1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Përshkallëzimi i luftimeve në Siri nga raketat Scud

Më të lexuarat

Forcat siriane besnike të Presidentit Bashar al-Assad njoftohet të kenë hapur zjarr me raketa Scud ndaj kryengritësve që luftojnë qeverinë e tij. Në materialin në vazhdim, korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera i hedh një vështrim përshkallëzimit të luftimeve gati 2-vjeçare për të përmbysur nga pushteti Assad.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë njoftuar se forcat e presidentit sirian Assad kanë hapur zjarr me raketa Scud në zonat e kontrolluara nga kryengritësit, por zyrtatët sirianë i kanë mohuar këto njoftime.

Analistët dhe zyrtarë amerikanë thonë se kjo është hera e parë që forcat e qeverisë siriane kanë përdorur raketat Scud ndaj kryengritësve. Joseph Holliday, ish oficer zbulimi në ushtrinë amerikane, thotë se raketat Scud janë raketa balistike me rreze veprimi deri në 500 kilometra.

“Ato janë raketa tokë-tokë dhe nuk mund të përdoren për të vënë në shënjestër një objekt të caktuar, për shembull një shtëpi. Ato përdoren për të goditur një fshat ose një qytet të tërë”.

Pra këto raketa, thotë analisti, nuk janë të sakta.

“Dhe kjo është më se e vërtetë për raketat siriane Scud. Disa prej modeleve të hershme të këtyre raketave u transferuan nga rusët dhe disa prej modeleve më pas janë siguruar nga Koreja e Veriut, transferuar direkt prej atij vendi ose me ndihmën e koreano-veriorëve”.

Greg Thielmann, ekspert i armëve kimike me Shoqatën për Kontrollin e Armëve, firmë private kërkimore, thotë se përdorimi nga qeveria siriane e raketave Scud përshkallëzon konfliktin.

“Përdorimi i këtyre raketave përbën një përshkallëzim të luftimeve sepse këto janë raketa të fuqishme dhe që nuk ishin përdorur më parë. Ato nuk janë të sakta dhe nëse përdoren në zona urbane, si në rastin e Sirisë, qëllimi është që të vriten shumë civilë. Raketat Scud nuk mund të përdoren për të vënë në shënjestër kryengritësit, ato përdoren për të ngjallur terror”.

Ekspertët thonë se raketat Scud mund të mbushen me armë kimike. Gregory Koblenz, ekspertët për armët kimike në Universitetin George Mason, thotë se Siria ka një arsenal të konsiderueshëm.

“Siria ka ndoshta një arsenal prej qindra ton armësh kimike të ndryshme, kryesisht armë me gaz mustard ose me agjentin më vdekjeprurës, atë sarin. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se Siria mund të ketë edhe agjentin VX, gazi nervor më i rrezikshëm që ekziston sot”.

Raketat Scud nuk janë e vetmja mënyrë që forcat siriane mund të përhapin agjentë kimikë. Ato mund të vendosen në predha artilerie ose në bomba para se të hidhen nga avionët.
Ekspertët besojnë se armë kimike në Siri prodhohen në 4 deri 8 qendra dhe magazinohen në dhjetra pika në mbarë vendin. Ata thonë se deri më sot, arsenali i armëve kimike të Sirisë ka qenë i sigurtë nën kontrollin e qeverisë.

Analistët thonë se Siria nuk ka një histori të përdorimit të armëve të tilla, por këto armë janë përdorur në Lindjen e Mesme, veçanërisht nga ish udhëheqësi irakian, Saddam Hussein në luftën me Iranin dhe kundër Kurdëve në Irakun verior në fund të viteve 80-të.
Eksperti i armëve kimike, Gregory Koblenz në Universitetin George Mason nuk përjashton mundësinë që sirianët të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

“Fatkeqësisht ky është një precedent dhe model për sirianët, të cilët mund të kujtojnë përvojën se si i përdori Iraku armët kimike kundër kurdëve dhe t’i përdorin ato në konfliktin e tyre me shpresë se do të kenë rezultat të ngjashëm”.

Presidenti Barack Obama ka paralajmëruar Sirinë se përdorimi i armëve kimike “do të ishte krejtësisht i papranueshëm” dhe siç është shprehur Obama “do të ketë pasoja”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit