe i kam bërtitur sa kam mundur: O Luan, po pse erdhe? Luani ishte 22-vjeçar. Më 1 prill do t`i mbushte 23, por nuk e arriti t`i gëzojë të 23-at. Pastaj, na kanë thanë të ndahemi nga 13 vjeç deri në pleq. Ishin mbi 100 burra. Në mesin e serbëve që na rrethuan ishte edhe Rada, një serb nga Krusha e Vogël. Ai ishte i armatosur së bashku me gruan e tij. Unë iu kam drejt Radës, duke iu lutur: O Radë, për hir të Zotit, çka keni kështu me neve, Luanin dhe burrat tjerë të gjithë na i morët… Britmat e grave dhe fëmijëve ishin shumë të vështira. E kam dëgjuar Avdylin, djalin e kunatit tim që e morën edhe atë, kur iu drejtua disa policëve që ishin me maska, në mesin e të cilëve ishte edhe Dobri i Spasës: O serbë, pse jeni me maska sepse të gjithëve po iu njohim… Një grua të fqinjit, Naxhien e Ismetit, e kam dëgjuar duke bërtitur dhe duke iu lut serbëve që t`na lirojnë djemtë tanë. Por, çdo lutje ishte e kotë. Unë nuk i kam pa të rinjtë, nuk e di se kah i kanë dërguar. E kam pa vetëm burrin dhe kunatin që i kishin skajuar në një qoshe nga ishim ne. Burri me tha: A po ma banë hallall? Unë e tëra u mpiva, nuk dija se çka të bëja. Nuk dinin se as nga të shkonim. Pastaj, jemi drejtuar kah Drini i Bardhë duke bërtitur të gjithë që ishin në atë kolonë”, vazhdon rrëfimin plot vuajtje nëna Kimete.
Të gjithë burrat i kishin futur në një shtëpi të fshatit. Pastaj, shtëpisë ia kishin vënë flakën për t`i djegur të gjallë të gjithë që ishin aty brenda. Në mesin e tyre ndodhej edhe Luani. Disa thonë se Luani kishte arritur të çante nga ai krematorium dhe të ikte, bashkë me disa të tjerë, por për këtë askush nuk di të thotë askush me të saktë. Nëna Kimete nuk e ka një varr për Luanin. Për rreth 14 vjet asaj i është hequr e drejta të ketë varr për të birin.
“Këtu në fshat ka qenë një shtëpi e shkretë që ishte ruajtur për taksiratin e tyre. Thonë se të gjithë i kanë futur në atë shtëpi dhe i kanë djegë të gjallë. Mirëpo, disa njerëz thonë se djali im, Luani, kishte dalë nga ajo shpi, së bashku me disa të tjerë. Në momentet e fundit të jetës ata kanë kërkuar shpëtim. Pasi jemi kthyer prej Shqipërisë, disa që janë dal me Luanin – i kanë gjetur të vrarë, por Luanit asnjë shenjë nuk ia kemi gjetur edhe pas 14 vjetësh të zhdukjes së tij”, shton nëna Kimete.
Përderisa në Kosovë shumë asociacione qeveritare dhe joqeveritare tash e rreth 14 vjet japin e marrin informacione, kërkesa dhe ankesa nga familjarët e të zhdukurve, në territorin e Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, në thellësitë e liqenit të Peruçacit, në ish-furrat e shkritoreve të Zveçanit, vazhdojnë të ndryn i pazbuluar një krim i madh mbi shqiptarët.
Edhe një nënë tjetër nga Gjakova, që 14 vjet troket dyerve të institucioneve duke kërkuar përgjigje për fatin e të birit të saj. Është nëna Nysrete Kumnova nga Gjakova, e cila si edhe shumë nëna të tjera, disa herë ka rrotulluar kafka e eshtra njerëzish të futur në thasë të zinj, duke i kërkuar shenjat e të birit të saj. Kush mund t’i japë një përgjigje asaj dhe nënave të tjera me fatin si të saj?
“Institucionet tona i kanë harruar pothuajse të gjithë të zhdukurit. Institucionet janë të obliguara që të bëjnë më shumë për ndriçimin e fatit të tyre. Të vetmit, familjarët janë ata që po angazhohen më së shumti për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë. Ne po mundohemi që të bëjmë presion ndaj shtetit tonë, ndaj faktorit ndërkombëtar, që të na ndihmojnë të kemi një përgjigje. Në familjarët konsiderojmë se faktori ndërkombëtar, por edhe ai vendor, kanë mundur të bëjnë më shumë për t`i dhënë fund ankthit të pritjes. Dihet se kush i rrëmbeu, kush i zhduku pa gjurmë. Ata u rrëmbyen nga ish-pushteti kriminal serb. Prandaj duhet t`i kthehen tokës së tyre sepse të gjithë shkuan për një ideal. Meqë tashmë po zhvillohen edhe negociatat me Serbinë, institucionet tona duhet ta kushtëzojnë Serbinë. Kosova më në fund u bë shtet, por ky shtet u themelua mbi gjakun e atyre që u sakrifikuan, atyre që deri më sot nuk u dihet asnjë shenjë, as varr nuk kanë”, thotë Nysrete Kumnova.
Përpjekjet nga ana e familjarëve, për të ditur të paktën varrin e më të dashurve të tyre, që nga përfundimi i luftës nuk kanë të reshtur. Kadri Dellova nga Krusha e Madhe, fshat i cili ka më së shumti banorë të zhdukur, shprehet i zhgënjyer me përpjekjet e institucioneve vendore e ndërkombëtare për t`i dhënë fund ankthit të pritjeve.
