1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Pjesëmarrja në lojërat shpërblyese komerciale të qendrave tregtare?

Më të lexuarat

Pyetja:

Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.
Desha të di lidhur me disa hippermarkete të cilat organizojnë lojë shpërblyese me rastin e blerjes së mallit në ato markete. A është e lejuar që të blihet për këtë qellim (për të fituar p.sh. shpërblimin e premtuar) dhe po qe se nuk e ke qëllimin për të fituar shpërblimin, a lejohet të merret ajo në rast se të bie fati, po ashtu edhe për paketime të ndryshme ku në to mund të rastisë se ti ke fituar njërin nga shpërblimet.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Lojërat shpërblyese të cilat i organizojnë qendrat tregtare sikurse hipermarketet ose edhe prodhuesit, me qëllim të rritjes së shitjes ose promovimit të një mallit të caktuar, është një risi e cila nuk ka qenë e njohur në të kaluarën. Kjo metodë e reklamimit të mallit është disa lloje dhe njerëzit vazhdimisht shpikin forma të reja të lojërave me qëllim të joshjes së klientëve. Juristët Islam bashkëkohorë e kanë shtjelluar këtë problematikë, madje kemi edhe disertacione të magjistraturës dhe doktoraturës në të cilat trajtohen këto lojëra duke i klasifikuar ato.

Në vazhdim do t’i përmendim vlerësimet e dijetarëve islamë në lidhje me këtë, mirëpo paraprakisht do t’i përmendim disa lloje dhuratash ose lojërash që i organizojnë qendrat tregtare, që janë të qarta se lejohen ose ndalohen.

Llojet të cilat lejohen, respektivisht ndalohen me pajtim të juristëve islamë

1. Që klienti ta blejë një kupon apo tiketë me çmim të caktuar, pa marrë ndonjë mall tjetër për atë blerje dhe kështu ai bëhet pjesëmarrës në garën për tërheqjen e shpërblimit, pavarësisht se çfarë mund të jetë ai shpërblim: makinë, banesë, televizor, etj. Ky lloj lojërash shpërblyese është i ndaluar rreptësisht pasi është lotari dhe bixhoz i kulluar, njëri nga mëkatet më të mëdha. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!” (Maide, 90).

2. Disa qendra apo ndërmarrje tregtare e prodhuese, përgatisin disa dhurata të thjeshta për klientët e tyre, sikurse: lapsa, kalendarë, mbajtës të çelësave, fanella dhe gjëra tjera, në të cilat shkruhet reklama e një produkti të caktuar, apo edhe reklama e firmës. Këto dhurata u shpërndajnë klientëve të rregullt, ose e bëjnë shpërndarjen gjatë një kampanje reklamuese nëpër pika të caktuara, njerëzve që kalojnë andej pari. Ky lloj dhuratash është i lejuar me pajtim të dijetarëve dhe në këtë nuk ka ndonjë pengesë që do ta ndalonte.

Këto dy lloje dhuratave janë të qarta dhe në to nuk ka ndonjë komplikim që do ta vështirësonte kuptimin e dispozitës përkatëse.

Llojet për të cilat ka mospajtim te juristët islamë

Format të cilat janë pak më të ndërlikuara dhe për të cilat ka vlerësime te dijetarët janë këto:

1. Që klienti të blejë një produkt të caktuar nga hipermarketi, ose disa produkte derisa ta arrij një shumë të limituar (p.sh. 20 euro) dhe për këtë blerje ti jepet një kupon që të merr pjesë në tërheqjen e shpërblimit ose disa shpërblimeve të ofruara nga kompania tregtare ose prodhuese, sikurse: makinë, banesë, lavatriçe, etj.

2. Që klienti të blej një produkt të caktuar, ose disa produkte derisa ta arrij një shumë të limituar dhe për këtë ta fitoj një kupon. Kështu, klienti në një kohë të caktuar (një muaj ose dy) vazhdon të mbledh kuponë, derisa ti mbledh p.sh. dhjetë ose pesë. Ata që arrijnë ti mbledhin kuponët e kërkuar, fitojnë nga një dhuratë, pa tërheqje, p.sh. një komplet me enë, ose edhe 10 për qind lirim, ose nëse e mbush makinën me dizel pesë herë, fiton gratis pastrimin e makinës, etj.

