1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Përtacia, fatkeqësi bashkohore

Më të lexuarat

Pyetja:

Cili është gjykimi islam për përtacinë, dhe a kemi mëkat nëse jemi përtac?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i qoftë Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin salallahu alejhi ue selem.

Përtacia është një virus mbytës dhe sëmundje shkatërruese, pengon përparimin dhe zhvillimin e popujve dhe ngritjen individuale në punë intensive, virtyte të larta dhe përpjekje frytdhënëse. Përtacia nuk ndodh që ta godasë një popull e mos ta dobësojë, ta lërë mbrapa dhe ta shkatërrojë. Dhe nuk ndodh që ta godasë personin e mos ta molisë, nënçmojë, poshtërojë dhe ta bëjë të pavlefshëm.
Përkufizimi i përtacisë është: Përtesa për atë punë për të cilën nuk bën të përtohet, qoftë për çështje të fesë apo të kësaj bote.

Përtacia ndahet në dy lloje:
Lloj i parë: Përtaci e mendjes, që mos të angazhohet të mendojë dhe të studiojë për atë që ia rregullon punët njeriut në një anë si dhe lënia e mendimit dhe studimit në atë që ia rregullon çështjen e tij dhe rrethit të tij në anën tjetër për çështje të kësaj bote ku ai jeton. Nuk kanë mbetur mbrapa popujt vetëm se si shkak i përtacisë së të zotëve të mendjes si dhe të mosshpikjes së gjërave të reja, të cilat Allahu ua ka mundësuar atyre .

Lloj i dytë: Përtacia personale e njeriut në adhurimin e Krijuesit si dhe kryerja e adhurimeve në atë mënyrë siç janë obliguar. Kjo shpie në ngecjen e popujve në fusha dhe veprimtari të ndryshme, si në bujqësi, ndërtimtari e shumë e shumë fusha të tjera.

Qortimi i përtacisë në Kuran dhe Sunet

Është përmendur përtacia në Kuran në dy vende, ku është qortuar si një nga cilësitë e munafikëve (hipokritëve) si dhe ndër shenjat më të njohura të tyre. Vendi i parë ku Allahu flet për munafikët në Kuran është: “Munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por Allahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun.” (Nisa, 142)

Thotë Ibn Kethiri: “Kjo është cilësia e munafikëve në ibadetin më të mirë e të madh, namazin. Kur ata shkojnë në namaz, shkojnë me përtesë sepse nuk kanë qëllim të sinqertë e as besim për obligimin e tij, as frikë nga Allahu dhe namazi tek ata nuk ka ndikim, siç transmeton Ibën Mredevejhi nga Ibn Abasi: “Është e urryer që njeriu të ngrihet për namaz me përtaci, por ngrihet me vullnet e me dëshirë sepse ai bisedon me Allahun dhe se Allahu është pranë që t’ia falë mëkatet atij dhe ia pranon lutjet të cilat ia drejton. Dhe pastaj lexoi këtë ajet: “Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun.” (Nisa, 142)

Ajo ishte njëra nga cilësitë e tyre e shfaqur publikisht dhe pastaj Allahu përmend një cilësi të tyre të brendshme: “vetëm sa për t’u dukur te njerëzit”. Pra ata nuk kanë sinqeritet e as përkushtim për Allah, por vetëm sa për sy e faqe të njerëzve dhe pikërisht për këtë qëllim ata mungojnë më së shumti në ato namaze në të cilat nuk shihen, si në namazin e darkës dhe në namazin e sabahut. Siç transmetohet në hadithe të vërteta, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Asnjë falje nuk është më e rëndë për munafikët (hipokritët) sesa sabahu (falja e agimit) dhe falja e darkës, por sikur ta dinin ata shpërblimin për këto falje në kohën e tyre më të parë, pa dyshim që do të merrnin pjesë në to (në xhami) edhe sikur t’u duhej të zvarriteshin.”

Kurse vendi i dytë ku Allahu ka përmendur përtacinë në Kuran është: “Mospranimin e dhënieve të tyre nuk e pengoi tjetër gjë vetëm pse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe namazin e falin vetëm me përtaci, e lëmoshën nuk e japin ndryshe pos duke urryer.” (Tevbe, 54)

Kurse në Sunetin e të Dërguarit tonë, paqja dhe lavdi i Allahut qoftë mbi të, është cekur se si ves i shëmtuar që është, i Dërguari i Allahut ﷺ ka kërkuar mbrojtje tek Allahu nga përtacia duke thënë: “O Allah, unë kërkoj mbrojtje tek Ti nga pamundësia dhe nga përtacia.” [1]

E në këtë hadith i Dërguari i Allahut, ﷺ, e ka krahasuar përtacinë me pamundësinë ngase që të dyja çojnë në ngecje dhe pamundësi për suksese dhe arritje të mëdha.

Ka thënë i Dërguari i Allahut, ﷺ, për atë që fle derisa të agojë: “I lidh shejtani mbi kokën e ndonjërit prej jush tri nyje kur ai është duke fjetur dhe në çdo nyje që lidh i thotë “fli rehat, ke natë të gjatë”. E, nëse zgjohet dhe përmend Allahun, i zgjidhet një nyjë. Nëse merr abdest, i zgjidhet një nyje dhe nëse falet, i zgjidhet edhe nyja tjetër dhe atëherë është i kthjellët, me shpirt të qetë. E, nëse s’e bën këtë, atëherë bëhet i keq shpirtërisht, përtac.” [2]

Thotë dijetari i njohur Ibn Abduelber lidhur me këtë hadith: “Në këtë hadith fjala është për atë person që e ka zakon të flejë apo edhe zgjuar nuk shkon fare gjatë kohëve të namazit e kjo nuk është për atë që zakonisht namazin e fal rregullisht. Fjala është qoftë për namaz nate edhe për pesë kohët e namazit, por ndodh ndonjëherë që ta mundë gjumi apo pa dashje, pasi i ka bërë të gjitha shkaqet dhe nuk mund të zgjohet. Atëherë thotë i Dërguari, ﷺ: “Allahu ua shkruan shpërblimin e plotë, kurse gjumi u numërohet si lëmoshë (sadaka).”

Nuk është nga përtacia e qortuar

Përtacia e qortuar është ajo që e pengon njeriun nga kryerja e farzeve dhe vaxhibeve duke i dhënë përparësi epsheve të tij, por ndodh që nganjëherë edhe njerëzit më të zgjedhur t’i godasë një lloj ngecjeje. Ndoshta ata pakësojnë në një masë sasinë e adhurimeve, si për shembull faljen e namazit të natës, por kjo është vetëm një pakësim nga kualiteti i parë, në mënyrë që t’i kthehen atij ibadeti me një vullnet më të madh brenda një kohe të shkurtër. Nëse shpirti ngarkohet në atë gjendje përtacie, mund t’i vijë rëndë dhe mund të sjellë dëm edhe më tepër. Nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Kur dikujt prej jush i vjen gjumë (i flihet ) në namaz, le të bjerë të flejë derisa t’i kalojë ngase është e mundur që dikush të falet derisa është i përgjumur dhe në vend që të lutet për falje, shan dhe mallkon vetveten.”

Gjithashtu nga Abdullahb.b. Kajsi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Mos e lër pas dore namazin e natës ngase i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e linte. Kur ishte i sëmurë ose i lodhur, e falte ulur.”

Thotë Jezid bn Mehlebi: “Nuk do të kisha pasur dëshirë për ta pasur dynjanë e garantuar e të mos kem asnjë obligim për furnizimin, në mënyrë që mos të mësohem me përtaci.”

Koha e lirë që nuk shfrytëzohet e shkatërron njeriun. Nëse pjesët e trupit lihen e nuk përdoren, nuk do të funksionojnë si duhet apo do të bëhen të paefektshme në tërësi. Syri ose dora, nëse mbahen për shumë kohë mbyllur ose lidhur, dobësohen.

Paramendo Merjemen se si Allahu ia bëri mrekullinë dhe si e lindi Isain. Pasi e lindi, Allahu e furnizoi me hurma, por ajo nuk i mori të gatshme në tërësi, ngase Allahu e urdhëroi e i tha: “E ti shkunde trupin e hurmës, se do të bien ty hurma të freskëta.” (Merjem, 25)

Ashtu sikurse njeriu bëhet përtac, po ashtu edhe shpirti ndodh që mos të mendojë për atë që është e dobishme dhe të ndërrojë dhe të bëhet i prishur. Duke u nisur nga kjo, është e udhës që çdo njeri mos ta kalojë kohën kot, por që gjithmonë të jetë në përpjekje për ndreqjen e jetesës në këtë botë si dhe në botën tjetër duke i dhënë përparësi kësaj të dytës ngase është e përhershme.

Thotë Haxhaxhi: “Nëse një njeri kalon disa çaste të jetës së tij duke mos e përmendur Allahun apo duke mos bërë istigfar (kërkim falje të mëkateve nga Allahu apo duke mos menduar për kthimin e tij tek Allahu, atëherë ky njeri meriton të ketë dëshpërim të madh Ditën e Gjykimit.”

Disa nga shkaqet e përtacisë:

Munafikllëku (hipokrizia): Posaçërisht nëse bëhet fjalë për lënien e farzeve apo vaxhibeve ndaj Allahut, ngase munafiku nuk ka qëllim të sinqertë kryerjen e ibadeteve, por i bën vetëm sa për t’i publikuar veprat e tij te njerëzit apo nga frika e dënimit në këtë botë, aty ku praktikohet sheriati. Pikërisht për këtë e kap dembelia, posaçërisht kur janë të sigurt dhe larg syve të njerëzve siç i përmendëm argumentet nga Kurani dhe Suneti më herët.

Dëshira për pushim të tepërt: Ka thënë Ibn Xheuzi: “Ajo që e bën përtac njeriun është dëshira për pushim të gjatë e të tepruar. Nga i Dërguari i Allahut përmendet shpesh një lutje: “O Allah, unë kërkoj mbrojtje tek Ti prej mërzisë, pamundësisë e përtacisë.” Po ashtu edhe Imam Muslimi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Besimtari i fuqishëm është më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, por në të dy ka dobi. Kushtoji rëndësi asaj që të bën dobi dhe vetëm nga Allahu kërko ndihmë dhe mos u bë përtac.”

Koha e lirë: Ashtu siç mund të jetë nimet, mirësi e madhe për kryerjen e shumë ibadeteve, si mësim e lexim e shumë gjëra të dobishme, koha e lirë mund të jetë e dëmshme kur njeriu nuk di ta shfrytëzojë ashtu siç është e dobishme për të. Thotë Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Unë e urrej atë njeri që rri kot, nuk bën asgjë as për këtë botë e as për botën tjetër.” E thotë Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Martesa me përtacinë lind varfërinë.”

Lusim Allahun të na ruajë nga kjo cilësi e shëmtuar e të na bëjë nga adhuruesit e Tij të sinqertë, që gjithmonë obligimet ndaj Allahut i kryejnë me zell e sinqeritet.

Përktheu: Hevzi Kadriu

———————————————————–

[1]  Buhariu dhe Muslimi.

[2]  Buhariu dhe Muslimi.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit