-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

“Pesha e lotit të nënës” – Tregim nga Tahir Bezhani

Më të lexuarat

Në moshën e saj të re, nënës Zojë, i dukej gjatë të ndahej dita e nata mes veti. Trupi i saj zgjohej herët nga shtrati, sapo dielli prekte majat e larta të bjeshkëve, mbaronte punët e mëngjesit dhe vazhdonte me planet e ditës. Lëvizte nëpër shtëpi e oborr si një flutur mëngjeseve të hershme. Kur zgjoheshin shoqet e saja dhe fillonin punët e ditës, nëna Zojë veç i kishte kryer rangët e shtëpisë. Pastaj, u bëhej krah pune edhe djemve, të cilët kishin marrë shtat të mbarë, por herë herë nuk e lejonin të lodhej edhe me punë fushe. Mjaft ke punët e shtëpisë nënë- i thoshin. Janë edhe katër motra, futi në punë të ndihmojnë nëno, mos vetëm të gjitha, shkatërrohesh herët, oj lokja jonë…
Koha ikte shpejt, si nëpër gishtat e duarve, e ajo filloi ta ndiejë lodhjen nga punët, por edhe nga mosha. Kishte rritur shtatë fëmijë, tre djem e katër vajza, që u bënë fisnikë, të urtë, të dashur, për të dhënë shembull në tërë fshatin Çukinë. Nënë Zoja, sikur fluturonte kur dëgjonte fjalë të mira e lëvdata për shtatë fëmijët e saj. I rritej shpirti kur e shihte rreth vetes frytin e jetës dhe mundin e saj.