“Në vitin 1999 nga Tribunali i Hagës janë gjetur 8 varreza masive, 2 krematoriume dhe shumë varre të tjera. Të vrarë janë gjetur 241 persona. 206 ishin nga Krusha e Madhe ndërsa 35 – mysafirë të strehuar në Krushe të Madhe. Pas përfundimit të luftës, në listën e personave të pagjetur kanë figuruar 121 veta, në mesin e të cilëve ishte edhe profesor Ukshin Hoti, i zhdukur pa gjurmë më 16 maj 1999 në burgun e Dubravës. Tani në Krushën e Madhe nuk dihet edhe për fatin e 67 personave në mesin e të cilëve edhe profesor Ukshin Hoti. Dhimbja në Krushën e Madhe po vazhdon edhe më tutje, sepse ne ende nuk dimë ku janë djemtë tanë. Ka familje që tani e 14 vjet, për çdo vit e varrosin nga një person. Jeta çdo ditë e më e rëndë po bëhet në Krushën e Madhe, sepse çdo ditë jemi duke jetuar në ankth dhe në pritje se kur po na kthehen eshtrat e më të dashurve tanë. Ne apelojmë tek faktori ndërkombëtar, sidomos në takimet e fundit që po mbahen ne Bruksel, që më shumë të bëhet trysni ndaj palës serbe që të jepen informata për personat e pagjetur. Të paktën – le të na kthejnë kufomat dhe t`i varrosim ashtu siç i ka hije”, thotë Kadri Dellova.
Deri më tash në Krushë të Vogël janë identifikuar dhe rivarrosur vetëm 27 persona. Agron Limani nga ky fshat, thotë se banorët e Krushës së Vogël tashmë i kanë publikuar emrat e atyre që dyshohet të kenë qenë pjesëmarrës të masakrës. Sipas tij, shpresa e familjarëve ishte se publikimi i emrave do të ndihmonte edhe në ndriçimin e rasteve për personat e pagjetur.
“Autorët e krimit në Krushë të Vogël dihen me emra e mbiemra, për faktin se shumica e tyre kanë qenë serbë nga ky fshat. Për këtë arsye popullata jonë ka mbledhur informacionet që janë grumbulluar. Kjo falë edhe shpëtimit të gjashtë dëshmitarëve nga ajo masakër. Materiali i cili përmban informacione relevante është dorëzuar në institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me shpresë se përmes ngritjes së aktakuzave kundër atyre që janë përgjegjës për krim, pos që do të sillet drejtësia, do të ndihmohet edhe në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, sepse nga ky fshat janë edhe 86 persona tjerë që figurojnë si të zhdukur. Deri më tani ne jemi të pakënaqur me sjelljen dhe përgjegjësinë e institucioneve vendore e ndërkombëtare”, thotë Agron Limani.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, jep pak shpresa që të ndriçohet fati i të gjithë të zhdukurve, duke pasur parasysh metodat që Serbia i ka përdorur në eliminimin e shqiptarëve në Kosovë.
“Në vitin 2011 është iniciuar çështja e dialogut dhe është formuar grupi punues, gjegjësisht delegacioni që do të zhvillojë biseda në kuadër të bisedimeve teknike. Mirëpo, ende nuk ka ardhur në radhë ajo çështje. Ne kemi premtime edhe më tutje se kjo çështje të jetë në prioritet dhe të shtrohet në rend dite në mënyrë që të marrim informacione. Por, për një numër të personave është vështirë të dihet fati i tyre shkaku i djegieve që janë bërë nëpër krematoriume të ndryshme”, thotë Prenk Gjetaj.
Punën e institucioneve ndërkombëtare dhe pranimin e fajësisë për krimet e bëra në Kosovë nga ana e Serbisë, i kritikon edhe kryetari i këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala.
“Me vet faktin se tani në krye të Serbisë kanë ardhur Tomislav Nikoliq dhe Ivica Daçiq, tregon se Serbia atje ende nuk është e gatshme ta pranojë fajësinë. Mirëpo, në këtë aspekt, faji bie edhe mbi bashkësinë ndërkombëtare, sepse ajo për shkak të opozitetit politik e ka lejuar këtë, dhe nuk ka bërë asnjë veprim që ta detyrojë Serbinë për ta pranuar fajësinë. Tani është shumë mirë që edhe Tribunali i Hagës po e përmbyllë misionin e tij në Kosovë. ky tribunal nuk mund të lavdërohet me punën që ka bërë deri më tani dhe nuk mund të jetë një tribunal që do të jetë shembull për të ardhmen për parandalimin e konflikteve në vende tjera, sepse shumë herë ka marrë vendime në ndikim të politikës dhe madje vendime shumë të çuditshme”, thotë Behxhet Shala.
Më në fund, pas 13 vjetësh, një institucion i drejtësisë ka filluar hetimin për masakrën e Krushës së Vogël. EULEX-i kishte njoftuar se nga Prokuroria e Qarkut në Prizren ka filluar zyrtarisht hetimet për krime të luftës, të kryera në fshatin Krushë e Vogël, më 25 dhe 26 mars të vitit 1999. Gjatë hetimeve prokuroria ka identifikuar 56 të dyshuar, të cilët do të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile.
E, nga Viktimorja e Lirisë – Krusha e Vogël, shqiptarët kanë e kanë vetëm një porosi fisnike:
“Ne nuk kërkojmë hakmarrje, ne kërkojmë drejtësi!”.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit