Nga: Tarik Ramadan
Piketat e larta në Siri – Tarik Ramadan
Shifrat tregojnë një rrëfenjë alarmante: në më pak se dy vjet më shumë se 60 000 njerëz kanë vdekur në Siri. Qysh nga gushti i vitit 2012, më shumë se 5000 siriavë janë vrarë çdo muaj, një normë kjo prej pothuajse 170 në ditë. Bashkësia ndërkombëtare duket e pafuqishme ashtu si edhe përfaqësuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Lakdar Brahimi i cili paraqet draft propozime dhe nga ana tjetër presidentët dhe kryeministrat shqiptojnë fjalë të bukura…. Dhe ende lufta civile dërrmon, me raportet e përditshme të masakrave dhe manipulimit. Mes konfuzionit, ne duhet të mbajmë në mend disa parime themelore përpara se të përpiqemi të nxjerrim konkluzione. Tashmë nuk është koha për naivitete dhe iluzione.
Bashar al-Asadi udhëheq një regjim të ngritur mbi shtypjen dhe korrupsionin, një regjim që kurrë nuk ka hezituar- duke filluar qysh nga sundimi i gjatë i hershëm i babait të tij- të vrasë dhe të torturojë me qindra mijëra nga kundërshtarët e tij. Terrori është bërë politikë e brendshme. Roli i Sirisë në Liban, ku ajo mbështeti një rrjet të koklavitur të aleancave dhe shfrytëzoi përçarjet e brendshme, ka qenë i vrazhdë në më të mirën e saj. Në frontin e Izraelit, teksa ajo qëndronte e akuzuar për mbështetjen pa dallim të grupeve të rezistencës palestineze, Siria u ka ofruar udhëheqësve të njëpasnjëshëm në Tel Aviv një “kundërshtar me vlerë”. Përtej retorikës së saj të ashpër dhe nganjëherë të zjarrtë, qeveria siriane ka qenë pasive interesante, edhe pas sulmit të drejtpërdrejtë të Izraelit, kur një strukturë e dyshuar bërthamore u shkatërrua në shtatorin e vitit 2007.
Siria së bashku me Iranin, është paraqitur si një armik i interesave Perëndimore, si një vend që nuk mund të besohet, dhe nga e cila mund të pritet më e keqja. Por kur sirianët filluan të dalin nëpër rrugë, dhe kur me qindra civilë po vdisnin nga duart e ushtrisë së regjimit, do i duhej më shumë se tetë muaj administratës amerikane dhe qeverive evropiane për të ndryshuar vijën e tyre melodike- dhe politikat e tyre ndaj Sirisë. Guximi dhe vendosmëria e popullit sirian nuk reflektonte planet dhe interesat Perëndimore në rajon. Për më shumë se tete muaj, Shtetet e Bashkuar dhe Evropa nuk bënë asgjë më shumë se thirrjet mbi Beshar al-Asadin për të ndërmarrë reformat “demokratike”.
Me shpërthimin e kryengritjeve në Egjipt, Tunizi, Libi dhe Jemen, me rritjen e lartë të tensioneve në Jordani dhe Bahrejn, si dhe me fuqinë në rritje kanosëse të Iranit në horizont, Perëndimi luajti me kohën dhe kërkoi bashkëbiseduesit e besueshëm brenda opozitës grindavece dhe të përçarë siriane. Në të njëjtën kohë, Rusia dhe Kina ndoqën ofensivën e tyre strategjike. Të dyja vendet kanë një profil në rritje gjeostrategjik dhe ekonomik në rajon, dhe të dyja ishin kritik të ashpër të ndërhyrjes në Libi, ku një rezolutë e OKB-së u siguroi pretekstin e duhur fuqive perëndimore, që u duhej për të eliminuar Kadafin dhe për të marrë mbi vete burimet natyrore të vendit. Por asnjëri prej protagonistëve nuk kishte stomak, për një ripërsëritje të skenarit libian.