I mbetën të gjitha në krye-thoshin banorët e Çukinës. Të gjorën e la herët burri, me një kerr fëmijë dhe ia doli për lakmi… Kur pinin kafe e llafoseshin mes veti gratë e rrethit, fjalët ishin të ndryshme, sipas “dëshirave”. Nga xhelozia, ndonjëra thoshte: “ hajt grua, Zoti i ka rritë, i kanë ngjarë babës së vet, ishte i mençur! Tjetra thoshte, mos flisni me inati, a e dini ju se kur ngrihet prej shtrati, dada Zojë?… Nuk pushon tërë ditën, vetëm kur han një kafshore bukë.”! Kështu bisedonin granimi për nënën Zojë…
Koha si faktor jete, ecte me shpejtësinë e paparë dhe në përpëlitjet e saj, sillte ndryshimet e papritura në raport me situatat që sapo vinin duke u ndërlikuar, jo vetëm për nënën Zojë, por edhe për secilën nënë e baba.Kur situata politike rëndoi së tepërmi në Kosovë, nga reprezaliet serbomadhe, djalëria zbrazte Kosovën çdo vit e më tepër, duke emigruar në perëndim, për të siguruar bukën e gojës.Shpendi, Agimi dhe Luli, të tre djemtë e nënës Zojë, ikën, morën në sy botën, shkuan në Zvicër e Gjermani. Ndërsa, nëna Zojë, mbeti me katër vajzat e saj, trupi i të cilave rritej si fieri. Mbetja me katër vajza, i kishte sjellë siklet të rëndë, nga se i druhej situatës së keqe. Tërë natën nuk flinte prej frikës se mos po ndodhte ajo e padëshirueshmja…
Shpesh, natën, në kullën e saj, bënte rojën e çdo gjëje, me kujdesin si të ishte burrë. Me armë në dorë, në mesnatë, kur dëgjonte të lehurat e qenve, në frëngjitë e kullës fustee kokën lehtas, përgjonte oborrin e çdo imtësi, pastaj kur konstatonte se nuk ka dyshime, futej nën jorganin e saj, në një dhomë me vajzat.
Shpesh thonë, në jetën e njeriut, fati ecën para, si hije, prin për të mirë ose për keq, dashje e pa dashje. Andaj, kudo u dëgjua për bukurinë dhe karakterin e vajzave të saj. Ato, morën namin në Rekë për karakter dhe si vajza të dukshme. Me pëlqimin e tyre, por edhe të tre vëllezërve, u fejuan dhe shkuan në shtëpitë e tyre. Një thënie nga populli se “vajza lind në shtëpi të huaj e vdes në shtëpi të vet”, këtë herë, ishte si një dhuratë për nënën Zojë. Pas martesave të katër vajzave të saj, ajo dukej më e qetë, sepse, nga trupi e shpirti kishte hequr një ngarkesë, ndihej e lirë dhe krenare që me faqe të bardhë ishin martuar katër vajzat e saj.
Se jeta e njeriut është një teatër, ku rolet i cakton fati i jetës, këtë nuk mund ta mohojë askush. Të gjithë e dinë se çfarë ka kaluar, askush nuk e di se çfarë do na sjellë jeta deri në fund. Populli ynë, me karakteristikat e veta specifike, me pervojën e jetës, ka trajtuar shembuj të lloj-llojshëm ngjarjesh, të cilat kanë lënë në vetëdije, si trashëgimi, edhe aspektin filozofik të jetës me gjitha katrahurat e saj. Se nuk ka jetë të këndshme nga fillimi e deri në mbarim, kjo është provë e jetës… Prandaj, nga kjo lind edhe ajo se njeriu në moshën e re mund të përballet me të gjitha vështirësitë, ndërsa mosha e vjetër nuk e mban ngarkesën, kur eshtrat fillojnë të “futën” në njëri tjetrin, të zvogëlojnë edhe trupin…
Jeta i ngjan një lumi, i cili jo rrallë di të çmendet nga valët e tërbuara, dhe para vetes bart krejt çfarë has rrugës. Edhe nënë Zoja, u ngjan këtyre valëve, të cilën e sprovuan fort gjatë gjithë jetës. Nuk e kishte menduar kurrë se një ditë, në moshë të shtyrë, nuk do i kishte afër zemre ata që i lindi e i rriti me mund e sakrificë të madhe. Mëngjeseve kishte mbetur duke i shikuar shpatet e thara vjeshtake, gjelbërimin pranveror, pamje të cilat ia mbushnin sytë me lot e gjatë nuk pushonin…
Fëmijët iu kishin martuar në kurbet për letra. Rrallë i vinin, duke u arsyetuar me “punët e shumta”, vajzat ishin në “derë të huaj”, ashtu që nuk i dilte llogaria e mendimeve se pse ajo mbetej vetëm në atë moshë të shtyrë. Me sy të mbushur lot, shpesh i sillej vërdallë fjala e dëgjuar se “pela pas shtatë mëzave e ka barrën edhe më të rëndë….”! Nga malli për nipa e mbesa, nuk kishte qetësi shpirti i saj, të cilët tani kishin filluar edhe në shkolla atje në kurbet. I përfytyronte, duke i thirrë emrat e tyre:
-Mërgim, qafe gjyshen, shtrëngoje fort, fort- fliste me vetën, ulur në stol afër një stufe në këndin e oborrit, tek një kumbull verore
Përtej gardhit, shpesh dëgjonte zërin e ndonjë gruaje, e cila i thoshte: – me kënd je duke folur, oj dada Zojë?!…
-O me të mirin tim, bukuroshin e gjyshes, Mërgimin! -përgjigjej Zoja.
–Po a ka ardhur, a?! -pyeste fqinja?
–Jo moj grua, po malli më ka marrë! -heeeuuu dhe ofshani!…
Me këtë përjetim u fut brenda në shtëpi, përgatiti mëngjesin dhe shtriu trupin e dërmuar në shtratin e saj, pastaj ndezi një televizor të vogël, dhe duke e shikuar, e zuri gjumi plot ëndrra.
Kaluan shumë vite me shumë shpresa për loken Zojë, se një ditë do kthehet njëri prej tre djemve në vatrën e shtëpisë, do kujdesen për të në pleqërinë e thellë, por besa, pse jo edhe për vdekjen…
Në vitet e pasluftës, Agimi, djali i dytë, nënës Zojë ia bleu një celular dhe e ushtroi për ta përdorur. Pas pesë ditësh, iku për në Gjermani. Nga atje filluan të thirrin me radhë, djemtë, nipat e mbesat e herë- herë edhe rejat. Ndiente kënaqësi kur fliste me djem, nipa e mbesa, i dukej se po i shikonte me sy. Por gjatë bisedës, ata nuk ia shihnin lotët e mallit. Kur nëna u thoshte: -”hajdeni ma, boll keni fituar para, ejani në shtëpinë e Juaj”! – ata qeshnin…
Pos bisedave me telefon, gjithnjë e ma rrallë i vinin pushimeve. Të tre djemtë arsyetoheshin me “punë të shumta”, ndërsa stinës të verës, me fëmijët e bashkëshortet e tyre, rreziteshin plazheve të ndryshme Evropës, ndërsa nëna Zojë, ishte futur në pleqëri të thellë, i duhej shpesh ndihma mjekësore…
* * *
Disa vite më vonë, në një ditë qershori me diell të nxehtë, Binak Bregut nga fshati Rrezginë, i bie telefoni dhe merr njoftimin urgjent se motrën e kishte në spital, të sëmurë rëndë. Përpiqet të dijë nga kush e mori lajmin, por nga zëri përmes telefonit, mundi vetëm të mësonte se motrën e kishte në repartin e internistik të qytetit më të afërt. Binaku u ndie keq dhe filloi t’i ngrysej fytyra, e kaploi një dozë dhimbjeje për të vetmen motër që kishin tre vëllezër. Pa pritur shpejt e shpejt nderroi rrobat dhe doli nga shtëpia. Në të dalë e njoftoi bashkëshorten për rastin dhe eci drejt spitalit të qytetit.Duke shikuar nëpër dhoma të spitalit me radhë, e pa në këndin e një dhome, afër dritares, motrën Sose, e cila kishte mbyllur sytë dhe me zor merrte frymë. Iu afrua te koka, e përqafoi pa bërë zë, ia ledhatoi fytyrën e djersitur, e më zë të ultë, duke i thënë “motër tash të kalojnë dhimbjet, mjeku është i mirë, mos u merakos”. Motra Sose, duke njohur nga zëri të vëllanë, hapi sytë dhe me duar, kërkoi të ulet dhe ta përqafoi. Binaku ndenji te koka e saj deri sa i kaloi gjithë ai mundim motrës Sose.
Pas pak kohe, në të njëjtën dhomë, dy veta e sollën një grua të moshuar, e vendosen në krevat dhe ikën në drejtimin e tyre. Gjendja e saj ishte tejet e keqësuar. Infermieret ia banë shërbimet e duhura, por nuk e dinin se për kënd bëhej fjalë, për administrimin e të dhënave. Erdhi një tjetër infermiere, ishte e vjetër dhe ajo e njohu pacienten e saj, duke ia treguar edhe emrin. Ajo, u tha kolegeve të saj se kjo është ajo nëna Zojë, nga fshati Çukinë, e vetme, nuk ka askënd në shtëpi. Djemtë e vajzat i ka jashtë, të painteresuar fare për nënën, vetëm përballet me vetminë dhe terrin e natës së fshatit…
Por, si duket nuk e ka gjatë, e kanë përfshi të gjitha sëmundjet përnjëherë. Jepjani ndihmën maksimale!…
Në darkë, duke ia dhënë ilaçet, infermieria kujdestare e pyeti : ” a je më mirë nëna Zojë”?
-Po, po lokja ma “mirë” bën shpejt!..”, por po ju lë një porositi, si çikës sime: “këtë jastëkun tim, të ulur në lot malli e djersë dhimbje, çomani te shtëpia, ta shohin djemtë, t’i marrin erë lotit të nënës që e shpon tokën !…Ndoshta vijnë në varrim!”
Binak Shpatit, që rrinte afër kokës së motrës, i rrodhën lotët si rigë shiu. U ndie i prekur dhe i fyer nga një pakujdesi aq e vrazhdë njerëzore. Lajmi mori dhenë. Përfolej shumë rasti i lokes Zojë, duke e përdorur edhe si shembull negativ të traditës sonë…
Pasi mori ndihmën nga mjeku dhe infermierja, filloi të këndellet, por ofshamat dhe lotët e saj ishin të pandalshme. I thërriste djemtë me emër, si në jermi. Keqardhja ishte e madhe nga të gjithë pacientët e dhomës. Të nesërmen në mëngjes, dha shpirt, duke përsëritur ndër dhëmbë emrat e tre djemve e të shumë nipave e mbesave, të cilët iu varën bebëzave të syve si hije malli…
Në varrimin e lokes Zojë, morën pjesë shumë qytetarë. Duke ndier keqardhje, për ikjen e saj përmallshëm për fëmijët, nipat e mbesat, për dinjitetin e saj sojnik, qëndresën në kohë të vështira, sa ishte e fortë me shëndet, i shprehnin ngushëllime njëri tjetrit.
Në varrim morën pjesë tre djemtë e saj, pa nuset e tyre. Gjatë varrimit u shkrehen në vaj, grithnin fytyrën, kokën, shkulin flokët. Njëri nga kushërinjtë, duke u shprehur ngushëllime, iu tha të tre djemve: ”nëna ua ka lënë një jastëk mbi të cilin i ka dalë shpirti. Ka lënë porosi t’ua dhurojmë juve, që t’ia ndieni erën e lotit dhe të mallit për juve…”!

Gjakovë,Janar 2019

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit