“Kjo vizitë na dha një porosi neve. Ne pamë që Çanakalaja është vendi i sakrificës, bashkësisë, solidaritetit dhe qytetërimit”
PRISHTINË (AA) – Figen Shaban
Në kuadër të projektit “15 vjeçarët nga Kosova në Çanakala”, 120 të rinj nga komuniteti turk i Kosovës disa ditë më parë, morën pjesë në marshimin në kujtim të regjimentit të 57-të, në kuadër të ceremonisë përkujtimore të Luftërave Tokësore të Çanakalasë.
Projekti “15 vjeçarët nga Kosova në Çanakala” u organizua me nismën e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) nga Ministria e Rinisë dhe Sportit e Republikës së Turqisë, në kuadër të 23 Prillit, Ditës së Turqve në Kosovë dhe Ditës së Sovranitetit Kombëtar dhe Festës së Fëmijëve në Turqi.
Në kuadër të këtij projekti, 11 nxënës në klasë të 7-të dhe të 8-të nga shkolla fillore “Elena Gjika” në Prishtinë dhe 3 mësimdhënëset e tyre vizituan vendet historike dhe kulturore në tre qytetet e Turqisë (Çanakala, Stamboll dhe Edirne) si dhe varrezat e paraardhësve të tyre (dëshmor në Betejën e Çanakalas). Disa prej këtyre nxënësve, duke folur për Anadolu Agency (AA), ndanë emocionet dhe eksperiencat e vizitës së tyre.
Nxënësit nga Prishtina të cilët ishin pjesë e vizitës duke kujtuar eksperiencën e tyre në qytetin historik të Çanakalasë theksuan se kanë mësuar mjaft nga vizitat dhe aktivitetet e ndryshme, si nga shfaqja e historisë ushtarake me dokumentare dhe filma të ndryshëm, vizita në Xhaminë Selimiye në Edirne, vizita në Pallatin Topkapı në Stamboll dhe shumë aktivitete të ndryshme.
Zv/drejtoresha e shkollës fillore “Elena Gjika”, Agnesa Globoder, duke theksuar se së bashku me nxënësit dhe mësimdhënësit kanë lënë pas një javë intensive gjatë festës së 23 Prillit këtë vit, tha se janë shumë të kënaqur se Turqia me projekte të tilla nuk ka përjashtuar as fëmijët e komunitetit turk nga Kosova.
“Realisht ishte një vizitë, një aktivitet i paharruar për fëmijët gjatë shënimit të festës së 23 Prillit. Ministri (Mahir Yağcılar) çdo vit po organizon aktivitete një javore për 23 Prillit- Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë në bashkëpunim me shkollat dhe shoqatat tona. Ne kemi mundësinë që ta shfaqim identitetin, kulturën dhe gjuhën tonë me anë të këtyre aktiviteteve”, tha Globoder.
Ndërsa, Ayfer Cemail, mësimdhënëse e matematikës, duke theksuar se ndjehet shumë krenare që ka vizituar Çanakalanë dhe varrezat e paraardhësve të saj nga Kosova që ranë dëshmorë në Betejën e Çanakalasë, nga mosha 15 e deri në 70-vjeçare, tha se ka ndier dëshmorët në çdo frymëmarrje.
“Kjo vizitë na dha një porosi neve. Ne pamë që Çanakalaja është vendi i sakrificës, bashkësisë, solidaritetit dhe qytetërimit. Po ashtu ky vend na kujtoi se duhemi ta mbrojmë flamurin dhe atdheun tonë ”, tha Cemail.
Nxënës i klasës së 7-të, Enes Ismaili tha se kjo ishte vizita e tij e parë në Turqi dhe sipas tij ishte shumë domethënëse sepse përfshinte edhe vizitën në Çanakala. Ai po ashtu shprehu dëshirën që të përsëriten aktivitetet e tilla në të ardhmen, me qëllim që të kujtojnë në mënyrë më të mirë 23 Prillin, duke e konsideruar si një dhuratë për të gjithë fëmijët e botës.
“Ne u informuam për heroin tonë të guximshëm Seyit Onbaşı. Kuptuam se ai ishte një trim i madh. Vizituam po ashtu vendet e rëndësishme dhe të bukura historike si Pallatin Topkapı, Xhaminë e Sulltan Ahmetit në Stamboll”, u shpreh İsmaili.
Ndërsa, nxënëse ne klasën e 8-të, Tülin Ersoy, theksoi se ndjehet e lumtur që ka vizituar qytetet si Stambolli dhe Edirne, por tha se në Çanakala ka përjetuar momente emocionale. Ajo duke theksuar se e gëzon fakti që është ruajtur historia në këto vende tha se ka parë se disa gjëra nuk kanë ndryshuar nga ajo kohë në ditën e sotme.
“Vizituam varrezat e dëshmorëve të Çanakalasë dhe ‘Conkbayırı’, falëm namazin e mëngjesit pastaj marshuam në kujtim të dëshmorëve tanë. Përjetuam momente shumë të bukura dhe të paharruara”, tha Ersoy.