Pozicionet amerikane dhe evropiane janë zhvendosur muajt e fundit, ndërsa presioni ndaj qeverisë siriane është rritur. Mbështetja zyrtare për opozitën Siriane dhe Ushtrinë e Lirë Siriane është rritur. Arabia Saudite dhe Katari kanë dal në pah si pjesëmarrës të plotë, duke duke financuar dhe armatosur në mënyrë të drejtpërdrejtë opozitën politike dhe ushtarake. Turqia fqinje ndryshoi politikën e saj “ asnjë problem me fqinjët “ kundrejt një mbështetjeje aktive për ndryshimin e regjimit në Damask. Ndërkohë, Pekini dhe Moska, kanë vijuar të mbështesin Beshar al Asadin (teksa kanë lënë të kuptohet se ata mund të mendojnë një të ardhme edhe pa të). Dhimbshëm dhe vazhdueshëm, janë manovruar të gjitha pjesët e tabelës së shahut në mënyrë që të krijohet një ngërç (pat). Asnjë rezultat politik dhe ushtarak nuk duket i mundur, teksa lufta civile tejzgjatet dhe numri i vdekjeve rritet nga dita në ditë.
Në terminologjinë amerikane, Siria është bërë teatri i një “konflikti me intensitet të ulët “ rajonal, që është nën kontroll dhe cinikisht më shumë i dobishëm sesa i dëmshëm. Përfitimet mund të provohen si të konsiderueshme në të dyja si në aspektin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë. Lindja e Mesme po destabilizohet thellë dhe po ndahet ndjeshëm në shumë fronte: politikisht, tensionet mes sekularistëve dhe islamikëve mbeten të larta, ndarjet mes Sunitëve në vetvete janë të prekshme (literalistët Selafistë, reformistë, Selafistët xhihadistë etj) dhe fraktura ndërmjet Sunitëve dhe Shiitëve ka dalë në pah si një nga faktorët kyç në ekuacionin e paqëndrueshëm të Lindjes së Mesme.
Këtij krijimi shpërthyes duhet ti shtohen aleancat politike, të vjetra dhe të reja: shtetet jodemokratike dhe pro-perëndimore të Gjirit, ndryshimi i fytyrës së pushtetit në Egjipt, Tunizi dhe Libi, paqëndrueshmëria në Irak dhe Liban dhe përfundimisht izolimi i Iranit. Lindja e Mesme është në grahmat e krizave dhe Perëndimi, ashtu si edhe Kina dhe Rusia (për të mos përmendur Turqinë dhe Indinë) po përpiqen për të ripozicionuar vetet e tyre dhe për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike dhe gjeostrategjike. Ndryshimi në fokusin e tensioneve ka punuar në favor të Izraelit: vendi po kalon një krizë të brendshme, por dobësimi dhe përçarja e vendeve Arabe e lejojnë Izraelin, aleatin e Amerikës, të ruajë dhe forcojë bashkëpunimin dhe koordinimin, si dhe të lejojë për regjimin e saj vijimin e papenguar të kolonizimit të paepur të tokave Palestineze.
Ne mund -dhe duhet- të kundërshtojmë regjimin autokratik të Bashar al-Asad, por pa rënë në kurthin e thjeshtëzuar e konfliktit, apo të verbojmë mbështetjen për rezistencë. Opozita siriane, për shkak të strukturës së saj, nuk frymëzon besim; nga ana tjetër disa prej aleatëve të saj, duke gjykuar nga qëllimet e tyre të deklaruara dhe të padeklaruara, janë parë si rrezik i drejtpërdrejtë . Në tablonë e konfuzionit në rritje, ne duhet të kombinojmë një pozicion parimor (kundërshtimi ndaj diktaturës) me analiza politike dhe vigjilencë që nuk lë hapësirë për naivitete (mbështetje pa kushte për opozitën). Perëndimi, Rusia dhe Kina duket se kanë rënë dakord që të pajtohen në një afat të shkurtër, një cinizëm ky, të cili Sirianët po e paguajnë me jetët e tyre. Më e keqja e të gjithave është se nuk ekziston asnjë alternativë e besueshme, dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveçse asaj të imponuar me forcën e armëve. Konflikti do të jetë i gjatë dhe i hidhur; mijëra të tjerë do të vdesin. Edhe nëse çlirohet nga despotizmi, duket e largët siguria se populli sirian do të jetë i lirë nga dominimi i huaj. Në fakt, nga larg, e kundërta duket si rezultati më i mundshëm.
Perktheu: Ervin Hakorja
…