Këto dy lloje lojërash shpërblyese janë temë diskutimi mes dijetarëve bashkëkohorë, për faktin se bazohet në një masë në fat dhe arritja te pasuria bëhet pa ndonjë investim dhe mund, kjo në një aspekt mund ti ngjaj bixhozit. Për këtë Komisioni i Përhershëm për Fetva (Lexhne Daime) i Arabisë Saudite në një fetva të tij,[1] e jep mendimin se këto lojëra shpërblyese nuk lejohen.

Dijetari i mirënjohur bashkëkohor hanefit Mustafa Zerka, Allahu e mëshiroftë, në fetvat e tij i lejon këto lojëra shpërblyese vetëm nëse shpërblimi nuk është i madh, pra të mos jetë makinë, banesë, etj. Në anën tjetër nëse shpërblimet janë të vogla, atëherë ai thekson se janë të lejuara.[2]

Ndërsa dijetari i mirënjohur Muhamed Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, në një sqarim të tij[3] thekson se këto lojëra shpërblyese që tani janë përhapur nga kompanitë e mëdha me të cilat ata reklamojnë dhe promovojnë shitjen, janë të lejuara, por ai i vendosë dy kushte:

– Kushti i parë:

Çmimi i produktit që blihet të jetë i njëjtë, pra të mos jetë malli, të cilin do ta blejmë dhe për atë blerje do ta fitojmë të drejtën për pjesëmarrje në lojën shpërblyese, më i shtrenjtë se sa kur ai do të blihej në rrethana të zakonshme. P.sh. nëse blejmë një pako pije freskuese dhe me atë blerje bëhemi pjesëmarrës në tërheqjen e shpërblimit në lojën shpërblyese, çmimi i asaj pakoje duhet të jetë po i njëjti edhe në rrethanat kur nuk do të kishte lojë shpërblyese.

– Kushti i dytë:

Klienti mos ta blejë mallin vetëm me qëllim të pjesëmarrjes në lojën shpërblyese, por ta blej mallin që ka nevojë për të. Nëse ai e blenë atë vetëm për qëllim që ta fitoj mundësinë e pjesëmarrjes në lojën shpërblyese dhe jo se ka nevojë për atë produkt, atëherë kjo konsiderohet harxhim i pasurisë kot, sikurse të blej njeriu një pako qumështi por nuk ka nevojë për të dhe ta derdh atë. Në këtë rast nuk lejohet, pasi që kjo bënë pjesë në harxhimin e pasurisë kot, një veprim i ndaluar nga i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

Përfundim:

Vërehet se këto dy kushte të përmendura janë mjaftë të qarta dhe i vejnë në binarë të shëndosha këto lojëra shpërblyese. Prandaj lejimi i këtyre lojërave shpërblyese me këto kushte dhe kondita të përmendura nga dijetari Muhamed Ibën Uthejmin, është mjaft e qëndrueshme. Gjithashtu edhe Akademia e Fikhut Islam pranë Konferencës Islamike, në një nga vendimet e tyre i shohin të lejuara lojërat shpërblyese, nëse janë pa ndonjë kompensim nga ana e klientit.[4]

Sido që të jetë problematika e dhuratave dhe lojërave shpërblyese komerciale është mjaftë e degëzuar, për faktin se vazhdimisht kemi shpikje të reja nga ana e kompanive tregtare në këtë fushë.

Alaudin Abazi

[1] Fetava Lexhne Daime, Vëll. 15, f. 195.

[2] “Fetava Mustafa Zerka”, f. 513-514.

[3] “Lika`atel Babil Meftuh” (49/pyetja nr 5).

[4] Akademia e Fikhut Islam, janar 2003, vendimi nr. 127 (1/14).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit