10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Pesë nga automobilat më të shpejtë në botë

Më të lexuarat

Për një kohë të gjatë të gjithë e kanë konsideruar periudhën 1960-1970 si kohën më të ndritur të automobilizmit. Automobilat muskuloz me stil sportiv si Ferrari e Lamborghini shkëlqenin në gara dhe modelet tjera të panumërta e bënë këtë periudhë si “kohë të artë” të automobilizmit.

Sidoqoftë, kjo nuk është më e vërtetë. Nga standardet e sotme, këta automobila të “gjeneratës së artë” konsiderohen shumë të ngadalshëm dhe të mërzitshëm, shkruan sot “Koha Ditore”. Sigurisht që ata u lavdëruan dhe zgjonin kërshërinë e të gjithëve, por sot nuk janë asgjë në krahasim me modelet e reja. Tani mund të blihen automobila me mbi 500 kuaj fuqi dhe që s’janë shumë të shpejtë.

Në listën e mëposhtme mund të gjeni pesë automobilat që konsiderohen si shumë të shpejtë. Janë disa nga automobilët më të shpejtë në botë dhe që janë në shitje.

Hennessey Venom GT


Për kohë të gjatë, John Hennessey ishte njohur për superautomobilat e shpejtë, Viper dhe Corvette. Më pas ai pati probleme me këto modele dhe u hodh në aksion për autombilin e parë të krijuar krejt nga kompania e tij, Venom GT. Ky superautomobil ka motor 7.0-litërsh twin-turbo me 1200 kuaj fuqi. Vitin e kaluar Venom GT u shpall automobili më i shpejtë i prodhuar në planet, pasi arriti shpejtësinë prej 435.31 kilometrash në orë.

Gjithsesi, prodhimi i automobilit ende nuk ka përfunduar. Hennessey po ashtu është duke punuar në një model Venom F5, që do të jetë pasardhës i modelit GT. Sipas spekulimeve, Hennesey po kërkon motor me më shumë se 1400 kuaj fuqi dhe që arrin shpejtësinë maksimale më shumë se 466 kilometra në orë.

Koenigsegg One:1


Nëse ka kompani që përdor magji për të konstruktuar automobila, kjo është Koenigsegg. Kur kompania u themelua dhjetë vjet më parë, askush nuk i kushtoi vëmendje. Atë kohë u mendua se Koenigsegg do të ishte një tjetër kompani që synonte rivalizimin e Ferrarit. Por, kjo nuk ndodhi dhe tash kompania është një prej liderëve sa i përket shpejtësisë në botë.

Modeli One:1 është hiperautomobili i parë i kompanisë. Kjo supermakinë ka raport 1:1 sa i përket fuqisë dhe peshës, pasi që Koenigsegg: One:1 ka 1340 kuaj fuqi dhe peshon 1340 kilogramë. U konstruktua me aerodinamikë të përsosur për të thyer rekordin e shtegut famëkeq Nurburgring.

Shpejtësia maksimale që kjo “bishë” mund ta arrijë është rreth 440 kilometra në orë.

McLaren P1


Kudo që të shkoni në jug të Francës ose nëse bëni xhiro në “Circuit of the Americas”, shtegun më të njohur për Formula 1 në Amerikë, nuk do të shihni asnjë kompani që krijon automobila më të kompletuar se McLaren. Asnjë automobil tjetër nuk është i çmendur sa modeli P1.

Me kombinim të motorit twin-turbo 3.8-litër V8 me sistem me bateri hibrid, McLaren P1 ka 906 kuaj fuqi vetëm për rrotat e pasme. Trupi i tij perfekt i krijuar nga fijet e karbonit e bën veturën shumë të puthitur dhe shumë të ulët, transmeton Koha.net. Nëse ky automobil do të ishte në atletikë, do ta kalonte shtegun njëqindmetërsh në më pak se dy sekonda. Përshpejtimi prej 0 në 100 kilometra në orë, P1 e arrin për më pak se tre sekonda.

Ariel Atom V8


Modeli origjinal Ariel Atom ka 300 kuaj fuqi. Pesha prej vetëm 550 kilogramëve e bënte këtë automobil ndër më të shpejtit në botë, por kjo nuk i mjaftoi kompanisë. Arieli më vonë krijoi superautomobilin Atom V8.

Me dy motorë të supermotoçikletave Ariel Atom V8 ka 500 kuaj fuqi. Edhe modeli V8 shfrytëzoi peshën e njëjtë. V8 ishte i limituar kur doli në treg. Ky superautomobil përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra në orë e arrin për vetëm 2.6 sekonda.

Devel Sixteen


Edhe pse ky model ende nuk është i prodhuar, në rast se del në treg do të jetë automobili më i shpejtë në planet.

Devel Sixteen ka motor V16, me 5000 kuaj fuqi. Përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra në orë superautomobili do ta arrijë në vetëm 1.8 sekonda. Shpejtësia maksimale e tij, në rast se prodhohet siç ka njoftuar kompania, do të jetë 560 kilometra në orë.

Koncepti për herë të parë ishte shpalosur në vitin 2013 në Dubai Motor Show dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë njoftim për të./Koha.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit